E Diel, 1 Nëntor 2026

Në listën e opozitës po triumfojnë kandidaturat që vijnë nga bota e krimit

04-03-2013 / Gazeta 55

“Prurjet” e Ramës, figura të kompromentuara - reagon PD

Reagim i Partisë Demokratike, përmes zëdhënëses Laura Vorpsi: “Prezantimi i Ilirian Celibashit do pasohet nga ai i Dhori Sollakut, Ina Ramës, Pjerin Ndreut dhe Veli Myftarit, duke kompletuar kështu botën e krimit në selinë mavi të Partisë së Re të Edi Ramës”

Partia Demokratike deklaroi dje se Edi Rama po afron në Partinë Socialiste, figura të kompromentuara me të cilët e bashkojnë aferat korruptive. Zëdhënësja e PD, Laura Vorpsi tha se lista e Ramës nuk ndalet vetëm me Ilirian Celibashin, vjedhësin e mandatit të Spartak Ngjelës në Tiranë, por pritet të shpallë gjithashtu si kandidatë për deputetë të Partisë së Re, edhe Ina Ramën, Dhori Sollakun, Pjerin Ndreun dhe Veli Myftarin, duke kompletuar kështu botën e krimit në selinë mavi të Partisë së Re të Edi Ramës. “Sot Edi Rama vazhdoi serialin e paraqitjes së të ashtuquajturve të pavarur si kandidat të Partisë Socialiste, individë me të cilët e bashkojnë vetëm afera të pandershme korruptive. Kështu ai sot doli para mediave dhe njoftoi zëvendësimin e Gramoz Ruçit si krye-listë në qarkun e Fierit me ish kryetarin e KQZ-së, famozin Ilirian Celibashi me të cilin i vodhi mandatin Spartak Ngjelës, si rival që e kishte për kryetar bashkie. Burime nga selia “mavi” e partisë së re të Ramës bëjnë të ditur se këto ditë, Rama do të paraqesë kandidatë për deputete ish kryeprokuren e përgjithshme, Ina Rama e cila e mbrojti atë si avokate, nga hetimi si kryeorganizatori i puçit të 21 janarit. Listës së kandidatëve do ti shtohet Dhori Sollaku me urdhër të prerë të organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” që sundon mbi Z.Rama. Në listë thuhet se do të jenë Pjerin Ndreu dhe Veli Myftari, zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, të larguar për vepra të qarta kriminale, nga organet e Policisë dhe të dënuar nga këto organe. Kështu mesa duket partia e re e Edi Ramës përveç 99-shave dhe Mjaft-ucëve do përfaqësohet më shumë se kurrë nga bota e krimit dhe mbrojtësit e saj”- deklaroi Vorpsi.
Gjithashtu, Partia Demokratike i bën thirrje Z. Rama, që të bëjë publike faturat e ndërtimit, faturat bankare dhe tatimore, të investimit 1 milion Euro të bërë në pallatin “pajë” të bashkëshortes së tij. “Të bëjë publike burimin dhe taksat e paguara për 100 milion lekë kredi pa interes të bashkëshortes së tij. Të bëjë publik çmimin e vërtetë të 8 000 metër katrorë truall, të blerë në malin e Dajtit, për rezidencën e tij verore. Te bëjë publike të gjithë pasuritë siç i kërkon ligji, të nënës dhe djalit e tij si një detyrim i prerë ligjor për ligjin e deklarimit të pasurive, nga zyrtarët publike. Vonesa dhe fshehja nga ky detyrim bind çdo ditë e me shumë qytetarët Shqiptarë, se ti je i trembur dhe i tmerruar nga origjina e pasurive të tua!”- përfundon deklarata e PD.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›