Rama, fjalë e gënjeshtër
Fushata e Edi Ramës është e mbushur me gënjeshtra të pacipa. Kritikohet INSTAT-i se nuk certifikon realitetin e zi që ata dëshirojnë, kritikohet policia pse ka shënuar rekord të zbardhjes së krimeve dhe kritikohet qeveria pse ka një rekord të investimeve publike. Në fjalët e Ramës për aleatët spikat hileja, në marrëdhëniet e Ramës me biznesin spikat arroganca, ndërkohë që në përgjërimet e Ramës për të majtën, zbulohet gënjeshtra, si një refren i fushatës së opozitës
Kreu i PS-së Edi Rama gjatë një konferencë në rrjetin social “Tuiter” siguroi se pavarësisht prurjeve të reja në parti, deputetët socialistë aktual nuk do të ndryshojnë. Në fakt, kjo është gënjeshtër e pastër pasi blerjet e reja të Edi Ramës në PS janë për listat e kandidatëve për deputet në pragun e sigurt, çka do të thotë spostim të deputetëve aktualë. Vendi i blerjes së re të PS, Ilirian Celibashi në listën për deputet duhet të jetë i sigurt, përderisa Rama e konsideroi si “një vlerë të shtuar të Kuvendit të ardhshëm”. Këtë fat pat edhe deputeti Skënder Hasa në Peqin që u spostua nga Alfred Peza, po ashtu u mënjanua Asllan Dogjani për t’i lënë vendin Vexhi Muçmatës. Megjithatë në konferncë Edi Rama pyetjes se a do mjaftonte një mandat si kryeministër për të rimëkëmbur vendin, me anë të “Rilindjes Kombëtare”, i pari i socialistëve u përgjigj se mandati i parë do shërbejë për tu kthyer besimin shqiptarëve. Këto fjalë të përgjithshme “rikthim besimi” s’janë asgjë përballë fushatës që Edi Rama po bën për të nxirë realitetin duke u shitur në mediat si shpëtimtar i kombit nëpërmjet Rilindjes. Ai kritikon INSTAT-i se nuk certifikon realitetin e zi që ata dëshirojnë. Ish-deputeti i PS, Ilir Beqja thotë se të dhënat e Institutit të Statistikave nuk janë në përputhje me realitetin, por nuk thotë sesi e mat ai realitetin faktik përderisa të dhënat statistikore të institucioneve janë për të certifikuar një realitet të caktuar. Po kështu Edi Rama kritikon policinë në vend të sensibilizohet dhe të denoncojë krimin. Ai kritikon policinë e Shtetit pse ka shënuar rekord të zbardhjes së krimeve dhe kritikohet qeveria pse ka një rekord të investimeve publike. Ai çdo ditë flet ndryshe nga një ditë më parë. Një herë i quan vegla të pushtetit si LSI-në e pastaj i kërkon në koalicion, Bamir Topit i tregon rrugën që të ndjek sikur ta kishte mentor politik, ndërsa PBDNJ e orienton sikur e ka nën sqetull, edhe pse fut në koalicion faqezinjtë që sulmojnë Vangjel Dulen. Në fjalët e Ramës për aleatët spikat hileja, në marrëdhëniet e Ramës me biznesin spikat arroganca, ndërkohë që në përgjërimet e Ramës për të majtën, zbulohet gënjeshtra, si një refren i fushatës së opozitës. Edi Rama është i papërgjegjshëm në deklarata sepse i ndryshon çdo ditë. Ai flet për pavarësi njerëzish e institucionesh e të “pavarurve”, ndërsa fut në listat e kandidatëve të PS ish-kryetarë të KQZ, ish-prokurorë të Republikës, ish-gazetarë që gjithë këto vite zbulohet se vëtëm të pavarur nuk paskan qenë përderisa simpatizonin Edi Ramën. Sidoqoftë një gjë është e sigurt, Shqipëria e gënjeshtër për të cilën flet Edi Rama ekziston sepse kështu mendon Edi Rama. Shqipëria reale është ajo që ngrihet në mëngjes dhe shkon çdo ditë në punë, që paguan taksat pavarësisht se iu thuhet se do t’ju heqim taksat, pasi ata e dinë mirë se Shteti me taksa mbahet dhe jo me fjalë e gënjeshtra politike. Shqipëria reale është ajo që kërkon marrjen e statusit të vendit kandidat dhe jo qarkun e Fierit, për shembull. Shqipëria reale është ajo që kërkon që shtetit të mos ndërhyjë në tregun e lirë, ashtu siç kërkon të bëjë Edi Rama, duke futur duart në xhepat e shqiptarëve.