Fakti/Rama s’komenton akuzat e Priftit për drogën - shembull negativ për mijëra adoleshentë
Kur pritej që Edi Rama të pranonte publikisht bërjen e analizave të gjakut, për përdorim lëndësh narkotike, pas akuzave disa ditore të deputetit të LSI-së dhe njëherazi ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, iu shmang kësaj përgjegjësie morale, e cila mund të përshkallëzohet edhe në penale, me argumentin se ka dhuruar gjak, përgjatë 7 apo 8 viteve të fundit. Megjithëse kryetari i socialistëve Edi Rama paralajmëroi dje gjatë komunikimit të zakonshëm me gazetarët, se është i gatshëm për t’iu kundërpërgjigjur çdo akuze që është adresuar në drejt tij, por nuk dha asnjë datë se kur do t’i nënshtrohet analizave të gjakut për të vërtetuar ose jo përdorimin e lëndëve narkotike. Një sfidë kjo që i është propozuar nga deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe njëherazi ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, pas debateve të ashpra dhe akuzave të ndërsjella lidhur me deklarimin e pasurisë. Lideri i opozitës, përpos qëndrimit indiferent dhe dyshues ndaj opinionit publik, në një kohë kur të gjithë po kërkojnë prej tij shpjegime lidhur me akuzat për përdorim lëndësh narkotike, nuk shmang dot turpin teksa deklaron se ka dhuruar gjak për 7 vjet me radhë. Papërgjegjshmëria e liderit të opozitës dhe arroganca e tejkaluar e tij, vazhdojnë të mbeten një rrezik më vete dhe një frakturë e rëndë për shoqërinë shqiptare dhe moralin e pastër të individit. Ai është një shembull i keq për adoleshentët dhe në tërësi të rinjtë. Në këto kushte të vështira, çdo njeri me arsyetimin më të thjeshtë moral dhe etik, do të jepte dorëheqjen, për t’ju nënshtruar më pas procedurave të tjera, kryesisht ligjore, duke u pasuar me procesin e rehabilitimit.
...