S’ka krizë në qeverisje, koalicioni i integrimit do vazhdojë punën

Kreu i LSI-së Ilir Meta u jep fund thashethemeve socialiste
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta u shpreh dje se koalicioni i integrimit do vazhdojë punën e nisur plot një vit më parë, për realizimin e aspiratave të integrimit evropian të vendit. Ai tha se mazhoranca do miratojë çdo ligj dhe reformë që çon përpara drejt integrimit Shqipërinë dhe shqiptarët. Duke iu përgjigjur thashethemeve të Edi Ramës se qeveria aktuale është në krizë, nr 2 i ekzekutivit tha se koalicioni po vazhdon punën për përmbushjen e objektivit madhor.
“Në bindjen tonë ky është një koalicion që është bërë për integrimin e Shqipërisë. Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe jam i bindur qe do të ecim drejt përmbushjes së detyrimeve tona”, u shpreh zëvendëskryeministri.
Porsa takon ligjit të shumëdiskutuar në SHISH, Meta tha se procesi është në vijim të diskutimeve dhe se në momentin e duhur, pas finalizimit të konsultimeve do miratohet në Kuvend. Sipas tij, Shqipëria është vend anëtarë i NATO-s dhe duhet t’i përmbahet rregullave të reja të Aleancës.
“Mendoj se ligji ka nevojë për rishikim. Ky është një proces kompleks dhe është një proces që duhet të marrë nën konsideratë faktin që Shqipëria tashmë është anëtare e NATO-s dhe NATO ka rregullat e saj të funksionimit edhe në drejtim të bashkëpunimit ndërmjet shërbimeve inteligjente, ku dihet se lufta kundër terrorizmit është një prioritet madhor për Aleancën dhe për Shqipërinë si një vend anëtar i saj. çështja e Shërbimeve inteligjente është një çështje delikate dhe besueshmërie. Ndaj Shqipëria ka qenë dhe është në një proces konsultimi me Aleancën por kjo çështje nuk ka përfunduar ende. Për këtë arsye edhe mendimi im ka qenë dhe mbetet se duhet të përfundojë ky proces para se këto ndryshime të sillen në Kuvendin e Shqipërisë”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme.
Duke u ndalur te pavarësia e Kosovës, e formalizuar me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, tha se vendimi është një pavarësi e dytë për shtetin e ri në Ballkan.
Sipas tij, pas vendimit të GJND-së, njohjet e mëtejshme të Kosovës do të vijojnë me intensitet.
“Jam i bindur se do të jetë e afërt dita kur Kosova do të jetë anëtare e OKB, kur 2/3 e vendeve anëtare do ta kenë njohur shtetin e ri”, tha ai duke theksuar se pavarësisht qëndrimit emocional të Serbisë, Beogradi duhet të njohë pavarësinë e Kosovës.