E Diel, 1 Nëntor 2026

S’është iniciuar asnjë procedurë privatizimi, bashkia të ofrojë fakte konkrete

Akuzat e Shalsi për privatizimin e ish fushës së aviacionit, reagon Ministria e Mbrojtjes


Zëdhënësja e ministrit të Mbrojtjes, Brikena Arapaj sqaroi dje gjatë një konference për shtyp opinionin publik për sa i përket privatizimit të pronave ushtarake në ish-fushën e Aviacionit në Tiranë. Pas akuzave të Partisë Socialiste me eksponentin e saj, Eduart Shalsi, Ministria e Mbrojtjes deklaron se nuk ka iniciuar asnjë procedurë privatizimi për prona në këtë zonë. “Deklaratat e Partisë Socialiste përsa i përket privatizimit të pronave në ish-fushën e Aviacionit janë të pabazuara në fakte dhe nuk përmbajnë asnjë të vërtetë. Ministria e Mbrojtjes nuk ka iniciuar asnjë procedurë privatizimi për prona në këtë zonë dhe ftojmë bashkinë e Tiranës të nxjerrë ekspertë të saj për të ofruar fakte konkrete”, u shpreh zëdhënësja Arapaj. Sipas saj, në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 2, datë 04. 08. 2006 ka miratuar ndryshimin e një sipërfaqe prej 5.5 hektarë nga zonë e veçantë në zonë të gjelbër, vendim i cili ngarkon për zbatim bashkinë e Tiranës. “Kjo sipërfaqe toke është duke u përdorur aktualisht nga bashkia e Tiranës dhe si rrjedhojë deklaratat e Partisë Socialiste bëhen tërësisht të pakuptimta. Sqarojmë edhe një herë se të gjitha pronat që i kanë kaluar Ministrisë së Ekonomisë janë të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes”, tha më tej zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Brikena Arapaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›