E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fakti/Zgjedhjet në PD, pas katër ditësh – do votohet në 57 qendra votimi, në të gjithë vendin

18-07-2013 / Gazeta 55

Janë thirrur të votojnë ata që zyrtarisht figurojnë anëtarë të Partisë Demokratike deri më 15 maj dhe që janë pajisur me kartën dixhitale të anëtarësisë. Sikundër thotë statuti, lista zgjedhore përfshin personat e anëtarësuar deri dy muaj para mbledhjes së Kuvendit. Forumi më i lartë drejtues u zëvendësua nga kryesia në këto zgjedhje me të gjithë anëtarësinë e partisë, e cila do vendosë me votë direkte kryetarin e ri. Kështu u argumentua zbatimi i parimit jashtëstatutor “një anëtar një votë” në kuadër të atij që u quajt fillim i ri në PD pas dorëheqjes së Sali Berishës. Votimi pritet të mbahet në 57 qendra në gjithë vendin, prej të cilave 18 mësohet të jenë në Tiranë. Qendrat do të qëndrojnë hapur nga ora 8 e mëngjesit deri në orën 7 të darkës. Sapo kutitë të mbyllen ato do të transportohen në Pallatin e Kongreseve në Tiranë nën vëzhgimin e përfaqësuesve të kandidatëve. Do të ngrihen dhjetë grupe numërimi secili me nga katër anëtarë. Nuk ka një parashikim se kur mund të mbyllet procesi i numërimit, për rrjedhojë se kur do të mësohet emri i numrit një të demokratëve mes Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës. Të dy janë në ditët e fundit të fushatës intensive në gjithë vendin. Po theksojnë avantazhet ndaj njëri-tjetrit, por qëllimin e kanë unik, forcimin e partisë dhe mundjen e Edi Ramës në betejën më të afërt, atë të zgjedhjeve vendore në vitin 2015.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›