E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetëm në SHBA një xhihadist trajtohet me kujdes shëndetësor dhe del në kopertinë

rolling stoneKa shkaktuar një zemërim të vërtetë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës revista e njohur Rolling Stone, që ka vendosur në foton kryesore të kopertinës Dzhokhar Tsarnaev, të akuzuar për bombat në Boston.

Kryebashkiaku i Bostonit, Thomas Menino tha se është një turp i madh. Sipas tij, nëse revista donte një kopertinë për këtë ngjarje, të kishte vendosur të mbijetuarit ose ekipet e emergjencës.

Zemërimi ka përfshirë rrjetet sociale.

Pse ka dalë ky njeri në kopertinën e Rolling Stone? Mos i bëni martirë këta njerëz, thotë një përdoruese e Facebook-ut.

Çfarë tmerri, një vrasës prezantohet si një rock-star, shkruan një tjetër.

Më shumë se 15 mijë komente, shumica dërrmuese negative, janë postuar në faqen në Facebook të revistës.

Rrjeti i njohur i shitjeve CVS ka deklaruar se do të bojkotojë blerjen e revistave Rolling Stone. Kështu kanë vepruar edhe disa firma të tjera.

Një nga pjesëmarrësit në maratonë thotë se për më tepër, ai në kopertinë shfaqet sikur të ishte një tip i këndshëm, një këngëtar simpatik.

Republikani Donald Trump është edhe më agresiv.

Vetëm në Amerikë mundet që një xhihadist që vret fëmijë e gra të trajtohet me shërbim shëndetësor dhe të dalë në kopertinë reviste, shkruan ai.

Por artikulli i shkruar nga Rolling Stone, që trajton mënyrën se si u bë radikal një student premtues, është pëlqyer, duke u vlerësuar si një shkrim i mirë gazetaresk.

Vetë revista është mbrojtur duke thënë se ata po bëjnë gazetari si gjithmonë.

Zemra jonë është me viktimat e bombave të Bostonit dhe mendimet tona gjithmonë do jenë me ta dhe familjet e tyre.

Kopertina e revistës, që po publikojmë këtë javë, është brenda traditave të gazetarisë dhe angazhimit të përhershëm të Rolling Stone për të sjellë një mbulim të matur e të kujdesshëm të ngjarjeve më të rëndësishme të kohës. Fakti se Dzhokhar Tsarnaev është i ri dhe në atë grupmoshe si lexuesit tanë, e bën më të rëndësishme për ne që të shqyrtojmë kompleksitetin e kësaj çështje dhe të fitojmë një kuptim më të plotë se si mund të ndodhë një tragjedi si kjo, thuhet në reagimin e revistës./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›