E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy klientët e rinj të Toni Bler, Mongolia dhe Edi Rama

18-07-2013 / Gazeta 55

Dy klientët e fundit që kanë kërkuar këshilla prej ish-kryeministrit Toni Bler janë qeveria e Mongolisë, si dhe Edi Rama, që të dy në qershor të këtij viti. Ulan-Batori kërkon këshilla lidhur me shfrytëzimin e minierave të arit, ndërkohë që Edvini ende s’e ka shpallur sektorin ku interesohet. Qysh prej 2007-s, Bleri ka ofruar konsulencë për 5 shtete të tjera, ku spikasin kontratat miliona eurosh me Kazakistanin dhe Brazilin

Zyrtarisht, Toni Bler, ish kryeministri laburist i Britanisë së Madhe, është këshilltar i Edi Ramës. Takimi i djeshëm në Londër duket se ka vënë pikat mbi “i” për bashkëpunimin e ardhshëm mes tyre, por përveç etiketimit “bashkëpunim”, asgjë tjetër nuk dihet rreth parakontratës Rama-Bler. Kreu i PS ka pranuar se është në një linjë bashkëpunimi me ish kryeministrin britanik, por pa detajuar termat e konsulencës siç ka bërë p.sh kryeqeveritari i Mongolisë, Norovyn Altankhuyag të cilit asistenca e Bler i duhet për shfrytëzimin e minierave të arit dhe për këtë i paguan një kontratë të majme. Sikurse, për terma politikë dhe ekonomike, diktatori i Kazakistanit, Nursulltan Nazarbajev i paguan Toni Bler-it plot 16 milionë sterlina. Edi Rama, si klienti më i ri i Blerit, bashkë me mongolezin Norovyn Altankhuyag, heziton të përshkruajë në detaje parametrat e bashkëpunimit mes tij dhe ish kryeministrit britanik. Kjo pasi, rezulton që Toni Bler ka një shtrirje të konsulencës së tij gjithnjë e më shumë drejt vendeve lindore, duke përfshirë këtu edhe vende diktatoriale. Aktualisht ish kryeministri britanik këshillon kryeministrat, presidentët dhe diktatorët në disa vende të botës. Nga Brazili, Kazakistani, Azerbajxhani dhe deri në Mongoli, Blair ka shtrirë sferën e tij të ndikimit politik dhe ekonomik, në këmbim të shumave të majme. Qeveria e Brazilit i paguan 4 milionë paund në vit, ndërsa me 16 milionë paundë në vit, Bler paguhet nga diktatori i Kazakistanit, Nursulltan Nazarbajev. Pse? Sepse Bler i jep këshilla Nazarbajev “për çështjet që lidhen me politikën dhe ekonominë”. Këtu kritikët janë mjaft të ashpër me ish kryeministrin, pasi ka pranuar të bashkëpunojë me një qeveri që kritikohet ashpër nga institucionet ndërkombëtare, për shkeljet e të drejtave të njeriut. Apo sikundër, për një konferencë 20 minutëshe në Azerbajxhan, është paguar nga autoritetet atje me shumën e 90 mijë sterlinave. Pra, konsulencën ndërkombëtare Bler e ka mjet pune dhe një rutinë të përmuajshme e cila përkthehet në miliona paundë në llogarinë e tij personale. Ajo që s’kuptohet është se, për çfarë këshillash ka nevojë Edi Rama, apo e thënë ndryshe kryeministri i pas shtatorit? Një mungesë e theksuar transparence vihet re në parakontratën Rama-Bler. Sa do përfitojë ky i fundit nga ky asistim i vazhdueshëm ndaj qeverisë së re? Si do ta këshillojë Edi Ramën? Cilët do të jenë njerëzit e Bler-it që do bëjnë ulje-ngritjet e përjavshme Tiranë-Londër? Për këto dhe të tjera Edi Rama duhet të tregojë minimumin e kulturës së transparencës dhe të japë një përgjigje, sado e shkurtër dhe modeste. Mbi të gjitha, opinioni publik është i interesuar. Sikurse, le të shpresojmë se shifrat që do të paguhen për ish kryeministrin britanik të mos përkojnë me kontratat shumëmilionëshe të Nazarbajevit të Kazakistanit apo Dilma Rousseff të Brazilit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›