E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faleminderit Elhaida!

Në zemër të kësaj fushate zgjedhore, që shpesh bëhet e lodhshme për shkak se ka nisur shumë herët, zëri magjik i 19-vjeçares Elhaida Dani çdo të enjte tek gara muzikore “The voice of Italy” në “Rai 2”, ishte si ai burimi me ujë të freskët që shfaqet pas një rruge të gjatë në shkretëtirë, të cilin ti e sheh së pari me emocion të etur, pastaj me dyshim se mos është mirazh, por kur e provon, shijon triumfin e shpresës për jetën.
Edhe pse një emër jo krejt i panjohur në Shqipëri, për shkak të prezantimeve e triumfimeve në garat muzikore shqiptare “Star Academy” e “Top Fest”, këngëtarja e re shkodrane Elhaida Dani arriti të marrë gjithë vëmendjen e publikut shqiptar, që po identifikohej me këtë talent të brishtë në pamje, por me një zë e performancë të jashtëzakonshme. 

Duhet thënë që vëmendja nisi nga mediat italiane, të cilat nuhatën talentin e këngëtares nga Shqipëria, më pas në rrjetet sociale, ku shqiptarë me banim në Itali po njoftonin për “befasinë” e “tërmetit” Elhaida në “Voice of Italy”, e cila tronditi pozitivisht që në prezantimin e parë, si një “forcë e natyrës”, trajnerët italianë, artistë me famë botërore, përveçse legjenda të artit italian, si Riccardo Cocciante e Raffaela Carra, gojëhapur përpara interpretimit plot potencë të një 19- vjeçareje nga Shqipëria. Emocionet u shumëfishuan nëpërmjet share-ve në rrjetet sociale, duke u eksportuar në mediat vizive e shtypin e shkruar, të cilat po e monitoronin duke i servirur shikuesve ecurinë e suksesshme të këngëtares së re e të talentuar nga Shkodra. 

Ishte interesante të vije re mobilizimin e përgjithshëm të shqiptarëve brenda e jashtë vendit dhe sinkronizimin e tyre pa kushte me emocionet e spektaklit italian e të konkurrimit të Elhaidës. “Uragani” Elhaida bashkoi në mënyrë krejt spontane vëmendjen e shqiptarëve dhe statuset në “Facebook” dëshmonin se debatet politike që po jepeshin në kanalet televizive shqiptare si pjesë e fushatës zgjedhore ishin shumë larg interesit të tyre. 

Cocciante, përveçse një artist legjendar, dëshmoi edhe forcën e madhe të eksperiencës njerëzore e profesionale, duke evidentuar edhe anën e padukshme të Elhaidës, karakterin e saj, për të prekur deri në fund çdo zemër shikuesi që do votonte, duke deklaruar para televotimit të fundit se “Elhaida po më mëson diçka shumë të veçantë: përunjësinë, të cilën duhet ta ketë çdo këngëtar”. Gjunjëzimi elegant i të madhit Cocciante në nderim të talentit të Elhaidës sonë, tregon triumfin e një talenti të formësuar përunjësisht nëpërmjet punës e vetëm punës. Fitorja e Elhaidës me 71% të preferencave të televotuesve është edhe leksioni i qartë që na dha fqinji ynë Italia, se talenti është ai që mbetet e vlerësohet, madje pa asnjë shenjë kompleksi a fobie. Për kolegët e Elhaidës e të rinjtë e talentuar shqiptarë, triumfi i Elhaidës është mesazhi më i mirë se me talent e punë, rezultatet vijnë në çdo cep të botës e në çdo përmasë skene. Me falenderimin në gjuhën shqipe, Elhaida e ndau fitoren e saj me çdo shqiptar anekënd globit. Fitorja e Elhaidës bëri edhe një herë që të flitet mirë për Shqipërinë. Edhe një herë, sepse artistë të talentuar si Elhaida spikasin vazhdimisht në skenat botërore dhe ne fatkeqësisht i “njohim” kur jehona e suksesit u mbërrin deri në Shqipëri. Mjerisht një pjesë e këtyre talenteve “përthithen” nga “nevojat” e politikës për maksimizim të efekteve elektorale. Uroj me gjithë zemër që ky të mos jetë rasti i Elhaidës. Ky talent i pastër i këngës, duhet të vazhdojë të kultivohet në skena e mes profesionistësh të fushës, e jo nëpër tribuna elektorale. Elhaida është një talent i krijuar me punë dhe në këtë rrugë duhet të vazhdojë. Të gjithë ne të tjerët që e shijuam, u emocionuam, u krenuam me talentin e saj, duhet t’i themi “faleminderit që na bëre krenarë” e t’i urojmë suksese në rrugën e saj. E sigurt është se do vazhdojmë të dëgjojmë lajme të mira për Elhaidën tonë edhe në të ardhmen.
 31 Maj 2013 

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›