E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fushata 2013 vazhdon edhe në Korçë

Të dashuruar më shumë me mungesën e principeve, të dashuruar me forcën dhe dinakërinë e dy bandave të tyre, duke u sjellë herë si
luanë e herë si dhelpra me nje servilizëm plot klas ndaj ndërkombëtarëve ose, thënë troç, të dashuruar pas mungesës së virtyteve sipas shembullit të Princit të Makiavelit, dy-tre sulltanët e politikës sonë aktuale paraqiten sikur janë me principet e Monteskiesë dhe frymës së tij të ligjeve. Në mungesë të një shteti të së drejtës, me një tufë banditësh me thikë ndër dhembë që kërkojnë me çdo marifet një karrige në Kuvend, s’lenë vend pa shkelur njëherë në katër vjet. Arma e tyre më e fortë është mendja e errët e skllevërve të tyre, mashtrimi dhe paratë e shumta të shpenzuara për të blerë shpirtra të dobët prej varfërisë, para që bien erën e djersës dhe të gjakut të këtyre ‘skllevërve’, të cilët janë rrjepur paq në katër vjet. Loja vazhdon, skllevërit shfrytëzohen pa pagesë të plotë në 4 vjet, pasuritë kombëtare dhe të ardhurat në buxhet nga taksat përdhunohen si mall pa zot 4 vjet dhe me këto fitime të pandershme e të paligjshme, paguhen sazet, fanfarat, skenat madhështore të cilat  shërbejnë për të mpirë edhe më tepër mendjen e popullit dhe, pas gjithë këtij drogimi kolektiv, sulltanët arrijnë të rinë në pushtet herë njëri e herë tjetri. 

2-Ndërsa hiqen sikur respektojnë ndarjen e 4 pushteteve (pushteti i katërt është media e pavarur), atyre ju pëlqen thellë-thellë vetëm Princi i Makiavelit, i cili të tmerron me mjetet e sundimit të paskrupullta mbi popullin e vet dhe ndaj rivalëve politikë. Princat i duan nën këmbët e tyre institucionet: Gjykatat, parlamentin, mediat, institucionet e pavarura. Pavarësisht nga maska që mbajnë, ata e urrejnë Republikën Parlamentare të Monteskiesë që adhuron dhe përsos perëndimi, ata janë të dashuruar me Republikën Qeveritare të Princit makiavelist ku të gjithë janë ca manekinë që i vendos dhe i heq nga vitrina e pushtetit Princi. Te ne, sidomos pasi u hodh në kosh Kushtetuta e ’98-ës dhe u vendos Kodi partiak i mbyllur në zarfet e 2-3 ‘Princave’ që dërgohen formalisht në KQZ, ra demokracia, ranë nga fuqia dy parullat kryesore të dhjetorit ’90: 1- Liri, demokraci dhe 2- E duam Shqipërinë si gjithë Evropa. Ra shteti demokratik sepse dora-dorës u ngrit në fillim partia-shtet ku të gjithë kishin kapur njëri-tjetrin dhe tani këto 4 vjet u ngrit Princi-shtet, i cili emëron vetëm një administratë të kapur prej tij. Me komisionet politike të tre niveleve të administratës zgjedhore vetëm prej 2-3 partive kryesore ka rënë vullneti i popullit, ka rënë demokracia. Njëkohësisht edhe në Evropë nuk kemi hyrë. Nuk kemi hyrë se s’na pranojnë kështu si jemi, të udhëhequr nga 2-3 princër me sjellje orientale që s’kanë lidhje me demokracinë perëndimore  – qoftë në raport me shpirtin, qoftë në arritjet ekonomike, të cilat janë të lidhura si dy vëllezër siamezë. Kur ka institucione moderne, demokraci dhe shtet të së drejtës, edhe një popull me tradita të prapambetura ecën e prosperon ekonomikisht. Shikoni Taivanin, i cili u kthye nga një ishull orizore, në një ishull me investime të mëdha të brendshme e të jashtme si rezultat i të cilave janë rritur shumë të ardhurat për banor. Të kesh mbi 300 km vijë bregdetare me një klimë të shkëlqyer, me një popullsi rreth 3,3 milionë banorë e të jesh ‘i pa larë’, ‘i pa nxënë’, ‘trup e shpirt i sakatosur’, siç thoshte Noli i madh, kjo tregon se klasa politike edhe në këto 23 vjet nuk ka ditur të jetë një lokomotivë për trenin e shoqërisë, për ta çuar atë me shpejtësi përpara. 

3-Këta ‘demokratët’ që kanë qeverisur këto 8 vjet nuk tregojnë edhe aq se ç’farë kanë bërë, por deklarojnë si komunistë se ‘duhet t’i harrojmë këto 8 vjet që shkuan dhe na besoni edhe 4 vjet’ se tani do të bëjmë namin. Komunistët s’japin kurë llogari për të shkuarën, ata flasin vetëm për majën e ndritur ku do e çojnë popullin, ku ky Sizif nuk arrin dot kurrë, thotë Solzhenicini. Pasi premton për një turizëm detar elitar në Lezhë me investime strategjike të huaja, padashur kryeministri deklaron se i premtoj Lezhës - së përmbytur nga Drini në 4-5 muaj të vitit - se ‘do të ketë ujë e drita 24 orë’. 

Nga njëra anë kryeministri premton hapjen e 250 mijë vendeve të punës, e nga ana tjetër ja pret kryeministri hije rilindas se ai me të vetët do të hapin edhe më shumë, 300 mijë vende pune në harkun e 4 vjetëve. E shumëzuar kjo shifër me rreth 10 mijë euro investim mesatar për një vend pune, do të thotë një investim kapital prej 3 miliardë euro nga kapitali shtetëror dhe privat. Me resurset dhe kapitalet që ka Shqipëria dhe me interesimin e kapitalit të huaj strategjik në fushat e turizmit dhe energjetikës, nëse nuk do të kishim në krye këtë lloj qeverisjeje shumë të korruptuar e inefiçente, natyrisht që ky premtim nuk mund të quhej shumë i paarritshëm. Por duke parë se sa i trysnuar dhe i shqetësuar është kapitali i huaj prej mitmarrjes së burokracisë së lartë të administratës së këtyre 23 viteve, ai largohet me shpejtësi nga territori ynë për të gjetur territore të tjera me avantazh më të madh fitimi prej rrezikut më të ulët prej korrupsionit dhe burokracisë. 

4- Ndërkohë fushata marramendëse vazhdon nën fanfarat e dy-tre kampeve të provuara shumë herë nga shqiptarët. Pasi e provuan Berishën (si President e Kryeministër arrogant, nepotik, krahinarist dhe i korruptuar), Metën (si Kryeministër e ministër i korruptuar deri në thonj me zë e me figurë në disa dikastere), Ramën (11 vjet si kryebashkiak neqez, i paaftë e i korruptuar), ka syresh që mendojnë: Ta provojmë edhe njëherë njërin prej tyre. Dhe kështu ikin 4-vjeçarët pa e kuptuar se jeta e tyre po tkurret nga vitet, fëmijët e tyre po rriten në kushte lemeritëse. Ka sosh që mendojnë më me mençuri se duhet lëvizur, se diçka ndryshe duhet bërë, se ka edhe një forcë tjetër si FRD që kërkon me program-kontratën e vet t’i çlirojë institucionet nga vargonjtë e 2-3 ‘sulltanëve’ të sotëm, se kërkon ti çlirojë tre-katër pushtetet nga varësia e ‘Princit’, se kërkon një Kod tjetër Zgjedhor dhe një mënyrë tjetër numërimi teknologjik e jo partiak, me qëllim instalimin e vullnetit real të votuesve; se kërkon një President funksional të zgjedhur nga populli, i cili të ketë ca kompetenca më shumë për të qenë garanti i funksionimit të shtetit, duke qenë vetëm në varësi të votës së shumicës popullore dhe jo në varësi të shefit të vet partiak; se kërkon uljen në 100 të trupës elektorale në Kuvend; se kërkon një president, një kryeministër, një kryetar partie vetëm me dy mandate; se kërkon mospërputhje midis vendit të anëtarit të Kuvendit dhe ministrit. Pa demokraci nuk ka institucione e pushtete të pavarura dhe anasjelltas. Pa një shtet sipas parimeve të Monteskiesë nuk ka shtet të së drejtës dhe kësisoj nuk ka prosperitet ekonomik dhe rend, vendi gjithmonë do të jetë në prag të kaosit dhe rendi do ja lerë gjithmonë vendin anarshisë.
5- Edhe Korça nuk ndryshon shumë nga gjithë ky teatër absurd ku të gjithë e dinë se çdo katër vjet njerëzit e dy-tre princërve do të vinë të rimashtrojnë, t’u japin përsëri ca lekë sipas çmimit që i venë vetes në ankand skllevërit që pranojnë ta shesin shpirtin dhe më pas palët ndërpresin kontaktin për 4 vjet: Skllevërit zdërhallen në mjerim, pushtetarët ngarendin për të fituar sa më shumë para, për të bërë qejf kryq e tërthor botës, për tu argëtuar në kazinotë e shumta në pronësi të njëri-tjetrit. Nga njëra anë janë në lista i njëjti ekip blu kryesues qendror që ka pasur qoftë në Kuvend e qoftë në Qeveri hapsat e portofolit monetar të buxhetit (së bashku me ndonjë ministër që s’ka asnjë lidhje me Korçën), e nga ana e Rilindasve janë ca kandidatë që ndoshta të vetmin korçar që mund t’ia kishin dëgjuar emrin që mundet edhe shpresonin ta takonin, ishte Themistokli Gërmenji. Ish ministra të provuar, të një partie të provuar. 

6-Arealin fizik të Korçës - i ndodhur midis tre pikave të rëndësishme ballkanike urbane si Selaniku, Tirana dhe Shkupi dhe pranë qyteteve të Ohrit, Manastirit, Edesës, Follorinës, Kosturit, me tre liqene, me male plot kullota për të rritur e ushqyer gjedhët (Mali i Thatë, Morava, Gramozi, Lenia dhe Ostrovica), me fushën e Korçës, Devollit dhe pllajat e shkëlqyera të Kolonjës – nuk ka justifikim ta pranojë se kjo trevë ka ndonjë arsye sado të vogël që mund të lëngojë. Ndërsa Maqedonia fqinje me lëvizje elegante tërheq shumë vizitorë të huaj dhe qindra miliona në valutë me shumë më pak resurse se Shqipëria, ne vegjetojmë në plehun e paaftësisë dhe korrupsionit të qeverive tona dritëshkurtra. 

‘Qeveria e rrugëve’ e ka lënë popullin e qarkut të Korçës në rrugë të madhe. Rruga nacionale e Liqenit të Pogradecit, rruga Korçë-Kolonjë, Korçë-Voskopojë të bëjnë të mallkosh veten sa herë kalon. Sikur automjetet të kishin gojë të flisnin, asnjë qeveritar s’do të mundte të vinte në fushatë. Këto rrugë e kanë larguar më shumë këtë areal periferik të juglindjes së bashku me njerëzit e tij të shkëlqyer, larg qendrës së administratës qendrore, e kanë lenë të pazhvilluar turizmin malor dhe shpresëhumbur ata të pasionuar pas bukurive të kësaj zone. Tregjet janë larg njëri-tjetrit, çka rit kostot e transportit dhe ul konkurrencën e çmimeve. Monopolet mbi plehrat kimike, mungesa e politikave proteksioniste dhe evazioni fiskal godasin dhe molisin çmimet e ulëta nga rritja e kostove të produkteve bujqësore e blegtorale. Shteti, nga ana e tij nuk ndihmon me specialistë të fushës për të nxitur investime me avantazh cilësor të produkteve të caktuara, për të ndaluar tendencën e ngritjes së ekonomive të vetëmjaftueshme për familjet e fermerëve, me produktet bazë të nevojshme bujqësore ose blegtorale. 

7-Për pak harrova! Edhe Korça ka bërë shumë përpara në ndonjë fushë në këto 8 vjet. Nëse numëron ambientet e kumarit dhe kazinotë e qytetit, ku shpesh herë pastrojnë paratë të korruptuarit e administratës qendrore apo lokale të cilët i paguajnë shtetit gjoja një tatim mbi fitimin (të parealizuar në fakt në këto ambiente), depozitojnë ose i rikapitalizojnë në një investim real në masën e mbetur prej 90% të ardhurat e tyre prej korrupsionit ose krimit të organizuar. Një qeveri e përgjegjshme, sigurisht që gjënë e parë që duhet të bëjë është largimi i këtyre aktiviteteve të shërbimit në vende periferike të përcaktuara me ligj ku fëmijët dhe adoleshentët të mos kenë mundësi të hyjnë në to për të fituar aty vesin e keq të kumarit. 

7- Për të gjitha këto arsye mendojmë dhe besojmë se ka ardhur koha e rotacionit politik. Por ndërsa riciklimi i këtyre që janë sot në pushtet do të ishte një autogol vrastar i qytetarëve, gafë të cilën e di mirë edhe Berisha që nuk ka për të ndodhur, nga ana tjetër, një fitore e gjerë e dyshes shumë të rrezikshme Rama-Meta do të ishte një gafë tjetër po aq e madhe sa e para. ’Kush do të ishte më e mira?’, do të pyesni ju. Natyrisht, përmbajtja e nepsit të këtyre tre politikanëve me anë të FRD-së, do të tregonte emancipimin e qytetarëve. Nëse kjo forcë do të ishte pas 23 qershorit një kingmaker, sigurisht që shteti do të fitonte ato vlera cilësore demokratike të cilat sot mungojnë. Votat inteligjente për FRD-në dhe marrja e një statusi të fuqishëm parlamentar prej saj do të jepte fryte shumë të pjekura për dy arsye: Së pari për kontratën që ajo ju ofron qytetarëve për llojin e shtetit të ardhshëm për të cilin ne kemi nevojë ulëritëse dhe, së dyti, për shkak të lidershipit të kryesisë së kësaj partie të re dhe energjike, me përvojë e të papërlyer në gjynahet e mëdha të këtyre 23 vjetëve zhgënjim. 

(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›