E Diel, 1 Nëntor 2026

Sezoni turistik, mbeturinat "pushtojnë" plazhin e Semanit dhe Darëzezës

FIER- Në prag të sezonit turistik, vija bregdetare e rrethit të Fierit ndodhet në kushte skandaloze, me një nivel ndotjeje tejet të lartë. Më problematike paraqitet gjendja në plazhin e Semanit dhe të Darëzezës. Këto plazhe janë mbushur nga mbetje urbane dhe kimikate të ndryshme të fabrikave që derdhen në lumin Gjanicë e atë Seman, dhe më pas, nëpërmjet tyre derdhen në bregdetin e Semanit. Ndërkohë që edhe përmbytjet e herëpashershme të shënuara gjatë stinës së dimrit kanë pasuar me grumbullimin e mbeturinave në këto zona bregdetare. Mësohet se sasia e madhe e reshjeve të rëna ka penguar punën e komunave përkatëse për t'i mirëmbajtur këto zona. 

Aktualisht, Agjencia Rajonale e Mjedisit në Fier ka shtuar kontrollet përgjatë vijës bregdetare, ndërsa u ka kërkuar krerëve të njësive vendore që të pastrojnë brenda një kohe të shkurtër plazhet e mbuluara nga mbeturinat. Drejtori i agjencisë në fjalë, Sajmir Hoxha, dje deklaroi për "Gazeta Shqiptare" se situata paraqitet më problematike në komunat Seman dhe Ndërmënas, pasi edhe ndotja në këtë vijë bregdetare është më e madhe. "Ata e kanë anashkaluar këtë problem, pasi edhe reshjet e shiut në këtë periudhë kanë qenë më të mëdha se vitet e tjera. Ne po ushtrojmë kontrolle dhe kemi lënë detyra konkrete për vendorët, me qëllim normalizimin e situatës në bregdet", - tha Hoxha. 

Ndërkaq, nga ana e Drejtorisë së Shëndetit Publik në Fier nuk është ushtruar asnjë kontroll për kushtet higjienike, kryesisht në subjekte që shërbejnë si restorante apo vend pushimi për turistët. Këto tri vitet e fundit, plazhet e Semanit dhe të Darëzezës kanë qenë shumë të frekuentuara, jo vetëm nga banorë të zonës, por edhe nga banorë të qytetit të Fierit, Patosit, Ballshit, Roskovecit, Beratit etj. Numri i pushuesve në ditë arrintenga pesë deri në gjashtë mijë, ndërsa në fundjavë i kalonte të dhjetë mijët.
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›