E Shtunë, 31 Tetor 2026

Republikanët kritikojnë fjalimin e Obamës

Vendi nuk mund të lejojë që demokratët shpenzues të zbatojnë ngritjen e tatimeve, të cilën po e propozojnë, deklaroi guvernatori republikan i Virginias, Bob McDonell, duke reaguar kështu në emër të republikanëve ndaj fjalimit drejtuar kombit, të cilin e mbajti presidenti amerikan, Barack Obama.

Para turmës së ithtarëve të tij në Richmond, McDonell theksoi se politika e demokratëve po rezulton me një nivel të paqëndrueshëm të borxhit. Ai theksoi se amerikanët dëshirojnë një sistem të sigurimit shëndetësor, të cilin mund t’ia lejojnë vetës, por nuk dëshirojnë një sistem të sigurimit, i cili do të drejtohet nga qeveria.

“Sot, qeveria federative thjeshtë po tenton të bëjë shumë. Gjatë vitit të kaluar, tre milionë amerikanë kanë mbetur pa punë, por Kongresi demokrat po vazhdon shpenzimet e deficitit, duke e shtuar burokracinë dhe duke e shtuar borxhin kombëtarë për fëmijët dhe nipërit tanë”, tha McDonell.

McDonell reagoi në emër të republikanëve ndaj fjalimit, të cilin Obama e mbajti të mërkurën. Republikanët e përzgjodhën McDonellin si simbol të sukseseve të tyre të fundit në zgjedhje.

Republikanët po e ndjejnë vetën të forcuar, pas një serie të fitoreve të shënuara në zgjedhje, përfshirë këtu edhe fitoren e republikanit Scott Brown, në zgjedhjet për senat, të cilat u zhvilluan në Massachussets. Që nga kjo humbje e demokratëve, Obama ka forcuar retorikën e tij populliste dhe ka premtuar përqendrimin e sërishëm të vëmendjes në përpjekjet për hapjen e vendeve të reja të punës.

Republikanët nga ana e tyre kanë theksuar se nga Obama kërkojnë më shumë vepra, e më pak retorikë. Ata ankohen se pakoja për nxitje, në vlerë prej 787 miliardë dollarë, e miratuar vitin e kaluar, nuk ka ndihmuar në rritjen e punësimit.

Udhëheqësi i pakicës në senat, Mitch McConell, theksoi se ai do të ishte i vullnetshëm që të bashkëpunojë me demokratët, nëse ata do të ndjeknin politika më të moderuara.
“Shpresoj se përqendrimi i ri i administratës në ekonomi do të bindë atë që t’i thotë ‘jo’ shpenzimeve dhe borxhit shtesë”, tha McDonell.

Demokratët u kundërpërgjigjen, duke theksuar se pjesa më e madhe e borxhit kombëtarë është rezultat i politikave ekonomike, të cilat kanë ekzistuar gjatë kohës sa republikanët e kontrollonin qeverinë federative. Obama theksoi se ai ka reduktuar tatimet në të ardhura dhe nuk i ka ngritur ato, që nga ngritja e tij në pushtet para një viti.

“Guvernatori McDonell ka bërë një studim të ngutshëm. Mc Donell nuk i janë nevojitur më shumë se dy javë në funksion, për të adoptuar retorikën partiake të republikanëve dhe për të mësuar që të përsëritë qëndrimet e gabuara për presidentin dhe planet e tij për vendin”, tha Brad Woodhouse, drejtor për komunikim i Komitetit Kombëtarë të demokratëve.

Fjalimi i McDonellit ishte përgatitur që të duket si një “fjalim më i vogël drejtuar kombit”. Ai foli para një audience prej 300 personave.

Gjatë fjalimit, McDonell përmendi disa fusha, në të cilat pajtohet me Obamën. Në fushën e sigurisë kombëtare, ai tha se pajtohet me vendimin e Obamës, për të dërguar 30 mijë ushtarë shtesë në Afganistan.

Sidoqoftë, McDonell theksoi se republikanët kanë brenga serioze, sa i përket trajtimit të terroristëve të dyshuar nga ana e administratës aktuale.

Ai u ankua për faktin se shtetasit nigerianë, i cili kishte tentuar të hedh në ajër një aeroplan amerikan në Detroit, i janë garantuar të njëjtat të drejta ligjore sikur edhe shtetasve amerikanë, me ç’rast ai menjëherë heshti, duke i pamundësuar autoriteteve që të sigurojnë informata të rëndësishme.

Disa republikanë kërkojnë që personat e dyshuar për terrorizëm të gjykohen para gjykatave ushtarake, e jo para gjykatave civile.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›