Administrata, 68 milionë dollarë investime të parealizuara

Administrata shtetërore vazhdon të shënojë dështime në realizimin e investimeve, situatë kjo që vjen për shkak të mungesës së kapaciteteve për përdorimin e fondeve. Ministria e Financave ka bërë publike shifrat e realizimit të investimeve, sipas të cilave, investimet deri në fund të gjashtëmujorit të parë 2008 janë realizuar në nivelin 84 për qind të parashikimit të periudhës, ose rreth 26.5 për qind të planit vjetor. Pra, sipas shifrave të Financave, investimet rezultojnë me një mosrealizim prej rreth 5.3 miliardë lekësh, ndaj planit të periudhës, apo rreth 68 milionë dollarë. Brenda këtyre shpenzimeve, investimet me financim të brendshëm janë realizuar në masën 92.7 për qind, pra me një mosrealizim prej rreth 895 milionë lekësh, ndërkohë që investimet me financim të huaj janë realizuar në masën 79 për qind të parashikimit të periudhës, ose me një mosrealizim prej rreth 4.4 miliardë lekësh. Në krahasim me planin vjetor, këto investime janë realizuar respektivisht 29.1 për qind dhe 25 për qind. Nivele të ulëta të realizimit të investimeve paraqiten në investimet me financim të huaj, prej të cilave humbjet janë rreth 50 milionë dollarë. Por pavarësisht nivelit të ulët të investimeve të deritanishme, ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se investimet deri në fund të vitit pritet të realizohen në masën 100 për qind. “Deri në vitin 2006 janë realizuar më pak se 80 për qind e investimeve publike. Në tre vitet e fundit investimet publike janë realizuar mbi 90 për qind, ndërsa gjatë këtij viti investimet publike do të realizohen 100 për qind”, - tha Bode. Sipas ministrit Bode, “ajo që ne do të bëjmë gjatë këtij viti, është zbritja e deficitit në nivelin 5.2 për qind, që do të thotë se ne do të jemi realistë në programimin e investimeve të huaja, të cilat deri më sot janë programuar sipas kontratave që ministritë kanë pasur me donatorët, por që për shumë burokraci jo vetëm të administratës shqiptare, realizimi i këtyre investimeve mbetej në nivelin 50 për qind, ndërsa këtë vit investimet e huaja do të realizohen 100 për qind”, tha Bode.