Falënderim për dërgimin në Itali të të plagosurit të Beratit
Beqar Cani u dëmtua 5 ditë më parë nga shpërthimi i një pike gazi nën administrimin e tij në fshatin Lapardha. Bashkë më të humbi jetën vajza e tij 9-vjeçare si dhe pësoi djegie të rënda gruaja e tij. Gjendja e tij shëndetësore gjatë këtyre 4 ditëve ka qenë tejet e rëndë dhe ende nuk është larguar rreziku për jetën.
Pas një qëndrimi 4-ditor në klinikën e djegie-plastikës në QSUT, dje në orët e para të mëngjesit shtetasi Beqar Cani mbërriti në spitalin e Brindizit për një kurim më të specializuar. Gjendja e tij vazhdon të jetë e rëndë pasi nga ekzaminimet në klinikën shqiptare rezulton me djegie deri në 70 %.
Pas një interesimi dhe pune 5-ditore, si deputet i Qarkut të Beratit dhe i zonës në fjalë do të doja të falënderoja pa masë ministren e Shëndetësisë, znj.Anila Godo, doktor Bardhyl Spahia, shefin e Klinikës së Djegie- Plastikës në QSUT, doktor Gjergjin për interesimin, përkushtimin dhe mundësinë e dhënë qytetarit Cani për një kurim më të specializuar në Itali.
Do të doja t’i shprehja në fund mirënjohjen Ambasadës së Republikës Italiane, veçanërisht zyrës së Rajonit të Puglias në Tiranë, Rajonit të Puglias për mundësinë që krijuan për kurimin e mëtejshëm të z.Cani, duke mbuluar dhe të gjitha shpenzimet financiare të kurimit të tij.
PS: Natyrisht që ky përkushtim i të gjithë autoriteteve sa më sipër është në kontrast të plotë me heshtjen qoftë edhe formale, humane të Kryeministrit të vendit dhe Kryetares së Kuvendit, Jozefina Çobaj, e cila nuk kurseu cinizmin ndaj fatkeqësisë në Lapardha, po aq sa kurseu ngushëllimin për vajzën 9-vjeçare të vdekur dhe interesimin për gruan 35-vjeçare të gjallë të shtetasit nga Lapardhaja Beqar Cani.