Skandali i qumështit me melaminë, bllokohet importi nga Kina
Tiranë- Pas skandalit të qumështit në Kinë, vendi ynë ka vendosur sot bllokimin e importit të qumështit dhe produkteve të tij nga ky vend. Urdhri është dhënë sot nga ministri i Bujqësisë dhe Ushqimit, Jemin Gjana, i cili ka vendosur ndalimin e importit për në Republikën e Shqipërisë të qumështit dhe produkteve me bazë qumështi me origjinë nga Kina.
Sipas urdhrit të publikuar edhe në faqen zyrtare të ministrisë, sqarohet se do të bllokohet qumështi dhe produktet me bazë qumështi të magazinuara në Republikën e Shqipërisë me origjinë nga Kina deri në analizimin e tyre për përmbajtjen e melaminës në një laborator të një vendi të Bashkimit Europian.
"Nëse pas analizimit përmbajtja e melaminës është mbi limitet e përcaktuar në standarde produkti asgjesohet menjëherë”- thuhet në urdhër, ku shtohet se tregtimi i këtyre produkteve që ndodhen aktualisht në tregun vendas do të bllokohet deri në marrjen e rezultateve të analizave për përmbajtjen e melaminës.
“Operatori i biznesit ushqimor përgjegjës për importin dhe/ose tregtimin e produkteve të lartëpërmendura merr masat për tërheqjen e tyre nga tregu ne rast se pas analizimit ne nje laboratore te nje vendi te BE-se përmbajtja e melaminës është mbi limitet e përcaktuar në standarde dhe kryen menjëherë asgjesimin e produktit”- theksohet më tej.
Urdhri i marrë do të mbulojë koston financiare të analizimit, kur përmbajtja e melaminës është mbi normat e dhëna në standard, si dhe asgjesimit të produktit kur ai është i nevojshëm.
Ministria ka ngarkuar Drejtorinë e Përgjithshme e Sigurisë Ushqimore dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Drejtoritë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit,
Pikat e Inspektimit Kufitar, Inspektoriati Veterinar i Bashkive pranë doganave, Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë dhe operatoret e biznesit ushqimor për zbatimin e tij.