Ndoka: Pazaret e fshehta të Berishës
Zbardhet e plotë marrëveshja PD- PDK. Ndoka akuzon Berishën: “Mban në pushtet zyrtarë që akuzohen për vrasje”
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka humbur një prej aleatëve të tij, në prag tëvitit elektoral, për zgjedhjet e 2009-ës. Deklarata e dy ditëve më parë e kryeministrit Berisha, se kryetari i PDK-së Nard Ndoka shkeli marrëveshjen, ka nxjerrë në shesh të pathënat e një prej pakteve që kreu i ekzekutivit firmosi dy vite me parë, pikërisht me demokristianët. Ndoka ka deklaruar dje se PDK shpreh keqardhjen që kryeministri nuk po zbaton marrëveshjen e nënshkruar mes dy partive për bashkëqeverisje dhe detyrime reciproke. “Faji” i vetëm i PDK-së në koalicionin e djathtë është se ne nuk kemi asnjë lidhje me Gërdecin, nuk jemi peng i dosjeve të vjetra e të reja, nuk kërkojmë pushtet me çdo kusht dhe se asnjëherë nuk kemi bërë pakte politike të hapura ose të fshehta kundër të djathtës shqiptare, siç ka ndodhur me shumicën e partive të tjera politike të sotme në koalicion qeveritar”,- tha dje Ndoka.
Marrëveshja
Në faksimilet që kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka bërë publike shquhen qartë marrëveshjet deri edhe ato që cilësohen konfidenciale mes tij dhe kryeministrit Sali Berisha. Marrëveshja mes tyre fillon që me dhënien e një posti qeveritar, një zv-ministër e deri tek votat që PDK duhet të garantonte më shkrim për të krijuar shumicën në zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në marrëveshjen e shkruar dallon edhe një paragraf ku ndër rreshta shkruhet se PDK ishte e detyruar që të miratonte të gjitha nismat e rëndësishme legjislative të qeverisë. Sa për postet e tjera që lidheshin me prefektin apo 9 drejtorët nëpër rrethe, tanimë as që bëhet fjalë. Dokumenti i dytë që lidhet pikërisht me emërimin nga ana e PDK-së të dy drejtorëve të përgjithshëm, një prefekti dhe disa drejtorëve nuk ekziston më, një fakt që Ndoka i ka mëshuar jo pak dje, për të informuar se marrëveshja është shkelur nga ana e PD-së.
Ndoka
Kryetari i PDK-së, iu referua edhe vazhdimit në detyrë nga ana e Berishës të një prej zv-ministrave të tij, Anton Gurakuqi. “PD është e njohur zyrtarisht me vendimin e institucionit të Prokurorisë për ndjekje penale për falsifikim të një zv/ministri, dhe nëse ajo ka respekt për shtetin ligjor do të duhej që veprim të parë të kishte shkarkimin e këtij personi për t’i dhënë mundësi drejtësisë të veprojë pa presione politike”,- tha ai. Ndoka i cili deri para pak muajsh mbante një ndër postet më të rëndësishme në qeveri, atë të Shëndetësisë, theksoi se përbërja aktuale e qeverisë, ka mjaft probleme. “Në fakt, në qeveri kemi ministra në hetim dhe pa imunitet, kemi zyrtarë të lartë të akuzuar për vrasje që nuk shkarkohen nga kryeministri, kemi ministra të sapoemëruar që kanë pasur probleme me drejtësinë, siç kemi dhënie postesh politike për parti që nuk bëjnë pjesë në koalicionin qeveritar të korrikut 2005”,- tha ai.
Pikat e marrëveshjes konfidenciale për PDK-në
Një zv-ministër
Dy drejtorë të përgjithshëm(një prej tyre nga Ministria e Transporteve)
Një prefekt
Një numër drejtoresh në rang prefekture dhe nënprefekture. (Jo me pak se 9) në një shpërndarje të drejtë gjeografike.
Pikat e marrëveshjes mes dy partive e firmosur me 18.11.2006
1. PD angazhohet që pas zgjedhjeve lokale dhe në mirëkuptim mes palëve të përfshijë një ministër që të përfaqësojë PDK-në në kabinetin qeveritar si dhe të sigurojë brenda dy muajve përfaqësues të PDK-së në të gjitha nivelet e qeverisjes sipas të njëjtave kritere dhe të njëjtave përmasa si të partive të tjera të koalicionit.
2. Të mbështesë në Kuvend propozimin e PDK-së për Kodin Zgjedhor i cili do t’i sigurojë asaj një rol më të madh në administrimin e zgjedhjeve
3. Të dalin në një koalicion të përbashkët zgjedhor në zgjedhjet lokale
4. PDK angazhohet të mbështesë zgjedhjen e Presidentit të Republikës, kandidaturë e cila do të diskutohet dhe do të mbështet gjerësisht nga anëtarët e koalicionit
5. PD e PDK bien dakord që të mbështesin pa kufizim të gjitha nismat legjislative të nevojshme për reformat apo ato që kërkojnë një shumicë të cilësuar, dhe për të cilat qeveria do të kërkojë mbështetje specifike nga anëtarët e koalicionit