Falja e faturave të energjisë, Dollapi: E pavërtetë, qytetarë paguani!
Durrës- Administratori i kompanisë CEZ Shpërndarje, Sahit Dollapi ka mohuar zërat se do të ketë falje për faturat e papaguara të energjisë elektrike dhe kamatëvonesat.
Ndërsa i bëri thirrje qytetarëve të paguajnë faturat në kohë pasi do të gjobiten.
Kjo është plotësisht e pavërtetë dhe një informacion dashakeq që del në një pjesë të shtypit sa here ka fushatë elektorale. Nuk ka falje as për faturat e papaguara, as për kamatvonesat. U bëj thirrje qytetarëve të mos bien pre e këtyre trillimeve dashakeqe, por të paguajnë në kohë faturën e energjisë. Sa më shumë vonohen, aq më shumë do të paguajnë dhe në rastin më të keq do t’u ndërpritet energjia si debitorë- u shpreh Dollapi.
Dollapi ishte i pranishëm në qytetin e Durrësit në nisjen e punimeve për rrjetin 20 kwh tek Shkëmbi i Kavajës dhe tha se ky investim do të jetë i përfunduar deri në qershor për nisjen e sezonit turistik dhe premtoi furnizim me ujë 24 orë për qytetin e Durrësit.
Janë me mijëra biznese, me mijëra familje që kanë në këtë zonë një shtëpi pushimi, si dhe janë me qindra e mijëra pushues të cilët janë përfitues direkt nga ky investim. Ju premtoj se investimi do të jetë i përfunduar deri në qershor dhe nisja reale e sezonit turistik do ta gjejë të gjithë këtë zonë të bregdetit me infrastrukturë shumë të mirë të furnizimit me energji elektrike.- tha ai.