E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Falja e Gjakut” vjen në Shqipëri

TIRANË- Filmi i regjisorit amerikan Joshua Martson, me një histori shqiptare, “Falja e Gjakut", pas premierave në disa festivale ndërkombëtare, do të shfaqet në 16 shtator edhe në Shqipëri.

Filmi fitues i "Ariut të Argjendtë” në Festivalin e Berlinit ka pak kohë që është kthyer nga Festivali i Filmit në Sarajevë, ndërkohë që po në shtator, pritet të shfaqet jashtë konkurrencës në Festivalin Ndërkombëtar të Torontos.

"Falja e Gjakut", me skenar të Andamion Muratajt, është refuzuar financiarisht nga QKK që të shfaqet në kinematë e vendit, dhe në këtë premierë të tij, filmi do të vijë në Shqipëri nga stafi shqiptar i realizimit të filmit.
Filmi, puna për të cilin ka filluar që në maj 2010, është xhiruar në Shkodër dhe në të interpretojnë aktorët nga Kosova si: Ilire Vinca- Çelaj, Çun Lajçi, Luan Jaha, Veton Osmani, Selman Lokaj etj.

“Falja e Gjakut” trajton historinë e një vrasjeje pas grindjes për një tokë dhe që çon në ngujimin e një familjeje. Ky zakon i vjetër që e detyron Nikun 17-vjeçar të ngujohet në shtëpi, bashkë me meshkujt e tjerë të familjes, papritur ia përmbys të ardhmen atij.

Filmi, bashkëprodhim i shtëpisë filmike shqiptare “Lissus Media” dhe asaj amerikane “Dean Street Production” pas premierës në Tiranë do të shfaqet edhe në qytetin e Shkodrës.

“Falja e Gjakut” pasi ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare, ku ka konkuruar në kategorinë A, ka gjetur distrubutorë për t’u shfaqur në thuajse të gjitha vendet anglishtfolëse.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›