Imobiliaret: Mungesa e hipotekimit, bllokohet tregu i banesave
Mungesa e hipotekimit të pallateve ka bllokuar shit-blerjet e banesave në Tiranë. Agjencitë imobiliare në kryeqytet raportojnë për një gjendje stanjacioni në tregun e ndërtimit. Sipas tyre, kriza financiare globale ka ndikuar në uljen e besimit të konsumatorit e për rrjedhojë mungesa e hipotekës të pallateve të rinj është një faktor negativ shtesë, që qytetarët të mos blejnë pasuri të patundshme. Sipas agjentëve imobiliarë, shit-blerja masive sa vjen e bie çdo vit, pavarësisht se çmimet e banesave janë në të njëjtin nivel, ose më pak të ulura deri në 5%. Aktualisht, raportojnë agjentët imobiliarë, tregu i ndërtimit mbahet vetëm me dy kategori klientësh: ata që bëjnë blerje luksi, pra apartamente të mëdhenj ose vila, dhe ata që blejnë nga nevoja deri në 60 metër katror. Ata thonë se tregu imobiliar i shitjes po vazhdon të përjetojë krizë. Shitjet e apartamenteve dhe trojeve kanë rënë në masën 25 %, krahasuar me një vit më parë dhe 50 %, krahasuar me vitin 2008, kur u ndjenë hapat e para të krizës. Sipas agjentëve imobiliarë në Tiranë, mungesa e hipotekës dhe kriza ekonomike janë arsyet e rënies së shitjeve të apartamenteve. “Edhe pse çmimet në përgjithësi mbeten të pandryshueshme, ato kanë rënë krahasuar, si me një vit, po ashtu edhe me dy vjet më parë” - shprehen ata. Tregu imobiliar i shitjes përcaktohet nga zonat. Çmimet në këtë zonë variojnë nga 1300 – 1800 euro metri katror. Në zonën e “Astirit” çmimet variojnë nga 600 – 650 euro për metër katror, ndërsa një vit më parë çmimet, po në këtë zonë, kanë qenë 480 – 500 euro për metër katror. Po ashtu edhe ‘Zona e Freskut’ ka rritje në shitje, me 15 %, në lidhje me vitin e kaluar. ‘Shitjet më të larta rezultojnë në zonën e Astirit, Kasharit, Dajtit sepse çmimet janë më të lira’ – konfirmojnë agjentët imobiliarë në kryeqytet. Ivana Shyti, agjente imobiliare në një nga agjencitë e kryeqytetit, i vë më shumë theksin krizës ekonomike për rënien e shitjeve të apartamenteve, në lidhje me një vit më parë. Agjencitë imobiliare referojnë se shitjet kryhen vetëm në zonën e bregdetit, ku tokat e mira shiten me 120-160 euro për metër katror. Ndërsa tokat që nuk kanë studime shiten me 60-100 euro. Gjithashtu, sipas tyre, edhe tregu i qirave aktualisht paraqitet jo mirë, në krahasim me një vit më parë. Agjentët imobiliarë tregojnë se viti 2009 dhe 2010 kanë qenë më të favorshëm, përsa i përket tregut të qiradhënies. Megjithatë, ky mbahet tregu më i mirë në krahasim me shit-blerjen e apartamenteve dhe të trojeve. Ky treg është më konkurrentët, sepse njerëzit nuk mund të blejnë shtëpi.