“Falja e gjakut” premierë edhe për aktorët
Aktori shqiptar Çun Lajçi, protagonist në filmin “Falja e Gjakut”, i vetmi film me “gjak” shqiptar që është në konkurrimin zyrtar për Ariun e Artë në Festivalin e Berlinit, ashtu si gjithë kasti i aktorëve shqiptarë, akoma s’e ka parë filmin ku ai interpreton, ndërkohë që po bën prova sesi të ecë në tapetin e kuq. Këtë të fundit i duhet ta bëjë pas 44 vjetësh karrierë. Bashkë me aktoren tjetër shqiptare Ilire Çelaj, ai do të shkelë tapetin e kuq në festivalin më të rëndësishëm të filmit në Europë. Edicioni i 61-të i tij u hap të enjten në mbrëmje me premierën botërore të filmit “True Grit” të Joel dhe Ethan Coen. Drejtori i festivalit të Cannes, Thierry Frémaux, ai i Venecias, Marco Müller, gjithashtu kanë qenë prezentë në hapjen solemne krahas yjeve të kinematografisë. Isabella Rossellini, Jafar Panahi, Jan Chapman, Nina Hoss, Aamir Khan, Guy Maddin, Sandy Powell, janë yjet që përbëjnë jurinë qendrore. Çelaj dhe Lajçi do të ecin përgjatë tapetit të kuq më 16 shkurt dy ditë para shfaqjes së filmit “Falja e gjakut” (The forgivness of blood) të regjisorit amerikan Joshua Marston, në të cilin përveç Vincës e Lajçit luajnë edhe aktorë të tjerë shqiptarë nga Kosova: Selman Lokaj, Veton Osmani, Luan Jaha dhe aktori nga Maqedonia Refet Abazi. Dyshes nga Kosova, në Berlin do t’i bashkohet edhe aktori nga Maqedonia Rafet Abazi. Gati një javë para nisjes, Lajçi, i cili luan rolin e Dedës, në një intervistë për mediat kosovare shprehet se ka shumë emocione. Ashtu si edhe kasta e aktorëve, ai nuk e ka parë filmin në të cilin ka luajtur. “Ne jemi mësuar që t’i improvizojmë disa qilima të kuq para Teatrit apo Kinemasë, por në fakt nuk jemi të mësuar me këtë gjë”, ka thënë Lajçi. Që tani ai është i preokupuar për veshjen dhe ndërkohë po praktikohet sesi të ecë përgjatë tapetit të kuq. Ai tregon dhe përmbajtjen e ftesës që i ka ardhur nga Berlini në adresë të tij. “Ftesa nis me pyetjet: A e dini ju se çfarë është dita, në datën 18, kur ju e keni premierën dhe se çfarë është një premierë në festivalin e Berlinit? “A e dini që jeni në mesin e yjeve të Hollywood-it, të barabartë me ta? Dhe mbyllet me “urdhrin”: vishni rroba ekskluzive, këpucë të lustruara që shkëlqejnë dhe kurrsesi kravatë të zezë, xhinse apo atlete. Aktori kosovar shprehet se ka porositur kostumin e tij në Milano. Në të njëjtat ethe emocionale është edhe aktorja Ilire Çelaj (Vinca), e cila në filmin e Martsonit luan rolin e Dritës. “Po përgatitem për pamjen, fustanin, e aspekte të tjera të ngjashme”. Për aktorët dhe regjisorët shqiptarë pjesëmarrja në festival është një mundësi njohjeje me emra të mëdhenj të producentëve e regjisorëve të filmit. Për të dy, mundësitë që filmi ku ata luajnë të fitojë “Ariun e artë”, konsiderohen të mëdha. “Ka indikatorë që filmi do të kthehet me ‘Ariun e art뒔, ka thënë Lajçi. Pasojat e gjakmarrjes, në jetën e të rinjve, është rrëfimi që rrëfehet në rreth 90 minuta shirit filmik. Joshua Martson e ka shijuar një çmim në Berlinalen e vitit 2004 me “Maria full of grace”, si dhe çmimin e publikut në Sundance Film Festival. Në edicionin e sivjetmë të festivalit të Berlinit, në kuadër të kategorisë Forum, do të shfaqet edhe filmi “Amnistia”, i regjisorit të ri shqiptar Bujar Alimani. Filmi shqiptar është përzgjedhur të shfaqet në kategorinë “Forumi Ndërkombëtar”.