“Eagle Mobile”: Arsimi, prioritet për 2011-ën
Arsimi do të jetë kryefjala e projekteve sociale të “Eagle Mobile” për vitin 2011. Për të shpalosur këtë projekt, kompania “Eagle” ka zgjedhur ambientet e shkollës së re 9-vjeçare në Laprakë, ku ka çelur kalendarin e aktiviteteve nën sloganin “Dorë për dorë me arsimin”. Në kuadër të këtij projekti, “Eagle Mobile” ka menduar që të pasurojë bibliotekën e shkollës, duke dhuruar mbi 500 libra (100 tituj të ndryshëm), për të hapur një dritare më shumë drejt dijes dhe kulturës. Në këtë ceremoni dhurimi kanë qenë të pranishëm ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj; drejtori i përgjithshëm i “Eagle Mobile”; Ali Taskin; si dhe drejtues të tjerë të Drejtorisë Arsimore të Tiranës dhe kompanisë “Eagle Mobile”. “Ky do të jetë viti i arsimit për ne. Do të jetë kryefjala e projekteve tona sociale. Ky është vetëm projekti i parë në këtë drejtim. Ne kemi tashmë një kalendar të caktuar për vitin 2011. Jam i lumtur që në këtë rrugë kemi edhe mbështetjen e Ministrisë së Arsimit dhe personalisht të ministrit Tafaj”, - tha Taskin.