"Faljet", PS: Po shkelen kompetencat e Presidentit
Alibeaj - Ligorit: Po deshe mund të flasim veç dhe ta tregoj ndryshe. Ligori: Mbylle gojën se s'ke mbushur ditët
PD dhe PS nuk bien dakord për nenin 5 dhe 7 të projektligjit, ku trajtohen veprat penale që nuk duhet të falen
Diskutimi i projektligjit "Për faljet" nga komisioni i Ligjeve ka degjeneruar dje në një debat të ashpër, ku nuk kanë munguar as kërcënimet apo fyerjet personale mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.
Shkak janë bërë pikërisht mosmarrëveshjet që kishin palët lidhur me një sërë nenesh të këtij drafti, ku natyrisht preken veprat penale që duhet të përjashtohen nga e drejta e faljes, si dhe shmangia e institucionit të Presidentit të Republikës nga ky proces me ndryshimin e destinacionit të dorëzimit të kërkesës për falje tek Ministri i Drejtësisë.
Pavarësisht se çështjet e trajtuara kishin karakter teknik, palët për shkak të mungesës së një mirëkuptimi mbi pikat e debatuara, janë acaruar së tepërmi duke tensionuar dhe situatën në Komision. Kulmi ka arritur në momentin e miratimit të amendamentit të disa deputetëve socialistë për të hequr nga lista e subjekteve që mund të përfitojnë falje, personat juridikë.
Kështu, lëshimi që bëri pjesa dërmuese e mazhorancës në këtë drejtim nuk ka kënaqur gjithë deputetët e djathtë, të cilët veçse kanë votuar kundër këtij amendamenti, kanë argumentuar edhe votën e tyre, duke ironizuar deputetët e majtë për mosnjohje juridike. "Jam kundër këtij amendamenti. Personat juridikë, sipas Kodit Penal të votuar nga të majtë e të djathtë marrin masa penale.
Do kishte pabarazi nëse përjashtohen. Nëse nuk e kuptojnë se çdo të thotë person juridik, kjo është histori jopolitike, është më tepër juridike", - tha Alibeaj. Kjo deklaratë e Alibeajt ka nxitur reagimin e përfaqësuesve të majtë, të cilët e kanë akuzuar atë për fyerje. "Nuk është normale ironia e tij, nuk e kuptojnë thotë tani. Lere tani çfarë është kjo", - u shpreh deputeti socialist Bashkim Fino në ndërhyrjen e vet.
Por, ky debat nuk ka mjaftuar me kaq, pasi pa mikrofon Alibeaj nuk ka nguruar të kërcënojë deputetët socialistë, se debatin e nisur mund ta përfundonin diku tjetër. Thuajse e njëjta klimë ka shoqëruar edhe pjesën tjetër të mbledhjes, veçanërisht në momentin e diskutimit të nenit 5, i cili përcakton listën e veprave penale që nuk duhet të përfitojnë nga falja që bën presidenti.
Në pamundësi për të gjetur konsensus për të pranuar amendamentet e opozitës për të shtuar një sërë veprash penale si kur personi është dënuar për genocid, krime kundër njerëzimit, krime lufte, vrasje me paramendim, vrasje në rrethana të tjera cilësuese, marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç, rrëmbim ose mbajtje peng e personit, trafikim i personave, shfrytëzim i prostitucionit në rrethana rënduese, trafikim i femrave, trafikim i të miturve, vjedhja me pasojë vdekje, dorëzim i territorit, dorëzim i forcave të armatosura, atentat, vepra me qëllime terroriste, financim i terrorizmit, organizata terroriste, banda e armatosur, trafikim i narkotikëve, organizim dhe drejtim i organizatave kriminale, kreu i komisionit, Ilir Rusmali, ka propozuar që të hiqet fare germa "d" e këtij neni, ku dhe përcaktohen kriteret ndaluese.
Por, një propozim i tillë nuk është pranuar nga opozita, e cila ka këmbëngulur se në vendin tonë për një afat të pacaktuar nuk mund të jepet falje për këto vepra penale. Ndërkohë, një pikë tjetër e nxehtë që ka sjellë jo pak debate ka qenë edhe neni 7 i projektligjit ku trajtohet paraqitja dhe trajtimi i kërkesës për falje.
Sipas socialistëve, kërkesa duhet t'i paraqitet presidentit, si institucioni kushtetues që ka të drejtën e faljes dhe ky të jetë ai që ia përcjell Ministrisë së Drejtësisë për të përgatitur dosjet respektive.
Por deputetët e djathtë e kanë kundërshtuar një propozim të tillë, duke propozuar si zgjidhje kompromisi që kërkesa t'i drejtohet presidentit, por ajo të depozitohet në Ministrinë e Drejtësisë. Kjo, sipas tyre, është edhe në praktikën italiane, ndaj do ishte e udhës që të zbatohej dhe në vendin tonë.
Por një zgjidhje e tillë nuk ka gjetur konsensusin e socialistëve, të cilët kanë vlerësuar se në këtë mënyrë procesi i faljes politizohet, ndërsa presidentit i merren kompetencat që ia jep Kushtetuta.
Debati në Komisionin e Ligjeve
Majko: Kjo është logjikë politike, por edhe profesionale. Janë përjashtuar nga falja veprat penale të genocidit, të krimeve të luftës apo krime kundër njerëzit. Ne në propozimet tona kemi bërë një trajtim më të gjerë të këtyre veprave dhe këto i kemi paraqitur me anë të amendamenteve. Këtu ne kërkojmë mirëkuptim, në të kundërt kjo do të kondicionojë votën tonë.
Rusmali: Nëse hiqet fare germa d e nenit 5, ju jeni prapë kundër?
Majko: Po.
Tahiri: Nuk ka më kuptim që ta zgjasim këtë debat, nëse nuk jeni dakord me propozimin tonë, atëherë rrëzoheni me votë.
Rusmali: Nuk është se një pjesë këtu në këtë sallë janë pro këtyre formave të krimit dhe një pjesë kundër. Nuk është një pjesë kundër vrasjeve dhe një pjesë pro tyre, nuk është se është një pjesë pro prostitucionit dhe një pjesë kundër. Jo, ne jemi të gjithë kundër këtyre. Nëse ju nuk jeni dakord me këtë propozim, atëherë t'i themi përfaqësueses së Ministrisë së Drejtësisë t'i çojë një sms ministrit dhe të na thotë se ç'duhet të bëjmë.
Subashi: Nuk e kuptoj këtë lloj këmbëngulje tuaj që kërkoni të na imponohemi. E kemi thënë dhe një ditë më parë se për sa i përket thelbit të nenit 5, ne nuk bëjmë asnjë kompromis. Ne i qëndrojmë asaj që kemi thënë se për një sërë veprash penale nuk mund të bëhet falje, të paktën për një kohë të caktuar deri sa Shqipëria të arrijë një stad tjetër.
Rusmali: Nuk nxirret dhjam nga pleshti. Asnjë nga deputetët e djathtë nuk voton kundër kufizimit të dhënies së faljes për këto vepra penale, por ata janë për të mos shkelur Kushtetutën. Prandaj, më mirë e shtyjmë votimin e nenit 5 dhe vazhdojmë me diskutimin e neneve të tjera.
Felaj: Na thuaj, ku e përcakton rregullorja këtë që ne të lëmë këtë nen dhe të vazhdojmë me një nen tjetër.
Rusmali: O zonja Felaj, të lutem, sepse nuk kam zbrit kurrë në këto nivele diskutimi.
Felaj: Më thuaj, ku e përcakton rregullorja këtë procedurë.
Rusmali: Lexo rregulloren nga neni i parë deri në të fundit dhe pasi ta kesh lexuar tre here hajde të ta tregoj. Por, ti me përtacinë tënde t'i thuash kryetarit të Kuvendit më refero tek neni i rregullores, rregullorja është dokumenti jot, jo imi.
Majko: Ça është kjo sms që thua, si more një komision i tërë të presë sms e ministrit. Kjo është e turpshme.
Fino: Ku është në rregullore që një komision i nderuar, 27 veta këtu të presin një gjysmë ore sms e ministrit. Në asnjë dokument nuk është parë kjo. Nëse doni të konsultoheni ndërpriteni mbledhjen gjysmë ore dhe ne vijmë prapë.
Xhaferllari: Për sa i përket personave juridikë, legjislacionet ne mund të pranojmë që ata të hiqen nga lista e personave që falen.
Alibeaj: Jam kundër personave juridikë, sipas Kodit Penal të votuar nga të majtë e të djathtë marrin masa penale. Do kishte pabarazi nëse përjashtohen. Nëse nuk e kuptojnë se çdo të thotë person juridik, kjo është histori jopolitike është më tepër juridike.
Ligori: Lere tani nuk e kuptojmë, na bën dhe injorantë.
Alibeaj: Shegë më qafsh, prit më dëgjo ta çoj deri në fund.
Ligori: Po qe për ty, unë të qaj.
Fino: Nuk është normale, ironia e tij, nuk e kuptojnë thotë tani. Lere tani, çfarë është kjo.
Alibeaj: Meqë është një komision ligjesh me 27 juristë...
Fino: Unë e thashë performancë e madhe, por aman mos fyej.
Alibeaj: Performancë e madhe. Besoj se për simetri logjike dhe juridike nuk kemi pse të kemi komplekse inferioriteti se 2 po 3 vende nuk e kanë dhe 3 apo 4 të tjera e kanë. Në fund të fundit tregon dhe identitet.
Tendenca e personave juridikë është së fundmi e artikuluar, madje dhe e rekomanduar. Mos krijojmë pabarazi të falim personat fizikë dhe mos falim personat juridikë.
Ligori: Bën ironi, po kujt i bën ironi, hajde ta shikojmë. Mbylle gojën se si ke mbushur ditët ti, shut ap.
Alibeaj: Shegë po deshe mund të flasim veç dhe ta tregoj unë ty ndryshe.
Fino: O Alibeaj, je goxha burrë, si i thua një gruaje do tregoj ndryshe.
Ligori-Alibeajt: Mua më flet ashtu ti. U bëre ti fshatar. Mbylle aty se ke gjet njeriun e gabuar.
Halimi: Sipas Kodit të procedurës italiane kërkesa për falje i drejtohet Presidentit të Republikës, por i paraqitet Ministrit të Drejtësisë. Ndaj, kjo mund të ishte një mundësi për kompromis.
Ligori: Kërkesa për falje i drejtohet presidentit dhe kjo është kushtetuese, por pse duhet t'i shkojë ministrit kjo. Kërkesa mund t'i drejtohet Presidentit dhe një kopje mund t'i çohet për dijeni dhe Ministrit për të filluar procedurën e bërjes së dosjes. Kjo do ta largonte procesin nga politika dhe nuk do cenonte Kushtetutën.
Tahiri: Duam të besojmë se dhe ju nuk e keni vullnetin për t'i kafshuar kompetencat kushtetuese presidentit të republikës. Do binim dakord me propozimin, por në fakt është një propozim që bëjmë ne dje që kërkesa t'i drejtohet presidentit të republikës, destinacioni fillestar real të jetë presidenti i republikës dhe për dojeni të jetë ministri i Drejtësisë dhe zyra e presidentit vë në lëvizje makinerinë administrative, ministrin e Drejtësisë në rastin konkret.
Rusmali: Është e vërtetë që ministri i Drejtësisë është pjesë e politikës, por nuk është aspak e vërtetë që presidenti është astronaut. Është pjesë e politikës, disa shkallë më lart se ministri i Drejtësisë. Argumenti juaj që ministri është politik dhe presidenti është administratë burgjesh na rrëzon totalisht amendamentin tuaj për moratoriumin 3-mujor.