Grupi i PS: S'ka konsensus pa hapur kutitë
Socialistët vendosën votimin kundër ndryshimit të rregullores së Kuvendit të propozuar nga deputetët e mazhorancës
Kreu i grupit, Ruçi, sqaron në mbledhje qëndrimin e PS për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar
TIRANË - Grupi Parlamentar Socialist vendosi dje votimin kundër ndryshimit të rregullores së Kuvendit të propozuar nga deputetët e mazhorancës, por dhe mosdhënien e konsensusit për ligjet që kërkojnë shumicë të cilësuar deri në bërjen e transparencës së zgjedhjeve.
Në mbledhjen e djeshme të zhvilluar në orën 12:00 në ambientet e selisë rozë, deputetët socialistë diskutuan mbi qëndrimin që do të mbajnë ditën e sotme, por edhe në vijim.
Burime nga grupi Parlamentar Socialist bëjnë të ditur se në fjalën e mbajtur përpara deputetëve, kreu i Grupit, Gramoz Ruçi, është shprehur për votimin kundër ndryshimeve të reja në rregulloren e Kuvendit, duke i cilësuar si të njëanshme dhe të papranueshme.
Nga ana tjetër, duke sqaruar qëndrimin që do të mbajë në ditët në vijim grupit Parlamentar Socialiste, Ruçi tha se edhe për ligjet e tjera që do të kërkojnë shumicë të cilësuar nuk do të ketë një konsensus nga socialistët pa u krijuar klima e nevojshme për një gjë të tillë.
Kjo do të thotë, siç mësohet të jetë shprehur ai, pa hetimin e zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit, përmes hapjes së kutive të votimit nuk do të ketë një votë pro ndryshimeve të ligjeve që kërkojnë 84 vota.
Gjithashtu, në mbledhjen që zgjati përreth 30 minuta, është diskutuar edhe mbi qëndrimin që do të shprehin deputetët socialistë në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Shqipërisë.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur se fjalimet e deputetëve do të fokusohen mbi apelin për domosdoshmërinë e transparencës së zgjedhjeve, duke u mbështetur gjithashtu edhe ne deklaratën e përbashkët të ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian të pak ditëve më parë.
Lidhur me zhvillim e mbledhjes së grupit Parlamentar Socialiste ka pasur edhe një njoftim për mediat nga selia e shtypit e PS, e cila bëri të ditur se "deputetët diskutuan me shqetësim mbi qëndrimin refraktar dhe bllokues të mazhorancës për zgjidhjen e krizës politike, institucionale e ekonomike".
"Në mbledhjen e grupit të deputetëve socialistë u diskutua edhe për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit të propozuara nga mazhoranca parlamentare, të cilat do të paraqiten për votim në seancën e ditës së sotme", thuhet në njoftimin e zyrës së shtypit të PS.
Më tej, sqarohet se grupi socialist vlerësoi se këto ndryshime të ndërmarra në mënyrë të njëanshme bien ndesh me praktikat më të mira parlamentare europiane të rregulloreve të funksionimit të parlamenteve.
***********************
Dade: PS e pranoi draftin, Berisha të japë "OK"
TIRANË - Sekretarja për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Partinë Socialiste, Arta Dade, deklaroi dje se socialistët janë shprehur prej më se një muaji që janë dakord me draftin, i cili ka qenë edhe në duart e politikës, por duhet që Kryeministri Berisha të japë "OK" për të.
Dade bëri të ditur se drafti i propozuar nga ndërkombëtarët ka qenë edhe në duart e ekspertëve të secilës parti. Madje, këta ekspertë janë takuar disa herë me njëri-tjetrin dhe kanë diskutuar mbi zgjidhjen e ofruar nga ndërkombëtarët.
Ajo shprehu keqardhjen që tashmë është e ndërgjegjësuar klasa politike edhe brenda BE që opozita e ka bërë pjesën e vet të kontributit në funksion të zgjidhjes së krizës, siç është rasti i kompromiseve të ofruara.
"Ne kemi ardhur tanimë në një limit, i cili është i përputhshëm edhe me opsionet që ofron vetë BE, pra partnerët tanë euroatlantik, të mbështetur edhe nga SHBA dhe i takon Sali Berishës që të japë 'OK' dhe të mos i çojë gjërat përtej caqeve, për të cilat përgjegjës do të jetë vetë ai", apeloi Dade.
Nga ana tjetër, deputetja socialiste shprehu keqardhjen që "zoti Berisha si një politikan me përvojë ka të qartë dhe di të lexojë mesazhet që vijnë në mënyrë të veçantë nga partnerët euroatlantik".
Për të, kreu i mazhorancës qëllimisht e deformon mesazhin. "Mesazhi është i qartë dhe sigurisht nëse klasa politike nuk do të arrijë kompromiset e nevojshme, mbi bazën e të cilave varet edhe ecuria e mëtejshme e axhendës europiane të Shqipërisë, sikurse janë shprehur personalitetet e PE, organizëm i cili tashmë ka një diapazon më të madh dhe më të fuqishëm brenda BE", deklaroi Dade.
Më tej, sekretarja socialiste bëri të ditur se së bashku me kryesocialistin do të nisen më datë 20 në SHBA, ku do të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit të Internacionales Socialiste, në Nju Jork, tek ndërtesa e OKB. Socialistët do ta shfrytëzojnë këtë takim për të bërë lobin në lidhje me zgjidhjen e krizës dhe për të ndërgjegjësuar faktorin ndërkombëtar për kërkesat e opozitës.