Daul dhe Schulz: Keqardhje për dështimin e konsensusit
Dështon nisma e Parlamentit Evropian për zgjidhjen e krizës politike
"Kapërcimi i ngërçit politik është vendimtar për integrimin në BE"
BRUSKEL-Refuzimi nga mazhoranca qeverisëse e draftit të Parlamentit Evropian, duke lënë pezull zgjidhjen e situatës politike me opozitën, ka sjellë edhe reagimin e ashpër të dy krerëve të grupeve politike kryesore evropiane në PE, Xhozef Daul dhe Martin Schulz, për dështimin e propozimit të tyre.
Të dy drejtuesit e partive politike evropiane, përmes një deklarate shprehin keqardhjen e tyre që shumica dhe opozita nuk mundën të gjejnë një marrëveshje politike bazuar mbi draftin e PE-së. Në këtë mënyrë, ata kërkojnë zgjidhjen sa më parë të krizës politike, pasi në të kundërt pasojat do të bien mbi procesin e integrimit të vendit.
Në deklaratë qartësohet se, edhe pse janë zhvilluar negociata dhe bisedime në Strasburg, Tiranë dhe Bruksel duke përfshirë këtu edhe ekipet këshilluese për të shqyrtuar qëndrimet respektive të palëve politike shqiptare, Schulz dhe Daul theksojnë keqardhje për mosarritjen një akordi midis mazhorancës dhe opozitës.
Moszgjidhja e krizës politike deri më tani nga pozita dhe opozita, sipas drejtuesve të grupeve politike në PE, ka bërë që të mos ndërmerret asnjë hap edhe për përmbushjen e aspiratës evropiane të Shqipërisë.
"Në emër të grupeve tona politike, një nismë e lehtësimi u ndërmor që më 20 maj 2010 për të ndihmuar qeverinë shqiptare dhe opozitën, për të kapërcyer dallimet e tyre politike pas zgjedhjeve të përgjithshme shqiptare, të 28 qershorit 2009.
Kjo iniciativë është përkrahur nga ana e Përfaqësuesit të Lartë dhe nga Komisionari Fyle. Në biseda të hapura në Strasburg, Tiranë dhe Bruksel, përfaqësues të dy palëve janë takuar me një ekip këshillues dhe kanë hulumtuar pikëpamjet dhe qëndrimet e secilës palë.
Ne ndiejmë sinqerisht keqardhje që qeveria shqiptare dhe opozita nuk mund të kapërcejnë mosmarrëveshjet e tyre dhe për këtë arsye, nuk kanë qenë në gjendje të ndërmarrin hapa të mëtejshme e të nevojshme drejt përmbushjes së ambicies evropiane të vendit",- thuhet në deklaratë.
Duke iu referuar edhe qëndrimit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian të mbledhur pak ditë më parë në Luksemburg, Daul dhe Schulz specifikojnë se mazhoranca dhe opozita duhet të zgjidhin situatën politike, duke respektuar Kushtetutën dhe duke iu përmbajtur transparencës.
Ata i kërkojnë opozitës që të qëndrojë në Parlament për të vazhduar aksionin e saj politik dhe për të kryer reformat e nevojshme në sistemin zgjedhor. "Ne theksojmë - së bashku me Këshillin - që është përgjegjësi e Qeverisë së Shqipërisë së bashku me opozitën për të gjetur menjëherë, në mënyrë transparente dhe në respektim të plotë të Kushtetutës shqiptare, zgjidhjen e ngërçit aktual politik si dhe gjetjen e rrugëve për të ecur përpara, të cilat janë të nevojshme për vendin në udhën e vet.
Ne i kërkojmë opozitës shqiptare që të qëndrojë në Parlament për të vazhduar punën e tyre. Në të njëjtën kohë, ne presim prej qeverisë që të punojë së bashku me opozitën me qëllim që të reformojë sistemin zgjedhor dhe procedurat parlamentare",- shprehen përfaqësuesit e PE-së.
Pavarësisht faktit se mazhoranca dhe opozita nuk kanë bërë asnjë hap drejt përforcimit të procesit të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian, përfaqësuesit e partive kryesore evropiane në Parlamentin Evropian vënë në dukje se do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë në rrugën e saj drejt integrimit.
Por, sipas tyre, ky proces duhet të realizohet mbi bazën e kritereve të Kopenhagenit, që eventualisht kërkon plotësimin e kriterit politik përmes zgjidhjes së krizës.
Për këtë arsye, dy liderët e Partive Popullore Evropiane dhe Partive Socialdemokratëve Evropianë, i bëjnë thirrje krerëve të forcave politike shqiptare që të zgjidhin sa më shpejt të jetë e mundur krizën politike, pasi sipas tyre, nga kjo varet edhe integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
"Ne do të vazhdojmë të mbështesim Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Evropian, mbi bazën e kritereve të Kopenhagenit si dhe kritereve të përcaktuara nga konkluzionet e dhjetor 2006 të Këshillit Europian pas rinovimit me konsensus të zgjerimit.
Në këtë kontekst, ne shpresojmë që udhëheqja politike shqiptare, e kupton mirë se tejkalimi i kundërshtimeve aktuale politike është vendimtar për ecurinë e integrimit evropian të vendit dhe për promovimin e aspiratave evropiane të qytetarëve shqiptarë",- theksojnë më tej në deklaratën e tyre Daul dhe Schulz.
Ky është apeli i dytë në formë të prerë, adresuar liderëve politikë shqiptarë për zgjidhjen e krizës politike, pas thirrjes së Këshillit të Ministrave të Jashtëm pak ditë më parë në Luksemburg, ndërkohë që forcat politike ende nuk po arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët për t'i dhënë fund krizës politike 1-vjeçare.