E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drita zotëron Gjilanin

Drita e ka fituar derbin ‘El Anamorava’ përballë rivalit të përbetuar, Gjilani, 1:0. Në një atmosfere të shkëlqyeshme, të krijuar nga ‘Skifterat’ dhe ‘Intelektualët’, ekipi bardhekaltër konfirmoi se është kandidat serioz për titull. Besa ia ka shkaktuar Vëllaznimit humbjen e parë këtë sezon, derisa Trepça e ka thelluar edhe më shumë krizën e Hysit. Kurse Lepenci nuk di për fitore në shtëpi.

Drita nuk ka të ndalur. Bardhekaltrit të mërkurën kanë shënuar fitore me rezultat minimal 0:1 në super-derbin më të madh të futbollit kosovar ndaj rivalit të përbetuar, Gjilanit - në kuadër të xhiros së nëntë të Superligës.

Ashtu siç është pritur, stadiumi i këtij qyteti ishte i vogël për t’i zënë të gjithë ‘Skifterët’ e ‘Intelektualët’, të cilët në super-derbin ‘El Anamorava’ krijuan atmosferë të atillë që rrallë herë shihet nëpër stadiumet e Kosovës. Por, në fund ‘Intelektualët’ ishin ata që u hodhën në festë, pasi skuadra e tyre, Drita me meritë shënoi fitore.

Në fakt, gjatë pjesës së parë bardhekaltrit dominuan pak më tepër në posedim të topit, ndonëse edhe ekipi vjollcë ishte mjaft i motivuar. Ekipet krijuan shumë pak raste të mira shënimi gjatë kësaj pjesë-loje, por në të cilën u vendos fituesi i këtij dueli. Hero i Dritës ishte Labinot Jetullahu, i cili në minutën e 43-të shënoi super-golin e vetëm në këtë ndeshje, i cili në fund edhe ia solli tri pikë të reja ekipit të tij.

Mirëpo, Drita prej minutës së 59-të ka luajtur me një lojtar më pak, pasi gjyqtari me karton të kuq e ndëshkoi Armend Kastratin, vendim ky i cili shkaktoi një rrëmujë mes futbollistëve në fushë.

Në vazhdim të ndeshjes, ekipi i Muharrem Sahitit mundohej ta shfrytëzonte epërsinë numerike të futbollistëve në fushë për ta barazuar rezultatin, por megjithatë nuk ia doli, pavarësisht se krijoi disa raste mjaft të mira shënimi. Shansin më të mirë e ka humbur Ismet Ramushi, i cili në minutën e 87-të gjuajti mirë me kokë, por topi qëlloi tërthorësen.

Kurse gjatë kësaj pjesë-loje, Drita përpiqej ta shënonte golin e dytë nëpërmjet kundërsulmeve të rrezikshme, derisa rastin më të mirë e ka humbur Florent Osmani, i cili në minutat shtesë qëlloi shtyllën dhe kështu ndeshja përfundoi, derisa ‘Intelektualët’ marshuan nëpër qytet për të festuar.

Lepenci – Trepça ’89 1:1

Lepenci e ka shijuar pikën e parë në Kaçanik, pasi barazoi me Trepçën ’89. Kuqezinjtë e kanë shënuar golin e avantazhit në minutën e 53-të me anë të Shpend Belës. Kurse një pikë ekipit mitrovicas ia siguroi Ibrahim Peci, i cili shënoi në minutën e fundit nga penalltia.

Besa – Vëllaznimi 1:0

Besa e ka fituar derbin e Rrafshit të Dukagjinit pasi e mposhti Vëllaznimin me rezultat minimal. Goli i skuadrës pejane është shënuar në fund të ndeshjes, përkatësisht në minutën e 84-t nga i riu Kushtrim Gashi.

Në pjesën e parë, skuadrat kanë pasur rastet e tyre, por pa sukses. Vëllaznimi rrezikoi me Ylber Myrtën, kurse Besa me Egzon Gashin.

Trepça – Hysi 3:0

Kampioni aktual i Kosovës, Hysi, vazhdon të çalojë. Skuadra llapjane është dorëzuar përpara Trepçës në Mitrovicë. Berat Hyseni i ka kaluar vendësit në epërsi në minutën e 12-të, kurse Leart Emini në minutën e 32-të e shtoi epërsinë e ‘Xehetarëve’. Ndërkaq, golin e tretë, i cili i dha vulë këtij takimi, e realizoi Bashkim Shala në fund të takimit.

KEK-u – Drenica 3:1

KEK-u ka shënuar fitore të vlefshme në shtëpi për t’i ikur fundit të tabelës. Skuadra nga Kastrioti e mposhti Drenicën me meritë. Argjend Malaj i ka kaluar vendësit në epërsi në minutën e 18-të, ndërsa Mirsad Bajrami i dyfishoi shifrat në minutën e 34-t. Ndërsa në pjesën e dytë, Bardhyl Kaçiu nga penalltia e ka ngushtuar rezultatin, por Malaj doli sërish në skenë në fund të ndeshjes për t’ia dhuruar tri pikë të reja ‘Elektricistëve’.

Tabela

1. Prishtina - 20

2. Drita - 19

3. Vëllaznimi - 16

4. Trepça ’89 - 15

5. Trepça - 14

6. Hysi - 11

7. Drenica - 10

8. Lepenci - 10

9. Besa - 10

10. KEK-u - 10

11. Gjilani - 7

12. Liria - 6

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›