Falsifikimi i politikave bujqësore të dështuara
Nga Illo Foto
Ky material që paraqes nuk ka karakter informimi gazetaresk, se sa është një denoncim për dëmin ekonomik që i është shkaktuar fshatarësisë shqiptare në këto vite të tranzicionit. Në 23 vite tranzicion modeli Berisha ka qenë hegjemon në të tërë jetën bujqësore shqiptare. Ku qëndron homogjeniteti? Qeveria socialiste, ka ministruar me Lufter Xhuvelin dhe Agron Dukën, që nuk u bënë berishistë brenda ditës, por i përkasin ideologjikisht këtij modeli. Nën modelin Berisha, bujqësia as nuk u zhvillua dhe as nuk shënoi stanjacion, por u degradua. Pse dhe si?
Prodhimi i përgjithshëm bujqësor i vitit 2012 dhe ai i pritshmi 2013, rezultojnë rreth 3 herë më pak se 1990. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur me homologët e Berishës në historinë 100 vjeçare të shtetit. Ismail bej Vlora dhe Zogu, bujqësinë e zhvilluan me prioritet dhe e dorëzuan me nivel, më të lartë se sa e gjetën. Enver Hoxha, përjashtimisht nga politikat izolues, e zhvilloi në mënyrë prioratire bujqësinë dhe e dorëzoi në 1990 me një prodhim bujqësor disa herë më të madh, duke dyfishuar tokën nën kulturë dhe duke arritur ujitjen 60 %, që është standard i lakmuar nga shtetet me bujqësi të zhvilluar.
Gjëja e parë që bëri modeli Berisha qysh përpara se të vinte në pushtet, shkatërroi veprat monumentale bujqësore që kishte ngritur populli shqiptar, me djersën dhe gjakun e vet nën drejtimin e bijve të tij më të mirë. U shkatërrua komplet rrjeti kullues dhe niveli ujitjes, nga 60 % zbriti në 30 % dhe kaq mbeti. U prenë të tërë pyjet për qëllime krejt komerciale dhe korruptive. Pyjet janë për tu prerë, por u prenë pa kriter dhe se nuk u zëvendësua asgjë nga ajo që u zhduk.
Në këto 23 vite, bujqësia u rrudh, duke marrë pamjen e bujqësisë kopshtare. Importi i ushqimeve arriti një miliard dollar në vit. Ky import nuk duhet të ndodhte, kur në 1990 bujqësia siguronte të tërë ushqimin e popullsisë dhe popullsia ishte një milion frymë më shumë që pas 1990, janë në emigracion. Modeli Berisha konsiderohet totalisht i dështuar në bujqësi dhe në zhvillimin mjedisor. Shifrat e më sipërme e dëshmojnë këtë realitet dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë sektor tjetër ku dështimi të jetë kaq i dukshëm. Mund të parashtroheshin shumë shifra dhe fakte të tjera, por do ta mbyllim vetëm me një: Në çdo vit, të kësaj periudhe 23 vjeçare, mbeten pa punuar 25 -28 % e tokës arë. Tokën djerr bujku shqiptar e lë vetëm, kur vdes vetë aksidentalisht, ose kur i ngordhin të dy qetë, brenda ditës.
Sipas traditës fshatare, bujku gjithnjë e vlerëson dëmin që i shkaktohet prodhimit bujqësor. Kur një kafshë futet në arë dhe shkatërron të mbjellat, çmuesit që njihen nga kanuni dhe nga ligji, çmojnë dëmin dhe e paguan i zoti i kafshës që ka kryer bastisjen. Një bastisje e ngjashme ka ndodhur në bujqësinë shqiptare. Unë jam ekspert i fushës, në rolin tradicional të çmuesit të dëmit. Po ju parashtroj vlerën e faturës së dëmit bujqësor që u shkaktua këto 23 vjet. Vetë shtetarët duhet ta kërkoni vlerësimin teknik të punës së tyre, sepse nuk keni administruar çifligun e babait. Në vlerësimin tim, nuk përfshihet dëmi ekonomik që është shkaktuar në pasuritë pyjore, ujore dhe kullosore.
Shuma totale e faturës së dëmit bujqësor është rreth 30 miliard dollarë, natyrisht jo më pak, duke përfshirë dhe ato pak investime gjysmake të periudhës në raportim. Në këtë shumë, 7 miliard $ është vlera e rrjetit inxhinierik dhe 23 miliard $ është vlera e ushqimeve të importuara, sepse është lënë toka djerr.
A e njihte Berisha dhe bashkëpunëtorët e tij këtë situatë katastrofike të bujqësisë? E njihte shumë mirë dhe mori të tëra masat, për ta fshehur këtë gjendje, përpara mediave, ndërkombëtarëve dhe mbase edhe përpara vetë Partisë Demokratike. Çfarë bëri për ta fshehur gjendjen? Shifrat që lidhen me prodhim drithi, me rendiment kulturash dhe me gjendjen e tokës i hoqi nga raportimet e të tërave strukturave. Ministri, kryeministri, funksionarët, nuk e përmendnin kurrë tokën djerr, as drithin, as rendimentet. Kosova arriti rezultate të shkëlqyera për kulturën e grurit dhe për zhvillimin bujqësor në tërësi. Ky lajm gazmor dhe domethënës kaloi heshtazi.
Fshehja e shifrave dhe e tërë realitetit bujqësor u bë metodë pune e të tërë piramidës shtetërore. Raportohej për serra, frutikulturë, eksporte, agrobiznese, por nuk përmendeshin shifrat për tokën dhe drithrat që janë përcaktuese për një bujqësi reale. Raportet ministrore e paraqisnin fshatin e lulëzuar dhe bujqësinë në majat më të larta. Gjendja reale ishte krejt ndryshe. Nuk mbaj mend ndonjë gazetar të bënte pyetjet direkte: Pse mbetet toka djerr dhe pse importojmë një miliard dollar ushqime? Pyetja e gazetarit ka vlerë zyrtare dhe përgjithësuese, por ajo mungonte.
Njerëzit u pajtuan heshtazi me gjendjen që raportonte pushteti. Nuk reaguan as shkencëtarët për këtë mashtrim skandaloz.
Kur u siguruan se u siguruan se mashtrimi i tyre u sanksionua, ekspozuan teorinë e pesëfishimit të ullinjve, mbjellja e arrorëve dhe shegët. Kjo pseudo politikë bujqësore u bë prioritare për shtetin. Kjo politikë bujqësore, pa as një bazë studimore përbën kulmin e një politike absurde të ekonomisë së vendit. Si për injorimin e shifrave edhe për teorinë marramendshe të ullinj-arrorëve, shkencëtarët heshtën. Kundra kësaj politike marroke shkruan në shtyp vetëm profesorët: Mehmet Meta, Ago Nezha, Polo Çakalli, Lush Susaj, Xhevat Shima dhe Xhevdet Bashllari. Të tjera kundërshtime unë nuk kam parë në shtyp.
Unë kam shkruar 13 libra bujqësorë dhe dhjetëra artikuj në shtyp që lexuesit dhe specialistët i kanë vlerësuar për zgjidhjet që ofrojnë. Librat e mi përfaqësojnë një platformë shumë afër me idetë e shprehura në shtyp nga profesorët rebelë që lart citova. Përveç publikimit, librat ua kam dërguar në zyrë të tërë krerëve politikë, në pushtet dhe në opozitë, madje dhe ish ministrit, Agron Duka, që ishte obliguar për të hartuar programin e Qeverisë, që pritej. Ju kërkoja që zgjidhjet që rekomandoja të diskutohen nga një grup specialistësh zyrtarë dhe po qe se i gjejnë me vend, të përfshihen në politikat bujqësore të shtetit. Kërkesës time nuk i është përgjigjur askush deri sot. Unë punoj falas. Ata nuk denjojnë të kryejnë detyrën, për të cilën populli i paguan si jo më mirë.
Ka mbi 70 vite, që politikanët shqiptarë e trajtojnë fshatarësinë si bujkrobe. Komunistët ia rrëmbyen pronën dhe e përdorën si skllav në pronën e saj. Pasardhësit e komunistëve ia deformuan pronën dhe zbatuan politika, që i krijuan dëmin ekonomik që lartpërmenda. Nuk mund të mbeten gjërat varur, siç u bë me krimet e Komunizmit. I lutem prokurorisë, që këtë shkrim ekspertizë ta kthejë në kallëzim penal, për të çuar në gjykatë fajtorët që kanë abuzuar me detyrën shtetërore. Në rolin e kallëzuesit dhe vlerësuesit të dëmit ekonomik, më shtyn ndërgjegjja qytetare, që kam ndaj popullit tim dhe pasurive të tij. Qeveritë nuk kanë gabuar nga paaftësia, por për interesa të ngushta. U bëj thirrje organizatave joqeveritare në atdhe dhe diasporë, të më mbështesin, në këtë nismë humanitare.