E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fama e së keqes

Gjimnazistët në ekspozitën e krimeve të komunizmit. Si u komentohet dhuna në Muzeun Historik Kombëtar, të lindurve pas vitit 1990

Tre shkolla të mesme, duket rastësisht, vizituan dje ekspozitën e krimeve të komunizmit në Muzeun Historik Kombëtar. Nxënësit e viteve të treta e të katërta vinin nga shkollat "Qemal Stafa" të Elbasanit, nga gjuhët e huaja "Asim Vokshi" dhe nga shkolla jopublike "Wisdom" të Tiranës. Holli i muzeut kur prej 18 shkurtit është hapur ekspozita, kishte dje ndonjë lëvizje vizitori tek-tuk.

Nxënësit e mbushën me zëra që me zor u dobësuan edhe kur ciceroni, një grua tek të dyzetat, i drejtoi aty ku nis vizita, tek "kryengritja e parë dhe e dytë antikomuniste në tërë Evropën Lindore", përkatësisht, të Malësisë së Madhe dhe të Postribës.

Ndërtimi i këtij muzeu nuk kishte për qëllim didaktikën por të krijonte efekte emocionale tek publiku, po kjo s'do me thënë që faktet të lihen anash, se ndryshe s'i thonë muze, po muzë.


Kështu, ciceronia pëmblodhi shkurt e shqip se "Postriba" dhe "Malësia e Madhe" ndodhi ngaqë komunistët e provonin tjetrin në vijën e zjarrit: o me ne, o kundra nesh.


Shumë nga të rinjtë e Elbasanit thanë se e vizitonin Muzeun Kombëtar për herë të parë.
E vështirë është t'u mbash ligjërata të rinjve, sidomos për komunizmin, për njërën faqe të tij, atë kriminale e cila në këtë ekspozitë paraqet po ashtu vetëm njërën faqe të shoqërisë shqiptare, të viktimizuarën.


Prandaj një ciceroni i lind për detyrë të ligjërojë në mënyrë objektive, pa emocione dhe pa ngarkesat që i jep kësaj teme gjuha e politikës së ditës, duke u bërë një burim i besueshëm përballë stendës dhe jo dublant i saj.


"Keni dëgjuar për rrathët e ferrit të Dantes?", vazhdon Ciceroni. "Ja, këta janë." Në stendë shkruhet "rrathët e ferrit" për të treguar hartën e burgjeve ku vuajtën të burgosurit politikë dhe objekte të ndërtuara prej tyre.

"Ja kampet e përqendrimit... ja trekëmbëshi, ja qelitë. Atë që Hitleri ia bëri çifutëve, ne ia bëmë vetes. Ky është gjenocidi." Mbyll leximin simbolik gruaja edhe për një faqe muri. Ndërkaq njëri nga mësuesit, që shoqëron nxënësit nga Elbasani, ka mbërthyer dorën në faqe dhe kur e shkul i shfryn koleges një balonë ajri: "Tmerr moj, e kupton."


Duke kaluar në stendën me qindra emra dhe dhjetëra foto, balona e kraharorit të tij nis të fryhet, falë edhe cicerones.


Pret që gruaja të thotë dy fjalë edhe për lirinë, për robërinë e lirisë, sepse ndër ato portrete mes të cilëve nxënësit po mundohen të zgjedhin portretin e zemrës, ndër ata të panjohur që në vitet pesëdhjetë kalonin muaj hetuesi, ka nga ata që veprat u duhen mbajtur mend. Një parakalim pa informacion (dhe pa koment kësaj here) në radhën e portreteve të Jusuf Vrionit, Mitrush Kutelit, Selman Rizës. "Nuk janë vendosur emra për të përgjithësuar të keqen."


Kampe përqendrimi, genocid, ferri i Dantes, komunizmi-djalli në tokë, Enver-Hitler.
Një krahasim i diktaturës, i dhunës dhe i krimeve ky, që nuk përtypet lehtë, për të mos thënë që krahasime si këto se ç'të lënë një shije...


Shqiptarët kanë përvojën e tyre unikale me diktaturën, të pakrahasueshme me modele të frikshme dhune sado të mëdha qofshin si ato të holokaustit, që për fatkeqësinë e përmasës gëzon me të drejtë një solidaritet popullor njerëzor. Krahasime si këto nuk do ta bënin vuajtjen e shqiptarëve më të famshme se të tjetër kujt.


Duket paradoksale. Po për fat të keq guida njohëse si kjo e djeshmja që bën Muzeun Historik Kombëtar e çon orientimin e të rinjve jo tek identifikimi dhe njohja e saktë e ngjarjeve, vendeve, të mbijetuarve, të nënshtruarve, dëshmorëve, heronjve, dëshmitarëve, xhelatëve, satrapëve, ekspertëve, bashkëpunëtorëve etj., por tek mitizimi i dhunës, tek fama e së keqes.


Një 18-vjeçare nga shkolla jopublike "Wisdom" në Tiranë, pas vizitës në ekspozitën e krimeve të komunizmit tha:


"Ishte shumë e këndshme sepse na informonte mbi kohën e Enverit dhe mbi masakrat që janë bërë në atë kohë.

Ku i pe masakrat?


I pashë në emrat që ishin shkrojtur rreth e rrotull murit, tek dokumentarët e ndryshëm që jepeshin në monitorët.


Çfarë ke ditur për atë kohë?


Kam ditur thjesht, me fjalët që më kanë thënë jo prindërit, jo kushërinjtë, kam ditur të gjitha këto që janë këtu. Është bërë një nga masakrat më të mëdha që janë bërë gjatë kohës së komunizmit.


Cila masakër?


Kjo pra, e Shqipërisë. Ka qenë një nga terroret më të mëdha, një nga masakrat më të mëdhaja, me internimet, me gjërat."
Një vajzë e vitit të katërt nga shkolla e mesme "Qemal Stafa" në Elbasan tha:
"Pashë të vrarë, shumë më shumë nga ç'e imagjinoja. Ishte vërtet e tmerrshme.


Çfarë imagjinoje ti?


Imagjinoja shumë më pak. Jo kaq shumë të vrarë, Ishin disa masakra që nuk mendoja të kishin ndodhur në Shqipëri.


Çfarë pe për herë të parë?


Shumë nga ç'dija. Imagjinoja që këto gjëra nuk mund të ndodhnin në Shqipëri, imagjinoja që vetëm në kampet e bëra nga Hitleri mund të bëhej diçka e tillë.


Këtë krahasim e dëgjove sot këtu apo jo?


Jo, thjesht nga vetja ime e bëra këtë krahasim.


Po nga shkolla çfarë di për këtë periudhë të historisë së Shqipërisë?


Jam në profil natyror dhe akoma nuk kemi arritur në këtë pjesë. Ato shoqëroret kanë arritur.


Çfarë di për Enver Hoxhën?


Ka qenë kryetari i Partisë Komuniste dhe tani në këto momente mund ta krahasojmë me Hitlerin e Gjermanisë. Dija shumë të këqija që ka bërë megjithëse tani e kuptova vërtet më mirë se kush ishte.


Po për Gjyqin e Deputetëve, persekutimin e klerit, mbylljen e kishave dhe xhamive.
Po sigurisht që kam dëgjuar.
Ku ke dëgjuar?


Thjesht nga mediat. Në Elbasan, në një fshat aty afër, ka ndodhur e njëjta gjë. Është mbyllur kisha për disa vjet. Ma kanë treguar edhe të afërmit e mi."


Miklovan dhe Nafije Kaloshi, kushërinj, 20-vjeçarë, studentë në Kamëz kanë gjetur në listën e të dënuarve dhe të pushkatuarve, emrin e Elez Isuf Kaloshit:
"Është stërgjyshi ynë. Ka qenë kundër qeverisë komuniste.
Çfarë profesioni ka pasur?


Bujk, nga Dibra, nga fshati Sinë e Poshtme, ka pasë luftu kundër partizanve. E kanë pushkatu. Di që e kanë ndjekur për rreth tre ditë dhe ky i ka përballu, pastaj një ditë ka shku në një vend dhe është fshehur dhe aty e kanë spiunuar këta spiunët e Enverit.
Kush ta ka treguar këtë histori?


Këtë histori ma ka tregu gjyshi, duke ndëgju kështu.
Me të afërmit çfarë ndodhi pastaj.


I mbyllën, nuk i linin të shkonin as te kushërinjtë e vetë, u ngujuan. Aty mbetën në Sinë. Nuk i lenin as që të punonin.


Nafije Kaloshi: I biri i Elezit, gjyshi im, na tregon shumë për historinë, por ne si të rinj nuk i marrim shumë për bazë.

Gjyshi ka ndenjt në mal, e kërkonin, ka vuajtur jashtëzakonisht shumë. Është një periudhë shumë e tmerrshme. Pak a shumë kemi dëgjuar për këto që flitet këtu. Më shumë kemi dëgjuar nga gjyshi, ai flet jashtëzakonisht shumë për atë kohë dhe ka qef të bëjë një libër për të atin dhe për veten."


Kishin shkuar deri në gjysmën e ekspozitës kur ciceronia përballë dy stendave të tjera u shpreh: Në Ambasadën Sovjetike u hodh një bombë. Nuk dihet kush e hodhi, por me pretekstin e bombës u arrestuan dhe u dënuan me vdekje disa intelektualë...

Po për Gjyqin e famshëm të Deputetëve keni dëgjuar?, pyet ajo pa pritur që të marrë përgjigje nga të rinjtë që janë duke përdorur gjithë kohës kamerat e celularëve. "Ja ku janë", këmbëngul ajo në të sajën sikur t'u ritregonte diçka që ata diku e kanë parë, diku e kanë ndjerë e dëgjuar.


Përse është i famshëm gjyqi i deputetëve, çfarë u thotë ky gjyq që qenka i famshëm, të rinjve të lindur në vitet 1990-1991, kohë kur janë regjistruar viktimat e fundit në kufi, të regjimit? Nga cilat burime historike të cilave tekste shkollore informohet kjo gjeneratë për ngjarje si Gjyqi i Deputetëve?


Nga bisedat me këta të rinj vihet re se përveç rrëfimeve gojore, burim me rëndësi për çfarë ka qenë diktatura dhe veprat e saj, është media. Pa dashur, ciceronia u ka folur me gjuhën e medias, mekanizmat e të cilës përpunojnë famën.


Ata vizitorët e rrallë që nxënësit i gjetën aty, po largohen. Janë të vjetër, mbajnë kapele republikë. "Ky me siguri duhet të ketë qenë spiun", thotë një gjimnazist që u cik me brryl me një nga burrat. Ky do të ishte një lexim urban i veglave të diktaturës.


"Forca tërheqëse e komunizmit ishte se ai nuk ofronte asgjë dhe kërkonte gjithçka, duke futur këtu edhe heqjen dorë nga liria shpirtërore", shkruan Ralf Dahrendorf tek "Ese për politikën e lirisë". "Rrugën për të ecur përpara e treguan ata pak individë që nuk ishin vegël e sistemeve totalitare dhe nuk u tunduan kurrë prej tyre."


Shqipëria ka nevojë për një rrëfim sipas mënyrës së saj, të pastër, pa supozime, krahasime. Përvojat e dhunës janë unikale, sepse edhe kur njeriu lindet mes tyre, atij i duhet pak kohë të shkundet, të vijë në tokë, tek natyra, të mendojë dhe të kuptojë se ç'ka gatuar.


Jo dhuna, por interpretimi i saj, jo faktet por interpretimi i fakteve, shto këtu injorimin e dëshmitarëve konseguentë të lirisë së robëruar, asgjësojnë arsyen.

Është arsyeja që na pajis me ide të qartë për natyrën e vërtetë të gjërave, pa qenë nevoja për ligjërata para të rinjve që vërtet po rriten në mirëqenie materiale më të mirë se prindërit shqiptarë, por papunësia është në derë, problemet ekonomike janë aty, pesimizmi prapë aty. Nuk ka kohë.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›