E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një dokumentar për Ndre Mjedën

01/04/2009  “Andrra e jetës”

Jeta e tij tanimë do të vijë e ekranizuar. Gjithçka do të përthyhet sipas ndjesive, kohës kur jetoi dhe vendit, atyre që la të shkruara dhe... ëndrrës. Jo më kot. Edhe kryevepra e tij mbante emrin “Andrra e jetës”. Kështu do të pagëzohet dhe filmi për nder të figurës së dom Ndre Mjedës. Punët për realizimin e filmit dokumentar për poetin dhe gjuhëtarin Mjeda tanimë ka filluar. Nismëtarë për të janë një grup studiuesish nga Shkodra me në krye producentin dom Nikë Ukgjini, autor i pesë filmave dokumentarë.

Me skenar të studiuesit të Mjedës Mentor Quku, regji të Gjovalin Gjonit, filmi gjatë 30 minutave nuk do të përcjellë thjesht frymën dhe fakte si një dokumentar, por do të përvijojë tiparet e një filmi të vërtetë nën lojën e aktorëve. Ndre Mjeda do të vijë i gjallë nën interpretimin e aktorit Tonin Gega, por nuk do të mungojnë as figurantë të tjerë, që do të vijnë në rolin e at Gjergj Fishtës, Mithat Frashërit etj., duke sjellë në ekran edhe ngjarjet e mëdha të kohës dhe të vendit. Filmi do të ndalet në aspekte të veçanta të jetës së Mjedës, si: mbrojtja në Hamburg e çështjes së gjuhës shqipe, zgjedhja deputet në vitet 1920-1924, arrestimi nga ana e Zogut, përkushtimi si famullitar, por edhe jeta e tij si poet. Mjafton të përmendim faktin se Mjeda u ka lënë letrave shqipe disa vepra të rëndësishme krahas “Andrrës së jetës”, si poema “Liria”, “I tretuni”, elegjia “Vaji i bylbylit” etj.

Xhirimet për “Andrrën e jetës” lidhen kryesisht me Shkodrën, vendlindjen dhe vendin ku Ndre Mjeda është rritur, me Mjedën apo fshatrat rreth Vaut të Dejës. Në famullinë e Kuklit, në komunën e Bushatit, ku Mjeda kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij klerikale dhe letrare (1906-1937), mendohet të bëhen xhirimet më interesante dhe kulminante. Këtu qëndron gjithë “trashëgimia” materiale që Mjeda la. Jo thjesht sendet vetjake të një shkrimtari apo famullitari, por ndërtesa të projektuara prej tij.

Kështu, Mjeda shpaloset edhe në një tjetër dimension, pra edhe si arkitekt.

Disa shtëpi në Kukël, ashtu si dhe kisha dhe qela e famullisë, janë të ndërtuara nga vetë ai.

Një pjesë e mirë e xhirimeve do të kryhen edhe jashtë Shqipërisë, aty ku Mjeda ka kryer studimet filozofike dhe teologjike, si në Chatenau des Alleux, pranë Lavalit në Francë, në Kraljevicë të Dalmacisë, ku ka përfunduar studimet filozofike (1887-1877), në Krakova të Polonisë, ku kreu studimet teologjike (1887-1895) etj.

Është planifikuar që xhirimet për filmin të përfundojnë brenda muajit maj.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›