E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrau dhe dogji një shtetas, vihet në pranga

ARRESTIMI/ Policia e Lushnjës ka ndaluar 35-vjeçarin Klodian Premçe, i dënuar edhe më parë për "vjedhje"


LUSHNJË - Pas 3 ditë hetimesh intensive dhe një pune të gjatë policia e Lushnjës ka vënë në pranga autorin e ngjarjes tronditëse në fshatin Gradisht. Arrestimi i autorit të vetëm deri tani është bërë pasditen e së mërkurës teksa ky i fundit tentonte të largohej nga fshati.

Ai rezulton të jetë 35-vjeçari Klodian Premçe, i cili sipas versionit zyrtar të policisë, ka hyrë për të vjedhur dhe më pas ka vrarë kryefamiljarin dhe djegur banesën për të humbur gjurmët.


Ngjarja


Pas arrestimit të autorit të ngjarjes grupi hetimor i policisë së Lushnjes ka riprodhuar edhe një herë ngjarjen. 35-vjeçari, sipas policisë, pasditen e ngjarjes kishte qenë në një lokal me viktimën ku kanë pirë kafe.

Ata mësohet të kenë debatuar me njëri - tjetrin për shkaqe ende të paqarta. 35-vjeçari, i cili ka qenë edhe më parë i dënuar për vjedhje kishte dijeni se Bujari në shtëpi kishte një shumë parash, por që saktësisht nuk dihet ende.

Burime nga grupi hetimor kanë pohuar se bëhet fjalë për 700 euro, ndërsa të tjerë për 6000 euro. Autori ka hyrë në banesë rreth orës 01:15 duke u ngdhirë dita e hënë. Ai ka qenë i armatosur me një armë zjarri tip kallash.

Pasi ka kërkuar gjithandej në banesë për shumën e parave, është pikasur nga kryefamiljari Bujar Krasniqi. Kaq ka mjaftuar. Grabitësi pas tratativës për t'i shpëtuar jo vetëm syrit të të zotit të shtëpisë, por dhe zënies në befasi nga ai, ka shtënë mbi të dy herë. Por nuk është mjaftuar vetëm me kaq, pasi gjurmët e kësaj ngjarjeje kanë qenë në banesë dhe në çdo vend ku ai kishte kërkuar paratë.

Kështu, pas vrasjes së të zotit të shtëpisë ai ka menduar t'i vërë zjarrin banesës për të humbur kështu çdo gjurmë. Pas ngjarjes, autori e ka hedhur armën e krimit në një kanal të fshatit për të qenë i zhveshur nga dyshimet.


Arrestimi


Në të gjitha akset hyrëse dhe dalëse të qytetit të Lushnjës, si dhe të fshatit Gradishtë dhe atyre përreth tij janë vendosur postblloqe me qëllim kontrollin e lëvizjeve të dyshimta të bashkëfshatarëve të viktimës.

Ndërkohë, paralel me këto kontrolle në fshat vijonte një tjetër kontroll me rreze më të ngushtë veprimi për autorin. Një grup i posaçëm i policisë kanë qëndruar në pyjet pranë fshatit ndërsa civilët kanë këqyrur gjithë ceremoninë e varrimit, si dhe vizitat për ngushëllime të të afërmve apo të fqinjëve. Policia gjatë këtyre ditëve ka shoqëruar në ambjentet e komisariatit shumë bashkëfshatarë dhe miq e shok të viktimës.

Këta të fundit mësohet të kenë dhënë dyshimet e tyre rreth ngjarjes. Një fakt tjetër që ka çuar në arrestimin e Premçes ka qenë edhe fakti se i riu kishte qenë i dënuar edhe më parë për veprën penale të vjedhjes, ndërsa bashkëfshatarët kanë treguar se gjahu i tij ishin emigrantët e kthyer në atdhe.

Dje ai është gjetur në një pjesë periferike të fshatit të tij në tentativë largimi, por nuk ka rezistuar duke iu bindur fjalëve të policisë. Deri tani vetë autori nuk ka pranuar të flasë, por as nuk i ka kundërshtuar akuzat.


Akuza


Zyrtarisht, nga ana e policisë u bë e ditur se Klodian Premçe akuzohet për vjedhje me armë. Edhe pse tashmë gjithçka duket se është sqaruar, ende mbetet e paqartë se përse grabitësi kishte shkuar për të vjedhur në banesë me armë (kallashnikov) dhe me benzinë me vete.

Burime të brendshme shprehen se ngjarja mund të mos ketë qenë thjesht një grabitje, por një inskenim për të ekzekutuar kryefamiljarin dhe për të humbur gjurmët e ndonjë motivi tjetër më të fortë se kaq.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›