Familja Foçi: Presidenti na ka grabitur tokat
Familja Foçi, prej rreth një jave ruan pronën e saj duke ngritur dhe jetuar në çadra. Ajo denoncon Presidentin e Republikës Bamir Topi për tjetërsimin e pronave të tyre. Mbi këto prona, thonë ata, kreu i shtetiti, në mënyrë të jashtëligjshme e pa asnjë dokument pronësie, por edhe pa leje ndërtimi, ka filluar punimet për ndërtimin e vilave për vajzat e tij. Rreth 20 trashëgimtarët e familjes Foçi denoncojnë kreun e shtetit, por edhe kreun e komunës së Dajtit, për këtë zaptim të pronave të tyre, ndërsa paralajmërojnë se do të përshkallëzojnë protestën e tyre.
Rreth 20 trashëgimtarë të familjes Foçi, në rrethinat e Tiranës kanë zgjedhur protestën më origjinale kundër kreut të shtetit Bamir Topi, teksa ka ngulur një çadër para dhe më tutje pas shtëpisë së re, ku është akomoduar presidenti i Republikës. Burime të vonshme të ditës së djeshme bënë me dije për gazetën “55” se trashëgimtarët e familjes Foçi të zhgënjyer nga vendimet e zvarritura deri në pafundësi të gjykatave, komisioneve etj dhe që i kishin krijuar mundësinë Presidentit Topi të tjetërsonte pronën e tyre në favor të ndërtimit të rehatisë për familjen presidenciale të vendit, kishin gjetur më së fundi këtë mënyrë për të shprehur gjithë protestën dhe mllefin që i ishte grumbulluar. Për gazetën “55”, trashëgimtarë të familjes Foçi, sqaruan dje, se janë tre ngastra të tyre, respektivisht nga 24 mijë metër katrorë, 6 mijë metër katror dhe 20 mijë metër katrorë që i trashëgojnë që nga viti 1927, që kanë rënë preh e ndërtimeve pa leje nga Bamir Topi, i cili, prej ditësh ka filluar punimet në tokën e familjes Toçi, për ndërtimin e dy vilave për vajzat e tij. Presidenti Topi është shprehur jo pak herë në mbështetje pa kushte të shtresës së ish-pronarëve, sigurisht pa u nisur nga rasti i truallit ku është ngritur godina në fjalë, teksa ky rast e zbulon keqas atë për përdorimin e dy standardeve për çështjen e pronave. Për ndërtimin e këtyre vilave Topi ka pasur një angazhim maksimal edhe nga kryetari i komunës së Dajtit, Kujtim Qefalia, i cili ndërsa nuk ndërhyn për ndalimin e ndërtimeve pa leje, kërcënon me anën e njerëzve të tij, trashëgimtarët e familjes Foçi. Kjo sjellje e presidenti, bie ndesh me atë që ai mundohet të hiqet e tregohet në publik. Sigurisht të gjithë e mbajnë mend takimin e fundin në pallatin presidencial të një grupi pronarësh me kreun e shtetit, ku në mënyrë thuajse patologjike, presidenti Topi premtoi mbështetje maksimale të institucionit të presidentit. Megjithatë, këto standarde nuk u përdorën mbrëmë ndaj familjes së prekur nga tjetërsimi i pronave. Sipas informacioneve tona, efektiva të ngarkuar me ruajtjen e kryetarit të shtetit, i përzunë pjesëtarët e familjes nga pjesa e përparme e godinës, duke përdorur forcën, por edhe duke urdhëruar fikjen e neoneve që garantonin ndriçimin, por që në rastin konkret do të sillnin edhe mediatizimin e padëshiruar të çështjes. Pas përzënies, grevistët i kanë zhvendosur çadrat e tyre në pjesën e pasme të vilës, prej nga na konfirmuan ne vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund aksionit të tyre sensibilizues.
...