Një dëm i mbramë që na erdh nga çertifikatat dhe qitapet e Edvinit
Është rasti për të kujtuar edhe njëherë trashëgiminë e vështirë që gjeti qeveria “Berisha 1”, kur mori detyrën shtatorin e vitit 2005. Vendi lundronte në një informalitet të thellë, por ç’ishte më e rënda, informaliteti kishte zënë vend së pari tek dokumentacioni shtetëror. Asgjë s’ishte në vendin e vet dhe administratat kishin të gjithë joshjen për t’iu drejtuar rryshfetit, përpara shërbesës për qytetarët. Shqipëria s’dinte ende sa banorë kishte brenda territorit të vet, sa kishin emigruar, por edhe nuk administronte migrimin e brendshëm, njërën nga lëvizjet më të mëdha të popullsisë, pas vitit 1990. Për të vijuar më tej, administrata jonë endej fort në qitapët e gjendjes civile, regjistrat e vjetër, si gjëja e vetme, disi autentike, që ende s’ishte tjetërsuar nga vitet e vështira, por edhe nga keqqeverimi apatrid i viteve 1997-2005.
Krejt ky informalitet kishte në fakt një arsye të parë: fshehjen e ilegjitimitetit të mazhorancave socialiste që pasuan njëra-tjetrën, herë me grykën e armëve e herë me marifetet e Dushkut. Qitapët, me pamundësinë e tyre për të shërbyer në kohë, shërbenin fort bukur për të fabrikuar ato mazhoranca që në fakt nuk dilnin nga kutitë e votimit. Precedentët e viteve 2000, 2001 e 2003 janë flagrante dhe shërbejnë për të kuptuar se sa bukur u shfrytëzuan qitapet për të çimentuar qeverimin ilegjitim të socialistëve.
Por më spikatësja e gjithë skemës socialiste është keqpërdorimi që u bëri qitapeve Edi Rama gjatë dy viteve të para të qeverisë “Berisha 1”. I vendosur në morsën për t’u përballur me zgjedhje të lira dhe me vullnetin e lirë të qytetarëve tiranas, Edvini, tashmë kryetar i opozitës, sabotoi të gjitha përpjekjet e qeverisë për përmirësimin e zyrave të gjendjes civile, dixhitalizimin e tyre si dhe hartimin e një regjistri kombëtar zgjedhësish të pakontestuar, si një hap i parë i rëndësishëm drejt pajisjes së shtetasve me letërnjoftime të pakontestueshme. Ai bëri çmos që trashëgimia socialiste të mbetej e paprekur, të paktën edhe për dy vite të tjera, nga 2005-2007, sa ai të merrte me anë të formulës magjike të çertifikatave edhe mandatin e tretë në krye të bashkisë së Tiranës. Buxhetet e kryeqytetit do të ishin një mundësi shtesë për të blerë zgjedhjet elektorale të 2009-s, përveç sistemit të 15 përqindëshit të lejeve të ndërtimit, tashmë botërisht i njohur si një marifet i zyrtarizuar prej oborrit bashkiak të Edvinit.
Për shkak të obstruksionit opozitar, përfundimi i procesit të regjistrit kombëtar të zgjedhësve u bë një objektiv shumë i vështirë gjatë dy viteve të para dhe solli si rrjedhojë edhe vonesën në procesin e shpërndarjes së kartave biometrike, njërit nga parakushtet e vendosura nga Bashkimi Evropian për liberalizimin e vizave.
Është ende i freskët obstruksioni që Edvini dhe partia e tij private kryen gjithë gjashtëmujorin e parë të 2009-s për aksionin kombëtar të aplikimeve dhe të marrjes së kartave biometrike. Suksesi i këtij procesi do të sillte me vete edhe kryerjen e një procesi të drejtë zgjedhor, pa mundësi manipulimi, përmes riciklimit të çertifikatave, në bazë të qitapeve të paadministrueshme. Shqiptarët lexuan qartë edhe tkurrjen e mbështetjes për Edvinin, pas eliminimit të mundësisë së çertifikatave, por dje ne u detyruam të gjithë së bashku të pranojmë se dy vitet e obstruksionit të kreut të PS-së na kishin kushtuar shumë. Heqja e vizave do të shtyhet ndoshta edhe pak muaj, por kjo vonesë na mundëson një moment reshtjeje dhe në qetësi të gjithë do të kuptojmë se pas 28 qershorit, bllokimi i shpërndarjes së kartave të identitetit ka qenë dëmi i mbramë që na ka ardhur nga qitapet e Edvinit.