Familja e Adem Jasharit: Kujdes provokimet serbe
Familja e komandantit legjendar të Kosovës, Adem Jasharit kritikon Tiranën zyrtare për reagimin aspak dinjitoz ndaj pretendimeve të Serbisë për çështjen e “transplantit të organeve”. Jashari i apelon autoriteteve shqiptare të mos bien pre e këtyre “lojnave të ndyta”, sikundër i cilëson, duke i tërhequr vëmendjen për faktin se “lufta është bërë në Kosovë dhe jo në Serbi”.
PRISHTINE- Familja e komandantit legjendar të Kosovës, Adem Jasharit kritikon Tiranën zyrtare për reagimin aspak dinjitoz ndaj pretendimeve të Serbisë për çështjen e “transplantit të organeve”. Përfaqësuesi i saj, Xhavit Jashari, kryetar i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, thotë në një prononcim të djeshëm për të përditshmen kosovare “Express”, se Shqipëria duhet të jetë shumë e kujdesshme para këtyre provokimeve serbe. Jashari i apelon autoriteteve shqiptare të mos bien pre e këtyre “lojnave të ndyta”, sikundër i cilëson, duke i tërhequr vëmendjen për faktin se “lufta është bërë në Kosovë dhe jo në Serbi”. “Mos të bien pre e këtyre lojnave të ndyta se lufta nuk është zhvilluar në Serbi, por në Kosovë. Asnjë ushtar i UÇK-së nuk e ka merituar as gjyqin në Hagë, as gjyqet që janë të kurdisura nga Beogradi përmes UNMIK-ut që janë zhvilluar në Kosovë. Janë vetëm spekulime”, - vlerëson ai. Sa i përket akuzave të ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Pontes ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jashari thotë se të gjitha ato janë shpifje të dirigjuara drejtpërdrejt nga Beogradi. “Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e argumentuar edhe me dokumente relevante ndërkombëtare dhe ka qenë lufta me e drejtë që mund të zhvillohet”, - shton ai. Jashari kërkon një reagim të fortë për çështjen në fjalë edhe nga institucionet e Kosovës. “Unë mendoj që institucionet e vendit dhe gjithë ata që kanë marrë përgjegjësi që ta udhëheqin vendin, është dashtë që të ngritin aktakuza ndaj Serbisë, jo Serbia ndaj Kosovës, sepse ne kemi qenë ata që kemi mbrojtur vendin tonë”, - shton kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së.
Qeveria e Kosovës
Prishtina zyrtare ndjehet e zhgënjyer nga ajo që e cilëson si bashkëpunim mes shtetit të Shqipërisë dhe Serbisë për çështjen e “transplantit të organeve”. Kjo lihet të kuptohet hapur nga Memli Krasniqi, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, i cili thotë me ironi në një prononcim për “Express”, se kjo është një çështje që i takon raporteve ndërshtetërore të Serbisë dhe Shqipërisë. “Është e njohur botërisht se kush ka bërë krime të luftës në Kosovë. Për këtë gjë e dinë edhe opinioni i gjerë ndërkombëtar dhe lufta e shqiptarëve të Kosovës, lufta e UÇK-së ka qenë luftë e drejtë, për liri dhe pavarësi të këtij vendi”, - shton Krasniqi. Ai thotë se lufta në Kosovë ka qenë përgjigje ndaj dhunës sistematike të ushtruar me vite dhe dekada nga ana e ish-pushtetit serb të Sllobodan Millosheviçit. Sipas tij, për drejtësinë e luftës së shqiptarëve është dëshmuar mjaft, pikërisht në nivel të Gjykatës së Hagës.
Prokuroria e Kosovës
Hilmi Zhitia, kryeprokuror i Kosovës, nuk dëshiron të komentojë bashkëpunimin shqiptaro-serb për të vërtetuar pohimet e Karla del Pontes. “Është një çështje që i takon marrëdhënieve të Shqipërisë dhe Serbisë. Nuk është çështje e Kosovës ajo. Ne kemi ngritur akuza ndaj shumë personave, disa janë gjykuar, disa janë liruar”, - thotë ai për “Express”. Sipas tij, deri më sot prokuroria ka ngritur disa aktakuza për krime lufte në Kosovë. Megjithëkëtë, kjo, gjithmonë sipas Zhitisë, ishte kompetencë e UNMIK-ut. “Por punë ka shumë. Edhe me ligj mbi veprimtarinë e EULEX-it. Prokuroria Speciale do të jetë në përgjegjësi të EULEX-it sa i përket krimeve të luftës dhe gjenocidit”, - shton ai.
Prokuroria e Përgjithshme refuzoi kërkesën e Serbisë për të hetuar pretendimet e ngritura në librin “Gjuetia”, të ish-kryeprokurores së Hagës, Karla del Ponte. “Vendimi nuk është aspak i nxituar, por është marrë në përputhje me të gjitha normat ligjore të shtetit shqiptar”, tha dy ditë më parë Ina Rama.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)