E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti në Mitrovicë, KFOR e Policia e Kosovës në gadishmëri

Forca të policisë së Kosovës dhe të KFOR-it ndodhen në veri të Mitrovicë për të monitoruar situatën pas incidentit ndëretnik të ndodhur dje në fshatin Suhodoll në lagjen Kroi i Vitakut”. 

MITROVICE- Policia e Kosovës njofton se situata në veri të Mitrovicës është e qetë si dhe nuk janë raportuar zhvillime të ngjarjeve të reja.
Sipas njoftimit të policisë së Kosovës incidenti ndodhi dje rreth orës 13:30 kur rreth 20 persona nga të dy grupet etnike (shqiptar dhe serb), janë tubuar në afërsi të vendit të ngjarjes. Forcat policore të SHPK-së, UNMIK-ut dhe pjesëtarë të KFOR-it, kanë ndërhyrë kur kanë dëgjuar të shtëna armësh. Ata kanë arritur që të vejnë situatën nën kontroll duke mbajtur në distancë prej 200 metrash, personat e tubuar për të evituar problemet e mëtejme.
Sipas policisë së Kosovës gjatë incidentit nuk ka pasur të lënduar, ndërsa sipas medias italiane e cila i referohej një zëdhënësi të policisë serbe në incident ishin lënduar.

Sipas njoftimit të policisë së Kosovës ende nuk është arrestuar ndonjë person në lidhje me këtë incident ndërsa po punohet për të identifikuar iniciatorët e tij.

Incidenti i cili konsiderohet të ketë karakter të mos tolerancës ndëretnike, besohet se është iniciuar pasi një kompani e ngarkuar me punë për rindërtimin e shtëpive të banorëve shqiptarë në atë lagje është kërkuar të ndalë punët dhe të largohet nga vendi i ngjarjes.

Në atë kohë kanë protestuar grupe të personave nga të dyja etnitetet dhe kanë filluar një përleshje fizike me përdorim të shufrave të drurit dhe të metalit.

Në përleshjen fizike në mes të dy grupeve është raportuar për një numër të papërcaktuar të personave të lënduar. Pak qaste pas ndërhyrjes së forcave policore, të dyja grupet e përfshira në incident janë shpërndarë, ndërsa situata është vënë nën kontroll.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›