Familja e Cen Kazazit: Rama ka shpallur luftë të hapur me pronat e babait tonë

Në hyrje të ndërtesës së vjetër ku përreth duken qartë gjurmët e fadromave që një ditë më parë shembën rreth 300 metra pronë private të familjes Kazazi, takojmë një prej fijanëve të familjes. Është një prej djemve të mjekut popullor më të njohur në kryeqytet të cilin të gjithë vite më parë e njihnin si (Ceni i Lakut). Akush në Tiranën e atëhershme nuk e njihte ndryshe
përveç një mjeku që përveç duarve të arta kishte edhe një zemër të madhe. Besniku një prej tre djemve që ka ndjekur gjurmët e të jatit e ka të vështirë të flasë për të, për faktin se nuk do të zgjojë kujtimet e fjetura në sirtarët mbushur me foto por edhe sepse është i shqetësuar për shkeljet barbare e për luftën e hapur që Bashkia e Tiranës ka hapur me pronat e babait të tij Në një intervistë të dhënë për gazetën SOT Besniku shpjegon me detaje të gjithë çështjen jo vetëm ditët e fundit me pronat e familjes kazazi por edhe premtimet boshe ndër vite që Bashkia e Tiranës i ka bërë të gjithë pjesëtarëve në lidhje me shpronësimin e pronës private.
-Çmund të na thoni për jetën e babait tuaj, kush është Cen Kazazi për të gjithë ata persona që nuk e kanë njohur?
Ceni jetoi shumë, regjimi i atëhershëm e ka respektuar shumë madje aq sa e ka shpallur edhe vetë kryetari i bashkisë sa asaj kohe qytetar nderi i Tiranës, me titullin mjeku më i mirë popullor i asaj kohe. Ceni kishte vetëm zotin shpresë me një jetë tejet të vështirë e të vuajtur ai ka jetuar vetëm me nënën e tij sepse babai e ka lënë jetim që në moshën 4 vjeçare. Nëna ka pasur vetëm atë fëmijë. Ceni ka lindur në Qershor të vitit 1908 dhe vdiq në dhjetor të vitit 2000. Ceni ka qenë njeri i respektuar jo vetëm nga populli i thjeshtë të cilit i shërbente me devotshmëri dhe me përkushtim por nga për të gjitha regjimet ka qenë një ndër figurat e spikatura me tituj e respekt të jashtëzakonshëm.
- Çfarë ju kujtohet nga fëmijëria, si është bërë mjek babai juaj?
Profesionin e mjekut popullor i cili e ktheu gati në një mit jo vetëm për qytetarët e Tiranës por të mbarë Shqipërisë ai e ka marrë nga ish vjerri i tij, Mahmut Koldari pasi edhe ky gjatë jetës së tij ka qenë një ndërmjekët popullorë më të mirë të asaj kohe. Shtëpia e Mahmut Koldarit ishte tek Estrada e Tiranës, dhe një pjesë e truallit të estradës ka qenë pronë e tij. Ish Vjerrin e babait Mahmutin e thërrisnin Laku dhe më kujtohet që kur ishte sëmurë babai e përmendte shpesh se tek varri donte mbishkrimin Ceni i Lakut, pasi kohët e fundit kështu i thërrisnin pothuajse të gjithë. Të tre si djem ja plotësuam dëshirën e fundit dhe tek varri i babait ja kemi shkruar emrin ashtu siç kishte dëshirë ai që ta thërrisnim pikërisht Ceni i Lakut. Babai ka qenë mik i ngushtë me të jatin e Edi Ramës që sot po na shemb gjithë jetën tonë brenda 24 orëve. Madje babi i ka shkuar edhe në shtëpi për ta respektuar të jatin e tij ashtu si na ka ardhur edhe vetë Rama kur na vdiq babai.
- Mendimi juaj për shembjet e fundit nga Policia Ndërtimore, sipas jush a është i drejtë ky veprim?
Mund të them që Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka shpallur luftë të hapur me pronat e babait tonë, qoftë edhe vetëm për respekt na takonte një copë letër ku shkruhej po ju shembet prona private me pretekst se do të ndërtohet një aks rrugor. Kreu i Policisë Ndërtimore të vinte këtu e të na tregonte letrën korrekte e të ligjshme për prishjen e ndërtesave ose të na njoftonte sipas ligjit për këtë prishje. Nuk mund ta kuptoj gjithë këtë vandalizëm të Policisë Ndërtimore që erdhi na shembi në mes të ditës pa një njoftim me një letër bakalli gati gjysmën e ndërtesave të cilën e kemi ndërtuar me vite të tëra mund e djersë. Po të ishte gjallë babai do ti vinte turp nga gjithë ky vandalizëm i Bashkisë së Tiranës.
- Çfarë i kërkoni Bashkisë së Tiranës, apo edhe institucioneve të tjera shtetërore?
Ne jemi njerëz të qytetëruar dhe duam që çdo gjë të jetë e ligjshme duam që çdo gjë të zhvillohet ashtu siç duhet Brenda normave ligjore në mënyrë të drejtë. Jemi një nga familjet më të vjetra autoktone Tiranase dhe jemi të turpëruar për këtë gjest vandal e të turpshëm të Policisë Ndërtimore që e drejton vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës. Jetojmë këtu prej katër qind vjetësh me gjyshër e stërgjyshër dhe nuk na ka shqetësuar askush në trojet tona. Jemi qytetarë në radhë të parë kërkojmë zhvillimin e vendit tonë dhe i përmbahemi të gjitha ligjeve dhe rregullave, çdo pjesë trualli e kemi me dokumentacion ligjor, kërkojmë të drejtën tonë sepse jemi në trojet tona që janë të hipotekuara prej shumë e shumë vitesh. Kërkojmë nga Bashkia e Tiranës ose nga qeveria një mirëkuptim për çështjen tonë që nëse nuk shpronësohet trualli që ka prekur rruga që do të bëhet të merret me qera nga shteti sepse ne e kemi në rregull çdo dokumentacion. Ose në të kundërt të na shpronësohet e të marrim paratë që na takojnë.
- A keni pasur probleme të tjera me shpronësimet gjatë këtyre viteve, dhe ai keni zgjidhur ato?
Në lidhje me këtë kemi shumë pak shpresa sepse kemi rreth 20 vjet që rropatemi për shpronësimet e pronave tona pasi nuk kemi vetëm këtu probleme me to por edhe në disa lagje të tjera të kryeqytetit. Në kërkojmë që në momentin që bashkia e Tiranës vjen edhe na njofton në radhë të parë sipas ligjit me shkresat e duhura e jo me letra bakalli ashtu si ka ardhur ditën e djeshme. Në lidhje me këtë dua të them që shkresa e djeshme ka qenë tërësisht e jashtëligjshme sepse kjo rrugë ku janë edhe pronat e familjes tonë dhe të gjithë familjet e tjera të prekura nga shembjet e ditës së djeshme nuk është rruga Urani Pana ashtu siç edhe shkruhet në letrën që na solli Bashkia e Tiranës dje sepse kjo rrugë është zhvendosur më poshtë gati 100 metra më poshtë këtu është rruga Bardhok Biba, dhe kjo është mëse e sigurt sepse ne kemi 30 vjet që jetojmë në këtë vend e kemi ngritur bizneset tona dhe e dimë shumë mirë këtë, pra rezulton që ai njoftim përveçse është i jashtëligjshëm është edhe një papërgjegjshmëri e Inspektoriatit të Policisë Ndërtimore dhe e Bashkisë së Tiranës. Ne si banorë të prekur nga shembjet e djeshme i lutemi organeve kompetente që nëse sipas planit urbanistik Bashkia e Tiranës do të ngrejë rrugë të reja më parë duhet të na sigurojë shpronësimin. Të gjithë banorëve që janë prekur nga shembjet që ndodhen në këtë lagje, sipas të gjitha rregullave që paraqet plani urbanistik me metrat që ka çdo familje në dispozicion të ndërtohet një pallat e të vihet në ndihmë të të gjitha familjeve që kanë nevojë e mos ë rrimë këtu edhe njëzet vjet të tjera në këto baraka sepse ne si qytetarë nuk i përballojmë dot shpenzimet për ti ringritur shtëpitë dhe bizneset nga e para. Flas për banorët që janë autoktonë .
- A jeni sinjalizuar më parë për prishjen e ndërtimeve dhe kur keni trokitur në dyert e Bashkisë së Tiranës, cila ka qenë përgjigjja që keni marrë?
Në lidhje me shembjen ne kishim dëgjuar më parë vetëm fjalë e ishim sinjalizuar por menduar se çdo gjë do të vijonte konform rregullave e do të shpronësoheshim më parë se të na prisheshin ndërtesat.. Me këtë aksion të paligjshëm Bashkia e Tiranës na ka përgjysmuar biznesin e kjo për ne do të thotë vërtet shumë pasi këtij vendi i kemi kushtuar gjithë jetën tonë. Shteti Bashkia duhet të na ndihmojë sepse prona është e shenjtë edhe për më tepër jo vetëm që smund të preket por askush nuk ka të drejtë ta rrënojë atë në formën më brutale të mundshme. Por problemi i shpronësimeve për familjen tonë është i hershëm pasi ne kemi edhe prona të tjera të cilat e kemi futur dokumentacionin në Bashki që prej më shumë se 25 vjetësh dhe asgjë nuk është zgjidhur. Bëhet fjalë për 3700 metra pranë unazës së madhe në Selitë. Bashkia e ka bërë rrugën dhe ne skemi marrë qoftë edhe një qindarkë për shpronësimin.
Arta AGOLLI
Last Updated on E Premte, 02 Prill 2010 19:41