E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja e madhe e Bach-ut



J. S. BACH (1985-1750) - “Familje e madhe muzikantësh”, Gjermani shek. XV-XVI. Nuk është vetëm një muzikant dhe kompozitor i epokës, por është shuma e të gjitha këtyre. Një personalitet që përvetëson gjithë shkencën dhe gjithë frymën muzikore të kohës, i përkryer ia transmeton vargut të gjeneratave të ardhshme, me ndjenja të larta markën fisnike të familjes Bach. Sebastiani i madh sikurse e thonë të gjitha manualet, përmbledh shkencën e polifonistëve, shpirtin protestant të reformës dhe atë botëror të Rilindjes.

Shpesh herë krijimtaria e J. S. Bachu-t është krahasuar me ngjashmërinë e katedraleve gotike dhe kjo ngjashmëri është ekzakte. E njëjta madhështi, e lartë, i njëjti shpirt rinor mbush dhe veprën e këngëtarit dhe muret me harqe të përkulur të monumenteve (origjinale të shek XII-XVI). Krijimtaria e J. S. Bach është fryt i tendencave të kohës së tij, më shumë se një individualitet, nuk është një i vetëm por një familje e tërë. Nuk është vetëm një muzikant dhe kompozitor i epokës por është shuma e të gjitha këtyre. Një personalitet që përvetëson gjithë shkencën dhe gjithë frymën muzikore të kohës, i përkryer ja transmeton vargut të gjeneratave të ardhshme, me ndjenja të larta markën fisnike të familjes Bach. Sebastiani i madh sikurse e thonë të gjitha manualet, përmbledh shkencën e polifonistëve, shpirtin protestant të reformës dhe atë botëror të Rilindjes.

Mjeshtëria e muzikantit është përqafuar nga familja Bach për një kohë prej dy shekujsh, muzikante kanë qenë stërgjyshërit, farefisi dhe gjithë pasardhësit e familjes së tij. Muzika ishte një traditë që i transmetohej brezave të familjes në të cilën këngëtarët, instrumentistët, drejtuesit, mësuesit dhe kompozitorët kalojnë mbi njëqind në numër. Kompozimet e pjesëtarëve të familjes konsideroheshin si pasuri e përbashkët. Të gjithë ecnin në gjurmët e njeri tjetrit, të gjithë bashkëpunonin, mblidheshin këndonin së bashku melodi me shumë zëra, njoftonin të rejat, kurse nga ana tjetër improvizonin sipas zakonit të kohës, vinin në dijeni për gjithçka që kompozonin dhe mbi gjithçka që ishte muzikë në atë kohë.

Ka qenë një punë jashtëzakonisht e madhe zgjedhja ndërmjet mijëra dorëshkrimeve të mbetura nga vargu i Bach-ve që ishin të J. Sebastianit, pjesëtari më i shkëlqyer i familjes. Të paktën tre nga bijtë e tij, Wilhelm Friedmann, Karl Filip Emanuel dhe Johann Christian kanë pasur talent të jashtëzakonshëm. Sebastiani i madh ka pasur njëzet fëmijë, dhjetë prej tyre jetuan dhe të gjithë merreshin me muzikë. Transkriptimet që bënin në mënyrë improvizive pa i shkruar, qofshin burra apo gra, djem ose vajza, nuk ishin muzikë vetëm nga fondi i familjes por gjithçka qe u dukej interesante dhe e dobishme. Kështu shumë kohë të koncerteve të mjeshtërve të mëdhenj Italian si Vivaldi kaluan drejtë për së drejti tek J. S. Bach-u duke u transkriptuar prej tij. Ky "Patriark", studioi dhe transkriptoi kompozitorët italiane Palestrina, Lotti, Caldara, Legrenzi, Corelli dhe sigurisht dhe bashkëkohësin e tij Vivald-in, njihte me hollësi dhe francezët e sidomos të madhin Couperi-n i cili ka qenë një model për të. Në atë kohë arti muzikor Italian dhe ai francez gëzonin një prestigj më të madh se ai gjerman, me Bach-un fillon vargu i muzikantëve përfaqësues të Gjermanisë, të cilët do të predominonin në muzikën e dy shekujve të fundit. Siç thamë ai transkriptonte nga kompozimet e të tjerëve, sigurisht i ndërgjegjshëm për meritat e tij të jashtëzakonshme, nuk mendoi aq për lavdinë e tij personale e cila atëherë për një muzikant të gjorë nuk shënonte ndonjë punë të madhe dhe ishte aq e veçuar nga puna e tij e përditshme duke vënë në dispozicion të institucionit ose të personit nga i cili varej, kërkesa për një muzikë sa më të përshtatshme.

Huazonte sipas rastit edhe idetë e të tjerëve sikurse dhe Molieri ose Shekspiri. Në atë kohë nuk ekzistonte ende sensi i të drejtës artistike të autorit duke marrë idetë e të tjerëve Bach-u u vinte vulën origjinale në të gjitha veprat. Dhe tamam nga këto transformime dhe zhvillime temash, karakteristika të Bach-ut, nga procedurat dhe metoda e tij personale gjithashtu dhe e familjes, lindën shpirti dhe tingulli i muzikës së madhe polifonike kombëtare gjermane e cila më pas mori një vlerë universale.

Bach-u përdorte dhe kompozonte për kërkesat e ditës një art utilitar por gjithçka shkroi ai është muzikë rrethanash, në Weimar, Miihlhausen, Cothen dhe së fundi në Lipsia ku ishte kantor i kishës së Shën Thomait dhe drejtor i muzikës në universitet për 27 vjet me radhë deri sa vdiq me 1750. Kudo anembanë në punën e përhershme ose në turne ai improvizonte muzikë me porosi që i shërbente qofte padronit, qoftë ceremonisë fetare të përditshme. Për nxënësit në klasë sikurse dhe për bijtë dhe nipërit ashtu dhe për gruan e tij shkruante fletore me ushtrime praktike, pjesë të karakterit didaktik, por të nevojshme, të cilat do të renditeshin më vonë ndër veprat estetike të muzikuese të të gjitha kohërave. Kështu sa prekës është "Klavierbuchlein", kompozuar për edukimin muzikor të gruas së tij të dyte Anna - Magdalena, soprano, pianiste dhe transkriptuese që u përshtat me bashkëshortin e saj të dashur si nga ana shpirtërore ashtu edhe nga shkrimet e tyre që janë aq të ngjashme sa që nuk mund të dallohen nga njëri-tjetri. Po ashtu një qellim didaktik ka edhe "Klavierbuchlein" tjetër i Andrea Bach-ut, sikurse dhe 48 preludet dhe fugat shkruar në të gjitha tonalitetet mazhore dhe minore të përmbledhur në dy fjetoret me titullin "Das wohltemperierte klavier" (klavicembali i temperuar mirë). I vlefshëm për çdo pianist, si vade mecum për jetë. Për shërbimin fetar sipas kërkesës së përditshme të kalendarit, ai kompozoi toçata të panumërta për organo, kantata, oratorio, pasione dhe mesha. Korale të pakrahasueshme janë këngët fetare dhe popullore më melodi të vjetra, të cilat Bach i trajton dhe i harmonizon në stilin e ri të kohës dhe në mënyrën e tij, duke ruajtur diçka nga modet arkaike duke i shtuar njëkohësisht bukurisë së tyre edhe lirizmin e tij më intim. Korali që me të drejtë Albert Schëeitzer, komentatori i shkëlqyer i Bach-ut, e konsideron si bazën e të gjithë artit të tij është një këngë fetare dhe popullore e zhvilluar me kohën ku meloditë dhe vargjet e tij kanë përshkuar nga thellësitë e mesit të shekullit. Liturgjike ose anonime, meloditë e koralit i kanë rrënjët në muzikën popullore, e nga ndonjëherë janë marrë direkt nga populli dhe përshtatur me fjalët e shenjta. Vargjet më të bukura të poezisë gjermane lulëzojnë në strofat e koralit në kantatat dhe pasionet e Bach-ut.

Ai vazhdon kështu nxitjen e vete M. Luther-it, që në kohën e tij, duke dashur ta pasurojë kishën e reformuar me muzikë, rekomandonte transpozicionin e himneve të vjetër dhe të këngëve popullore me tekst gjerman duke iu afruar karakterit fetar. Dhe asnjë si Bach-u nuk e vuri në dukje bukurinë më aq madhështi. Kështu këtë pasuri të paçmueshme të nxjerr nga zgjedhja e këngëve, zënë në dorën e atij që di t’i pasurojë, atë tingëllim të thellë që vibron këtu në shpirtrat tanë sa herë që i dëgjojmë. Vetë ndërtimi i koraleve me kadencat e saj, ruan shpesh gjurmët e muzikës gregoriane, e këngës së plotë dhe modeve të vjetër, por ndonjë prej tyre na çon pa pritur në atmosferën e kolendrave, të këngëve gjysmë laike, gjysmë fetarë ose të këngëve liturgjike ruse.

Kthehemi në karakterin utilitar të muzikës së Bach-ut, profane ose kishtare ajo është gjithmonë në shërbimin e porosisë. Kompozitori ka qenë gjithë jetës së tij një nëpunës prodhimtar të cilit në kohën e tij prodhimtaria nuk ju njoh si duhej, ndoshta dhe ai vetë me ndërgjegje të plotë nuk e njohu. Disa nga bijtë e tij kanë qenë më të famshëm se ai, për tu harruar të gjithë si dhe ai, shumë kohë deri më 1829, kur Felix Mendelssohn Bartholdy ringjall në Berlin kultin e Bach-ut në një audicion përkujtimor të Pasionit sipas Shën Mateut. Bach-u në kohën e tij ishte i njohur dhe i çmuar më shumë si improvizues, organist, violinist, klavicenist dhe drejtues, çmohej dhe si shpikës dhe ekspert riparues veglash muzikore. Nuk i njiheshin merita të mëdha si pedagog, kompozimet e tija konsideroheshin afërsisht si një punë e zakonshme specialiteti sikur të ishin referatet e një nëpunësi.

Të themi disa fjalë mbi njerinë ashtu si na e tregojnë dëshmitë më të sigurta, Bach-u ishte një punëtor i madh i përpiktë, gjithmonë në konflikt me autoritetin në shërbim të të cilit ishte. Shkonte në turne pa leje të eprorëve, të cilëve u dukej kapricioz dhe i njëanshëm me nxënësit, ka qenë akuzuar së për një taler (monedhë e asaj kohe) ishte në gjendje të jepte certifikata lirimi si ekzaminues. Shumë kohë pas vdekjes së tij, u krijua legjenda e shenjtërimit të tij si i krishterë, i varfër dhe i frymëzuar. Mund të forcohet nota romantike duke folur mbi dhimbjen e këtij prindi i cili varrosi një grua dhe dhjetë fëmijë e që vdiq pothuaj i veçuar dhe i verbër. Por dokumentet që kanë mbetur nuk e tregojnë aq të turbullt ndodhitë në jetën e tij të cilat ai vetë i konsideron si fatkeqësi të zakonshme. Nga njëzet fëmijë, skish si të mos humbiste disa dhe nuk u martua për të dytën herë me një grua më të denjë se sa e para. Romantikët do të donin ta transfiguronin, ose njeriu nuk është një hero. Jemi mësuar të bëjmë iluzione mbi karakteret jashtëzakonisht të mëdhenj dhe të fortë të shumë burrave të shkëlqyer, por e vërteta historike i përgënjeshtron, i fshin. Kështu heroiku Richart Wagner, i tërhoqi rreth 600 mijë marka flori burrit të të pavdekshmes Isolde. I ëmbli Robert Schumann, ëndërronjësi Eusebius, i flakti Florestan i qahet më shumë hidhërim në një letër të fejuarës së tij se ajo nuk i sjell pajën që pritej.

I pastërti dhe i shumëngjyrshmi Chopin skuqej nga inati kur botuesi i tij nuk e financon për sa meriton prodhimtaria e tij e pa interesuar. Kurse i krishteri mistik J.S. Bach ishte shumë i interesuar për çështje parash, në cilësinë e tij si Kantor inkasonte pjesën nga shumat që paguheshin koret ose orkestra e nxënësve të Thomas Kirche e ashtuquajtur e Thomaneve, të cilët këndonin ndër festa, martesa, pagëzime, varrime. Në një dokument të vitit 1729, i madhi Sebastian qahet se ajri i këtij viti ka qenë mjaft i shëndetshëm dhe "fatkeqësisht për atë" humbi 200 taler për shkak të varrimeve të pakta. Megjithatë në këtë vit të bekuar ai shkroi. Vuajtjet e Shpëtimtarit sipas Matheut, ndoshta moment muzikor me sublim i besimit. Me gjithë këto po ta marrim në kompleksin e karakterit, Bach-u duket se ka qenë një borgjez i ndershëm i cili llogarite i bënte ekzakte dhe kërkonte të drejtën më forcë. Kishte një familje të madhe të cilën e mbante më së miri sepse gjithmonë ka qenë paguar mirë. Ishte sanguin, inatçi me shpërthime absurde, me dekurajime të shpejta përpara vështirësive por një natyre e shëndetshme e cila e bënte të rimerrte shpejtë ekuilibrin shpirtëror që i shërbeu fuqisë krijuese të admirueshme dhe të pashtershme. Gjithsesi Bach-u, si Brahms, si dhe Cesar Frank është pak interesant në jetën e tij private, dallohet në këtë drejtim nga Bethoveni ose nga Wagner-i. Peripecitë e vazhdueshme të jetës, mjetet e pakta muzikore që dispononte në Leipzig, qytet i varfër provincial në atë kohë, nuk e dekurajuan dhe nuk e ulën vrullin e përditshëm krijues dhe besimin. Nuk kishte teatër muzikal për të cilin të krijonte vepra si rivali i tij i madh, oborrtari Haendel. Kushedi si do mund të ishte gjithë muzika e tij në se do të i kishte edhe ai rastin të shkruante për teatër. Ëndërronte të bëhej kompozitor skenik, i pëlqente të shkonte në Dresden ku admironte operën Italiane nga influenca e të cilës vuajti. Në trupën e tij nuk kishte as këngëtar as instrumentistë të kategorisë së parë, kështu ai kufizohej në orkestrën e tij të varfër dhe në koret e fëmijëve ndër të cilët zgjidhte solistet. Kështu mundi të shkruajë oratore, kantata, liturgji dhe pasione në mase, të cilat ishin të porositura për shërbesat e përditshme duke ju përshtatur mundësive të ekzekutuesve. Këto shpjegojnë gjenezën, formën dhe frymën e punimeve të tij. Gjeni i kontrapunktit, por sa ka në zotërimin e tij një kor, një orge, një klaviaturë, një orkestër të madhe ose të vogël dhe sipas kërkesave të ditës, shkruan kompozon me shumë zëra. Në polifoninë vokale ose instrumentale mund të tregojë mjeshtërinë e tij të mahnitshme e të pashtershme duke luajtur me format më të komplikuara. Kush vallë di të trajtojë si Bach-u një temë, ta thyeje, ta përmbysë, ta transformojë, t’i shfrytëzojë të gjitha virtualitetet, t’i japë një drejtim të pa pritur, ta ballafaqojë ose ta bashkojë me të tjera duke e paraqitur gjithnjë nder të tjera kuptime dhe aspekte muzikale? Kush do të dije si ai të improvizojë mbi një temë të dhënë p.sh. një "fuge", duke u treguar virtuoz si solist dhe kompozitor? Kush do të dije si ai të "qëndisë", sipas një plani të sigurt ato organizma të gjalla në vetvete pikërisht këto " fuga" të tija të mrekullueshme? Do të ishte shumë e rëndësishme të insistojmë mbi këtë gjini të fugës, lindur nga " RICERCAR" i vjetër, formë të cilën e konsakroj Bach-u dhe që ka një rëndësi të pakufishme ne evolucionin e formave muzikore. Por hollësitë teknike të pa evitueshme, do të ishin me të vërtetë mjaft abstrakte e lodhëse dhe jo në vendin e tyre, në një paraqitje gjërash të përgjithshme që i përkasin të së kaluarës, kështu vështirë për ta kuptuar. Koralet, megjithëse Bach-u i krijonte me shkencën dhe lirizmin e tij racional, nën influencën e melodisë italiane profane, krijon për muzikën kishtare "arioso recitativ" të një efekti dramatik të admirueshëm turbullonjës, precedent i deklamacionit Wagner-ian. Është kthyer me një zë, faqe ndaj së ardhmes, me tjetrën ndaj të kaluarës dhe thith me gjithë gjeninë e tij, gjithë të tashmen. Ai fillon erën e stilit modern të muzikës armonike, në të cilën zotëron tonaliteti në dëm të shumëllojshmërisë së vjetër modale, si dhe kurorëzon tendencat e stilit të vjetër imitative e kontrapunktistik. Por të ruhemi nga shumë përcaktime teknike të mërzitshme e të rrezikshme për lexuesit dhe për ne. Si të gjitha mundësitë e së ardhmes, gjinden në thellësi të muzikës së Bach-ut, studimi i tij është shumë i shenjtë për të gjithë muzikantet. Sipas shprehjes së Vincent d'Indy, vepra e tij në muzikë është testamenti i vjetër, kurse të riun, e formojnë sonata dhe kuartetet e Bethovenit.

Marisa Trako, pianiste dhe studente në muzikologji, Akademia e Arteve të Bukura

Petrika Trako, pianist dhe pedagog, Akademia e Arteve të Bukura

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›