E Diel, 1 Nëntor 2026

Lejet e gjyqtarëve, Unioni ankim në Strasburg vendimit të Gjykatës Kushtetuese



Reagimi: Gjykata mban dy standarde në interpretimin e Kushtetutës për lejet vjetore. Po përgatisim padinë për t’iu drejtuar Strasburgut

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë po përgatit një padi për ta depozituar në Gjykatën e Strasburgut, me anë të së cilës ankimohet një vendim i disa muajve më parë i Gjykatës Kushtetuese. Me anë të kësaj padie, gjyqtarët e Unionit kundërshtojnë qëndrimin me dy standarde të kësaj gjykate lidhur me lejet verore të tyre. Sipas tyre, kjo gjykatë me vendimin e saj paraqet dy standarde, vendos ndryshe për gjyqtarët e Shkallës së Parë dhe Apelit për pushimet e gushtit dhe krejt ndryshe për veten e saj. Për këto dy qëndrime të mbajtura prej tyre, gjyqtarët e Unionit kanë vendosur që këto ditë të përgatisin padinë për në Strasburg. E vetmja gjë që e ka shtyrë deri tani përgatitjen e padisë ka qenë vendimi ende i pazbardhur nga gjyqtarët e Kushtetueses. Vendimi është marrë nga Gjykata Kushtetuese pak muaj më parë, duke rrëzuar kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për lejet vjetore të togave të zeza. Gjykata Kushtetuese vendosi të rrëzonte kërkesën e Unionit, të cilët pretendonin se sipas Kushtetutës duhet të përfitojnë leje vjetore në masën e 30 ditëve pune, ose e thënë ndryshe gjashtë javë kalendarike. Ligji i ri për gjyqësorin, që hyri në fuqi disa muaj më parë, ua hoqi togave të zeza privilegjin e pushimeve 42 ditë, duke u lënë vetëm 30 ditë në muajin gusht. Interpretimi i bërë nga Gjykata Kushtetuese ua hoqi këtë privilegj gjykatësve të Shkallës së Parë dhe Apelit, duke bërë që pushimet e tyre të jenë vetëm në muajin gusht dhe të zgjasin 30 ditë. Të kontaktuar nga gazeta pas këtij vendimi, gjyqtarë që bëjnë pjesë në Union pohojnë se Kushtetuta parashikon se gjykatësve nuk mund t'iu ndërpriten apo hiqen beneficet që kanë përfituar më parë. Sepse, sipas tyre, këto benefice u hiqen vetëm atyre si gjyqtarë, pasi për veten e tyre kanë standard tjetër për lejet. Vendimi për këtë kërkesë të gjyqtarëve për lejet nuk ka qenë unanim në Gjykatën Kushtetuese, pasi pesë kanë qenë për rrëzimin e kërkesës dhe tre pro kërkesës së tyre. Sipas ligjit të funksionimit të këtij institucioni, shpallja e vendimit do të bëhet pasi secili prej gjykatësve të ketë argumentuar mendimin e vet. Ligji për Gjykatën Kushtetuese parashikon në nenin 16 se “Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që merret me shumicën e votave, duhet të jetë i arsyetuar”.

Reagimi pas vendimit

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Unioni i Gjykatësve reagoi duke e quajtur të padrejtë si vendim. Sipas tyre, gjykata ka mbajtur dy standarde të ndryshme në interpretimin e Kushtetutës, ndaj dhe vendimi do ankimohet në Gjykatën e Strasburgut. Sipas tyre, Kushtetuesja u ka kufizuar togave të zeza rreth 12 ditë nga leja vjetore. Ndërsa vetë anëtarët e Kushtetueses, sipas Unionit, gjatë vitit të kaluar kanë bërë 56 ditë leje të zakonshme. Në interpretim të nenit 18 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese, nëntë togat e zeza të këtij institucioni kanë bërë 40 ditë pune pushim gjatë muajve gusht-shtator. Në pikën 1/b, neni 18 parashikon se “gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të përfitojnë leje të pagueshme vjetore 40 ditë. Leja vjetore bëhet gjatë muajit gusht-shtator”. Ndërsa në pikën tre të nenit thuhet se paga dhe përfitimet e tjera të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese nuk mund të ulen dhe as të preken. Sipas Unionit, i njëjti interpretim duhej të bëhej edhe në rastin e tyre, për të goditur ligjin e gjyqësorit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›