Të vogla por tradhtare
Flokë të dekoloruar, super taka, rrathë poshtë syve, kilogramë të tepët, e të tjera detaje që dëmtojnë figurën skenike në Opera apo Teatër. Stoli të përditshme që artistët shqiptarë i mbajnë dhe në skenë. Detaje që i shpëtojnë realizuesve por jo syrit të publikut
Një figurë e realizuar artistikisht në skenë nuk do të ishte kërkesë e madhe e publikut shqiptar. Përveç talentit të artistëve (me emër) që jemi mësuar të shohim dhe dëgjojmë, mund të themi se ka shumë elementë që dëmtojnë estetikisht figurën sidomos në Opera dhe Teatër ku kërkohen standarde të kostumografisë, të grimit, të parukerisë. Këto nuk duhen parë si aksesorë apo xhingla mingla zbukurimesh, por si elementë të mirëfilltë të artit skenik.
Jo gjithmonë ndodh në skenat tona që syri të të rrokë figura që vërtet kanë fuqi dhe përcjellin emocion si me zërin, interpretimin, po edhe me prezencën skenike. Si për shembull "Norma" e Etleva Golemit, personazh që u rikthye në skenë e TOB, 10 vite pas premierës. Një veshje dhe paruke e përshtatshme (e qepur 10 vite më parë nga Anila Zajmi), pamje e realizuar me kujdes, qëndrim krenar etj, etj.
Më së shumti në skenë të sheh syri personazhe, figura e të cilëve është shumë larg karakterit të tyre, kohës apo sjelljes në kohë që i bëhet veprës.
Nuk është e lehtë të harrosh rikthimin e Reshat Arbanës në skenën e TK-së, në pjesën "Fërshëllimë në errësirë". Moria e varëseve dhe unazave prej metali, verbonin shikimin e çdo spektatori. Figura e një babai autoritar paraqitej kësisoj e njëjtë me atë të një "të forti" që endet në kërkim të telasheve.
Në një tjetër skenë teatri, atë të TOB, shohim personazhe me veshje dhe kombinime nga më të çuditshmet. Garderoba udhëtuese që vijnë dhe ikin nga teatro të huaja, sigurisht që nuk mund të përshtaten 100% me trupën e TOB, dhe figurat që dalin në skenë e vërtetojnë këtë gjë.
Sot në mbrëmje shfaqet për herë të fundit opera "Andrea Chenier", e cila ashtu si paraardhëset e veta të krijuara me bashkëpunime, do të humbasë, kushedi kur mund të jepet më. Në këtë rast TOB është munduar të rregullohet me shpenzimet e veta. Ka pranuar të vijë nga jashtë vetëm një pjesë e garderobës, dhe pjesën tjetër e ka përballuar me mundësitë e veta. Në mungesë edhe të një kostumografi, garderoba e kësaj premierë është sajuar njësoj si një puzzel që i mungojnë pjesët e duhura për të plotësuar përfundimisht figurën.
Sopranoja Etleva Golemi "ka qëlluar me fat", që fustanin e saj të premierës ta marrë në një nga dyqanet më luksoze të veshjeve për nuse në kryeqytet. Një fustan i zi ndoshta i përshtatshëm për një mbrëmje mondane, por jo për një rol të parë në TOB.
Më pak fat ka pasur sopranoja Irini Nikolla, e cila është rregulluar si të mundë me një veshje të gardërobës, që kush e di se kujt shfaqjeje të mëparshme i përket. Një fustan që e tregonte dyfish më të madhe. E kësaj mund t'i shtojmë edhe përkujdesjen e grimieres Bebeka Alla (TOB për fat e ka një të tillë) për paruken e një modeli që nuk rrinte përshtat portretit të Nikollës. Dhe të mendosh që ajo luan rolin e Madalenës, një aristokrate që përjeton dramatikisht ngjarjet e Revolucionit Francez. Parukja e saj afronte me modelet e flokëve të vajzave shqiptare në vitet tetëdhjetë që shkonin "vullnetarisht" në aksione.
Po në këtë shfaqje, "festivali" i veshjeve dhe modeleve të flokëve të dala boje tek vajzat dhe gratë e korit nuk i shpëton syrit. Askush nuk mund të përvijonte në imagjinatën e tij, një revolucionare me flokë të kuq të ndezur apo me syze optike. Por nuk ka përse ta bëjë një gjë të tillë, realiteti në TOB ia kalon imagjinatës. Ndër figurat e korit mund të shihje prerje dhe ngjyra flokësh që nga modelet e paradave në Bllok e deri tek ato më të thjeshtat.
Detaje të tilla në skenat e varfra shqiptare nuk janë pak për t'i quajtur rastësi. Vështirësitë ekonomike me të cilat përballen institucionet kulturore çdo sezon janë të mëdha, por kjo nuk do të thotë që duhet t'u shpëtojnë këto detaje që dëmtojnë vlerat artistike të veprës dhe të vetë artistëve. Kështu ndodh që në skenë të shohim një Don Zhuan të zjarrtë teksa i shpreh dashurinë të adhuruarës së tij, por sa keq që vëmendjen e tërheq shkëlqimi i unazës së martesës (në jetën reale). Më tej akoma në dramën që ende vazhdon të luhet në TK "Filumena Marturano", modeli i flokëve të Yllka Mujos nuk ndryshon shumë nga ai që aktorja duhet të mbajë në shtëpi. Një kapëse plastike që ka kapur kuturu flokët, ndërkohë që aktorja ka veshur një fustan shumë elegant të zi.
Grimi skenik nuk arrin të mbulojë dot plotësisht as andrallat që artistët kanë në jetën e përditshme. Nën lëkurën e një roli epik apo të një dashnoreje të zjarrtë nuk është e vështirë të shquash rrathët poshtë syve.
Më tej lista e detajeve të pavend në skenë mund të shtohet me këpucët, ku elementi më i dukshëm është sigurisht taka e tyre. Artiste të cilat mbipesha (dhjami) nuk i pengon aspak të veshin këpucë ma taka të larta e të holla majë gjilpërë, e për më tepër edhe të vrapojnë në skenë, kur e kërkon roli. Por duhet mbajtur parasysh se është e rrezikshme, jo vetëm se ortopedët nuk i sugjerojnë takat e këtij lloji, por aktorja apo këngëtarja mund të rrëzohet e të dëmtohet realisht mu aty ku puna ia do të bëjë gjoja.