E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncert festiv dhe marshim lutjeje për Pashkë

Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë (VUSH), si përfaqësuese e Komunitetit të Krishterë Ungjillor, me rastin e festës së Pashkës, më datë 12 prill, organizon një marshim lutjeje përgjatë Bulevardit Dëshmorët e Kombit, si dhe një koncert festiv në sheshin Nënë Tereza. Gjatë marshimit besimtarët do të luten për kombin shqiptar dhe institucionet shtetërore si: presidencën, qeverinë, parlamentin dhe Bashkinë e Tiranës. Marshimi do të nisë në orën11 e 45 dhe do të përfundojë me koncertin festiv në Sheshin Nënë Tereza. Në koncert janë të ftuar të marrin pjesë këngëtarë të mirënjohur të muzikës së lehtë shqiptare si Sajmir Braho, Juliana Pasha etj. Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë është themeluar në vitin 1892 nga rilindësit dhe atdhetarë të njohur si Gjerasim dhe Gjergj Qirjazi, Grigor Cilka, Fanka Efthimi etj. Komuniteti Ungjillor hapi shkollën e parë shqipe të vashave në Korçë në vitin 1891 si dhe ndihmoi në përhapjen e gjuhës shqipe. Të krishterët ungjillorë dhanë ndihmën e tyre përmes botimit të abetareve dhe gramatikave të gjuhës shqipe punë e cila kulmoi me organizimin dhe zhvillimin e Kongresit të Manastirit. Sot Komuniteti Ungjillor numëron mbi 180 kisha në gjithë Shqipërinë me mijëra besimtarë. Komuniteti Ungjillor po jep ndihmën e tij me anë të ngritjes së shkollave, shtëpive të fëmijës, shtëpive të të moshuarve, kurseve profesionale, klinikave shëndetësore, ndihmë ndaj të varfërve etj. Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë si përfaqësi e Komunitetit Ungjillor në vendin tonë është anëtare e Aleancës Ungjillore Botërore, e cila përfaqëson mbi 450 milionë të krishterë ungjillorë në të gjithë botën.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›