E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarë të viktimave të Otrantos, apel për drejtësi

Dy ditë përpara përvjetorit të sjelljes së trupave të viktimave që humbën jetën në tragjedinë  e Otrantos, ndërsa kanë rikujtuar përmasat e kësaj ngjarjeje, familjarët e viktimave kanë paralajmëruar se nuk do të rreshtin  deri sa ngjarja e asaj dite të zbardhet plotësisht.

Pushime Çala, kryetare e Shoqatës së “Familjarëve të Viktimave të Tragjedisë së Otrantos”, ka paralajmëruar zhvillimin e një proteste ditën e hënë, që përkon me 14 nëntorin, 14 vjetorin e sjelljes dhe varrosjes së trupave të viktimave.

“Nuk do të ndërpresim përpjekjet tona, derisa çdokush prej familjarëve apo të afërmve të shpërblehen në mënyrë të barabartë për çdo viktimë, sepse vetëm atëherë do të qetësojmë sadopak shpirtrat tanë”, deklaroi Çala. Familjarët u kanë bërë thirrje edhe qytetarëve të bashkohen me ta në këtë tubim proteste.

Lidhur me këtë ngjarje, në Gjykatën Penale të Leçes (Itali) është në proces një çështje gjyqësore, ndërkohë që një tjetër çështje civile është duke u zhvilluar në Gjykatën e Brindisit.

Të akuzuarit Fabricio Laudadio, kapiten i anijes ushtarake italiane “Sibila” dhe Namik Xhaferri, kapiten i “Kateri i Radës”, janë dënuar në shkallën e parë në gjykatën e Brindisit, respektivisht me 3 dhe 4 vjet burg.

Më 28 mars të vitit 1997, gjatë largimit drejt Italisë me anijen “Kateri i Radës”, humbën jetën 81 persona, mes të cilëve 46 gra e fëmijë, ndërkohë që 34 të tjerë mbijetuan.
/Start/E.B/

                                                                                             2011-11-12 17:17
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›