E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjarët e viktimave të Gërdecit: Shteti po na vret me indiferencën e vetNga TemaFamiljarët e viktimave të Gërdecit, duke marrë shkas nga vdekja e Kujtim Osmanit, i kanë dërguar një letër institucioneve kryesore të shtetit, duke kërkuar më shumë vë

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Familjarët e viktimave të Gërdecit: Shteti po na vret me indiferencën e vetNga Tema

Familjarët e viktimave të Gërdecit, duke marrë shkas nga vdekja e Kujtim Osmanit, i kanë dërguar një letër institucioneve kryesore të shtetit, duke kërkuar më shumë vëmendje. Ata shprehen se, shteti po i vret për të dytën herë me indiferencën dhe heshtjen e trajtimit të problemeve të tyre. Familjarët thonë se shteti nuk u ka ofruar asnjë shërbim social, ndihmë ekonomike, përkujdesje mjekësore apo detyrime të tjera për të zbutur pasojat e traumës që pësuan më 15 mars.

“Përveç 26 viktimave që humbën jetën në shpërthimin e mallkuar të 15 marsit 2008, kjo tragjedi vijon të marrë jetë njerëzish. Pak muaj më parë ka humbur jetën si pasojë e depresionit dhe përkeqësimit shëndetësor e psikologjik edhe e ndjera Naile Ahmeti. Dje, u shtua dhe viktima e 28, pas vetëvrasjes së Kujtim Osmanit, që prej disa javësh po përjetonte stres dhe depresion të skajshëm. I ndjeri Osmani ditët e fundit të jetës i kaloi nën trishtimin e humbjes së vajzës së tij, por edhe nën poshtërimin që të sjell mbetja pa punë. Ky rast denoncon edhe një herë kushtet çnjerëzore sociale e psikologjike që po përjetojnë familjarët e viktimave, të flakur në varfëri, papunësi, e probleme me strehimin, ndërkohë që fatkeqësia familjare nuk na lejon të përballojmë me të gjitha forcat tona këto probleme jetësore që na prekin. I drejtohemi institucioneve të së drejtës, i drejtohemi të gjithë qytetarëve që e duan drejtësinë të na mbështesin në rrugën tonë për t’i shpëtuar humnerës, drejt së cilës po na shtyn padrejtësia e indiferenca shtetërore. Ktheni vëmendjen drejt Gërdecit, kësaj plage së cilës, në rast se nuk i gjenden fajtorët, rrezikon të kthehet në kancer social. Kërkojmë të përshpejtohet shqyrtimi dhe procedimi i të gjitha çështjeve ligjore që kanë të bëjnë me padrejtësinë që i është kryer viktimave të Gërdecit. Gjithashtu kërkojmë në mënyrë urgjente ndihmë sociale e shërbime shëndetësore të aksesueshme për të gjithë familjarët e viktimave, të cilët në një vit e gjysmë janë lënë në indiferencë të plotë të enden dyerve të institucioneve pa marrë kurrë ndihmën që u takon”, - thuhet në letrën e tyre.

Letra

Drejtuar Presidentit të Republikës

Drejtuar institucioneve të drejtësisë dhe gjykatave të të gjitha shkallëve që janë duke shqyrtuar çështje të lidhura me Tragjedinë e Gërdecit.

Drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë të Drejtësisë

Drejtuar Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale

Drejtuar medieve, gazetarëve dhe të gjithë qytetarëve që ndajnë me ne besimin në triumfin e drejtësisë ndaj krimit tragjik të 15 marsit në Gërdec

Të nderuar bashkëqytetarë!

Dje mësuam me keqardhje lajmin e hidhur për humbjen e jetës të Kujtim Osmanit, njërit prej familjarëve të viktimave të Tragjedisë së Gërdecit.

Kjo tragjedi, që ka marrë me vete përgjithnjë shpirtrat e të dashurve tanë, ka lënë pas një mori hallesh e problemesh që po persekutojnë familjarët, sikur të mos mjaftonte rëndimi shpirtëror, moral e psikologjik i tyre.

Vetëvrasja e Kujtim Osmanit është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vëmendjes së shtetit ndaj viktimave të tragjedisë. I flakur në tragjedi familjare, pas humbjes së vajzës së tij, ky baba fatkeq 43-vjeçar është përballur edhe me vështirësi të mëdha ekonomike, e me papunësi e probleme të tjera individuale e sociale, të cilat natyrisht që kanë marrë shkak në depresionin e shkaktuar pas shpërthimit. Askush nuk i është gjendur pranë Kujtim Osmanit në momentet e tij të errëta, asnjë shërbim social, asnjë ndihmë ekonomike, asnjë përkujdesje mjekësore apo detyrime të tjera që shteti e institucionet duhet t’ia ofronin për të zbutur pasojat post-traumatike.

Përveç 26 viktimave që humbën jetën në shpërthimin e mallkuar të 15 marsit 2008, kjo tragjedi vijon të marrë jetë njerëzish. Pak muaj më parë ka humbur jetën si pasojë e depresionit dhe përkeqësimit shëndetësor e psikologjik edhe e ndjera Naile Ahmeti. Dje, u shtua dhe viktima e 28, pas vetëvrasjes së Kujtim Osmanit, që prej disa javësh po përjetonte stres dhe depresion të skajshëm. I ndjeri Osmani ditët e fundit të jetës së tij i kaloi nën trishtimin e humbjes së vajzës së tij, por edhe nën poshtërimin që të sjell mbetja pa punë. Ky rast denoncon edhe një herë kushtet çnjerëzore sociale e psikologjike që po përjetojnë familjarët e viktimave, të flakur në varfëri, papunësi, e probleme me strehimin, ndërkohë që fatkeqësia familjare nuk na lejon të përballojmë me të gjitha forcat tona këto probleme jetësore që na prekin.

I drejtohemi institucioneve të së drejtës, i drejtohemi të gjithë qytetarëve që e duan drejtësinë, të na mbështesin në rrugën tonë për t’i shpëtuar humnerës, drejt së cilës po na shtyn padrejtësia e indiferenca shtetërore. Ktheni vëmendjen drejt Gërdecit, kësaj plage së cilës, në rast se nuk i gjenden fajtorët, rrezikon të kthehet në kancer social.

Kërkojmë të përshpejtohet shqyrtimi dhe procedimi i të gjitha çështjeve ligjore që kanë të bëjnë me padrejtësinë që i është kryer viktimave të Gërdecit. Gjithashtu kërkojmë në mënyrë urgjente ndihmë sociale e shërbime shëndetësore të aksesueshme për të gjithë familjarët e viktimave, të cilët në një vit e gjysmë janë lënë në indiferencë të plotë të enden dyerve të institucioneve pa marrë kurrë ndihmën që u takon.

Të bindur që drejtësia nuk do të vonojë, dhe duke ngushëlluar për herë të dytë familjen Osmani.

Me respekt e me dhimbje!

Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit

“Stresi dhe dhimbja, pjesë e pandarë e jetës sonë”

Në një intervistë të dhënë më shumë se një muaj më parë për gazetën “TemA”, Zamira Durda pohonte faktin se, që prej 15 marsit, stresi dhe dhimbja janë kthyer në pjesë të pandara të jetës së tyre. Ajo pohonte se është shkatërruar si njeri dhe i duhet që të marrë tri herë në ditë ilaçe kundër stresit. “Që prej vdekjes së tim biri jam bërë tjetër njeri dhe nuk kam gjumë natën. Jeta tashmë më duket e pakuptimtë. Madje, që prej ditës tragjike stresi është bërë pjesë e pandarë e jetës sime. Për këtë marr ilaçe tri herë në ditë. Ashtu si unë janë edhe gjithë banorët e Gërdecit. Vetëm dëmi psikologjik që na kanë shkaktuar është i pariparueshëm, pasi na kanë transformuar si njerëz. Një gomë makine të pëlcasë dhe të gjithë kthejmë kokën, pasi ankthi dhe frika tashmë kanë zënë vend te ne”, - shprehet Zamira.

Sipas saj, ata nuk po kërkojnë asgjë nga shteti, veç trajtimit të tyre si njerëz dhe jo të tregohen kaq indiferentë ndaj dhimbjes së tyre. “Ne nuk po kërkojmë që të na trajtojnë ndryshe dhe të na favorizojnë. Ne kërkojmë vetëm të na kërkojnë falje publike për atë që na bënë. Duam që të na trajtojnë si njerëz me dinjitet dhe jo të tregohen indiferentë ndaj dhimbjes dhe tragjedisë sonë. Duam që të vendoset drejtësia, pasi nuk mund të shoh Mediun, ndërkohë që djali im ka vdekur. Ai duhet të ishte në shkollë sot dhe jo aty ku është. Përse djali im duhej që të humbiste jetën në atë mënyrë të tmerrshme?!”- thotë ajo.

Zamira Durda është shprehur edhe në lidhje me dëmshpërblimin e qeverisë, e cila, sipas saj, nuk ka asnjë vlerë përpara jetës së djalit të vet. “Për mua dëmshpërblimi material është gjëja me e parëndësishme, pasi unë kam humbur djalin tim të vogël. Është e vërtetë që qeveria na dëmshpërbleu për shtëpitë, po ç’rëndësi ka tashmë që unë nuk e kam më djalin tim. Për më tepër, edhe vlerësimi i dëmeve nuk ishte i drejtë, pasi një metër katror u vlerësua me vetëm 25 mijë lekë. Edhe për dhënien e pensionit qeveria na mashtroi. Shtëpinë kisha vetëm 5 muaj që e kisha ndërtuar, përpara se të më shkatërrohej nga shpërthimi i 15 marsit. Tashmë, kam tre muaj që e kam rregulluar sërish, po nuk më bëhet që të rri më në të, kur e di që djali im i vogël nuk do jetë më me mua. Kemi kërkuar një ligj të veçantë, në mënyrë që prindërit, bashkëshortët, fëmijët dhe të afërmit e tragjedisë të marrin pension. Por kjo kërkesë nuk na është plotësuar. Ime më, e cila punonte në fabrikën e Gërdecit dhe u plagos më 15 mars, merr pension vetëm 60 mijë lekë dhe këto i merr jo për tragjedinë, por për shkak të moshës. Ndërkohë, im vëlla, i cili gjithashtu mbeti i plagosur në tragjedinë e 15 marsit, merr nga shteti vetëm 37 mijë lekë të vjetra, të cilat nuk i dalin as për të paguar rrugën për në Durrës, ku dhe vazhdon shkollën e lartë”, - theksonte Zamira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›