E Diel, 1 Nëntor 2026

Fundi i darkësNga Albin Kurti Në një konferencë rajonale, kah fundi i darkës së përbashkët të pjesëmarrësve (të cilat si zakonisht janë shumë më të sinqerta se punimet e konferencës), në pauzë të të qeshurave zhurmuese, njëri prej këshilltarëve të kr

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Fundi i darkësNga Albin Kurti

Në një konferencë rajonale, kah fundi i darkës së përbashkët të pjesëmarrësve (të cilat si zakonisht janë shumë më të sinqerta se punimet e konferencës), në pauzë të të qeshurave zhurmuese, njëri prej këshilltarëve të kryetarit të Serbisë, ka deklaruar se nuk është e vërtetë që Serbia dëshiron ta ndajë Kosovën e Bosnjen. Mandej, ai e kishte përsëritur disa herë këtë qëndrim, duke iu kundërvënë, kështu, akuzave thumbuese të diplomatëve e politikanëve të ndryshëm që po darkonin në po të njëjtën tryezë të zgjatur. Gjersa po mbaronin me desertin, i cili nuk shihej nga shishet e zbrazura të verës, njëri prej pjesëmarrësve u pajtua me këshilltarin serb, duke i thënë që Serbia njëmend nuk e do ndarjen e Bosnjes dhe Kosovës, meqë dëshiron t’i marrë komplet ato (sic.). I lënduar nga ky cinizëm dhe i vetëdijshëm që s’kishte arritur t’i bindte aspak kolegët e tij nga rajoni, këshilltari i Boris Tadiccit nuk ishte përmbajtur dot më dhe kishte thënë që Serbia nuk dëshiron ta ndajë Bosnjen e Kosovën sepse vendi i tij do të bëhet një Rusi e vogël në Ballkan që t’i kontrollojë vendet përreth nëpërmjet satelitëve të saj. Në Bosnje e ka Republikën Serbe, në Mal të Zi i ka serbët që janë 30% të popullsisë dhe partitë e tyre, në Kosovë e ka veriun dhe enklavat e dirigjuara nga strukturat e Serbisë, kurse në Maqedoni ndikimi ushtrohet përmes Kishës Ortodokse Serbe. Nuk mund të bëjë Evropa asgjë pa Serbinë, kishte shtuar ai. Sa më i madh ndikimi politik, i tillë edhe ai ekonomik – suficitin më të madh tregtar Serbia e ka pikërisht me Bosnjen dhe Kosovën, kishte përfunduar ky këshilltar. Gjithë këtë bisedë e ka dëgjuar një i njohur imi nga Shqipëria, politikan që po merrte pjesë në këtë konferencë, e i cili duke mos e njohur edhe aq mirë politikën e Serbisë, ishte shastisur. Ai më tha që deri më tani ishte gëzuar që Serbia nuk po ia arrin që ta ndajë Bosnjen e Kosovës, porse asnjëherë nuk i kishte shkuar ndër mend që Serbia përfiton kaq shumë mu nga situata ekzistuese. Një fund i këtillë i darkës kishte shënuar edhe darkën e fundit të përbashkët në këtë konferencë. Në ditën vijuese, nuk i kishin bashkuar tavolinat atëherë kur po i zinin karriget: pjesëmarrësit ishin ushqyer qetë dhe të ndarë në grupe më të vogla.

Se BE-ja mendon që nuk mund të bëjë gjë në rajonin tonë pa Serbinë, po na e konfirmon sërish EULEX-i. Alberto Perduca, kreu i komponentës së drejtësisë në EULEX, të mërkurën i ka nisur negociatat me Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë për gjyqësorin në Kosovë. Sikurse me rastin e Protokollit për bashkëpunim policor, sërish bëhet fjalë për zbatimin e 6 Pikëshit në Kosovë, i cili e forcon rolin institucional dhe politik të Serbisë brenda Kosovës. Kësaj radhe, duket që marrëveshjen e tij me Serbinë në sferën e gjyqësisë EULEX-i nuk do ta quajë ‘Protokoll’, pasi që kjo fjalë tashmë ka marrur konotacion shumë negativ. Në mediat e Serbisë thuhet që Ministria e Drejtësisë së Serbisë i ka ngritur tri çështje për të cilat do të vazhdojnë negociatat: territori mbi të cilin shtrihen kompetencat e gjykatës në Mitrovicë; së dyti, çështja e gjykatës së shkallës së dytë dhe gjykatësve në të; dhe, së fundi, çështja se cili ligj do të zbatohet. Derisa po e shkruaj këtë artikull, në faqen e EULEX-it në internet ka njoftime edhe për gjëra krejt të parëndësishme, por jo edhe për këtë takimin e së mërkurës midis Perduca-s dhe zyrtarëve të Serbisë. Në njërën anë, mediat e Kosovës na tregojnë se si duhet t’i gëzohemi njohjes nga Zelanda e Re, të cilën e vendosin si kryelajm, ndërkaq të enjten vetëm njëra gazetë ditore në faqen e gjashtë e kishte shkurtimisht lajmin për Alberto Perduca-n në Beograd. Po politikanët kryesorë të Kosovës? Çfarë bëjnë apo thonë ata për këtë protokollin e ri të EULEX-it me Serbinë? Çka flasin politikanët e Kosovës në fund të darkave të tyre? Pasi që e hëngrën mirë e mirë buxhetin, tash si desert e kanë fushatën zgjedhore, në të cilën mendojnë për darkën e ardhshme. Tradicionalisht, organet që e bëjnë dirigjimin e politikanëve kosovarë janë gryka, lukthi dhe gjenitalet, jo truri ose zemra. Prandaj, shohim e dëgjojmë fushatë me pak debat e shumë reklamë. S’ka mundur të jetë ndryshe. Politikanët në Kosovë janë mall që shiten e blihen si mallrat. Në billboard-a ata figurojnë tamam si produkte. E synojnë identifikimin e qytetarëve me ta ashtu siç identifikohet konsumatori me produktin që e blen. Nëpër vendet e zhvilluara në reklama i ke telefonat Nokia apo veturat Peugeot, sepse atje ka prodhim e zhvillim ekonomik, kurse te ne i kemi Thaçin, Haradinajn, Pacollat etj., të cilët ashtu siç shiten e blihen vetë duan t’i blejnë edhe votat e qytetarëve.

Megjithatë, duhet të votojmë? Megjithatë, jo. E keqja më e madhe nuk është e keqja më e madhe. E keqja më e madhe është kur vazhdimisht përfundon duke e zgjedhur të keqen më të vogël. Duke votuar për të zgjedhur të keqen më të vogël, e keqja kurrë nuk largohet. Cilido kandidat që votohet humbja është e njëjtë: territori i decentralizuar etnikisht, pasuritë të privatizuara neoliberalisht, buxheti i keqpërdorur masivisht. Dramatizimi i nuancave të kandidatëve të bën shërbëtor të tyre.

Përgjatë këtyre dy dekadave të fundit, nëpër të gjitha vendet e Evropës Lindore, ka pasur së paku një javë apo muaj kur për çdo ditë janë mbushur rrugët e sheshet me qytetarë të cilët në protesta e demonstrata të vazhdueshme e kanë kontestuar komplet elitën politike dhe mënyrën e saj të qeverisjes. Vetëm pas atyre lëvizjeve të masave ka ndryshuar rrënjësisht politika, është ridefinuar ajo dhe kursi i saj. Vetëm më pas, votimet janë bërë zgjedhje përnjëmend. Ne ende s’e kemi bërë këtë gjë. Dhe, s’kemi çare pa e bërë herëdokur.

Kosova duhet t’i tregojë vetes e botës se kjo elitë politike dhe lloji i saj i qeverisjes nuk e përfaqëson popullin e saj. Duke i votuar politikanët brenda kornizës së njëjtë, ata po bëhen faktorë para ndërkombëtarëve dhe po imponohen para tyre në emër të të gjithë qytetarëve si faktor stabiliteti, duke mundësuar, kësisoj, vazhdimin e pasurimit vetjak. Këto zgjedhje lokale janë veçse ventil amortizues që mirëmban koalicionin qendror qeveritar. Mosvotimi është mosvotim drejt krijimit të masës kritike të qytetarëve që do të ngrihen kundër elitës politike në tërësi dhe mënyrave të saj.

E, ata që frikësohen dhe preokupohen se si mund të bëhet më keq, se si mund të humbasim shumë, ani se kemi fare pak dhe gjithnjë e më pak, ata që preferojnë që ne të vazhdojmë të vdesim nëpër lumenj të huaj e të mos protestojmë në rrugët tona - atyre nuk iu mbetet tjetër veçse të durojnë, apo jo? Dhe, mbase edhe të votojnë, e të shikojnë në fund se si zbriti (prapë) filani e hypi (prapë) fisteku.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›