Furtunat e vendit boshNga Prof. Dr. Artan Fuga- Parathënie e librit të gazetares Luljeta Progni “Trashëgimtarët - Partia Socialiste mes transformimeve dhe vazhdimësisë” që vjen në treg nga shtëpia botuese “Ideart” Luljeta Progni paraqet këtë lib
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Furtunat e vendit boshNga Prof. Dr. Artan Fuga- Parathënie e librit të gazetares Luljeta Progni “Trashëgimtarët - Partia Socialiste mes transformimeve dhe vazhdimësisë” që vjen në treg nga shtëpia botuese “Ideart”
Luljeta Progni paraqet këtë libër mbi ecurinë e një formacioni shumë të rëndësishëm politik shqiptar, atë të Partisë Socialiste.
Lexuesi do të gjejë aty kallëzime që me siguri i dëgjon dhe lexon për herë të parë, rrëfime jo vetëm mbi fasadën, por edhe kulisat, që autorja i ka mbledhur, qëmtuar dhe paraqitur me kujdesin e një dore delikate.
Mbi të gjitha, ajo ka arritur që për herë të parë në studimet shqiptare të shkëpusë disa intervista të rëndësishme të njerëzve që e themeluan atë parti, ashtu sikurse ditën, me të mirat dhe të këqijat e çdo akti historik themelues.
Çdo akt themelues në fakt i ngjan fatit të monumenteve të figurave historike. Njeriu që qëndron në piedestal është tragjik, cilido qoftë, sepse në histori shpeshherë gabimet korrigjohen me gabime edhe më të mëdha. Çdo personalitet historik ka anët e veta që një pjesë e shoqërisë i vlerëson, por edhe kufizimet, “mëkatet” që ia gjykojnë pasardhësit.
Çdo akt themelimi më pas shfaqet sikurse ka qenë, por vetëm pjesërisht, shoqëruar fatalisht edhe me një mjegull dhe me anë që mbeten disi mister dhe të pashpjegueshme për ata që vijnë më pas.
Lloj-lloj manipulatorësh iu tregojnë brezave që vijnë historira që as kanë qenë fare, por ndofta kanë lindur më pas si vegime të paqena në realitet nga dëshira të munguara. Janë të “vërteta të shkallëve” do të thoshte historiani. Ato fjalë që s’u thanë dot në vendin dhe kohën e duhur, por që u menduan më vonë me një ndjenjë brejtje: “Ah, kur s’e thashë edhe këtë gjë …!” Pas disa vitesh, fjalët dhe veprat e munguara kujtesa i merr për të konsumuara realisht, i merr si të vërteta.
Një lloj zbukurimi i së shkuarës.
Aktin themelues, sikurse origjinën e çdo gjëje në botë, e mbulojnë me mister sepse akti i krijimit është gjëja më sublime në botë. Që nga lindja e fëmijës deri në lindjen e shteteve. A nuk diskutohet sot edhe pas dymijë vjetësh se Jezusi u ngrit dhe u ngjall si shpirt në një jetë të amshuar, por ajo shprishje dhe hapje e dukshme empirikisht e vendit ku prehej pa jetë çfarë ishte! Çfarë lidhje kishte ngritja e shpirtit me ngritjen e trupit?!
Aktin themelues sigurisht që e mbulojnë me re e tym edhe militantë të rinj që zënë vend në tribuna. Që në qytetërimet e lashta tabuja lidhet me totemin. Nuk ka totem pa tabu - do të shprehej Frojdi - dhe nuk ka tabu pa totem. Themeluesit pra shoqërohen përherë me aktin e ndalimit. Ka ndalesa, të pathëna, të pathënëshme, për origjinat e gjithçkaje në botë. Një origjinë e pastër nuk është veçse një mit i marrë si i vërtetë.
Këtë vështirësi madhore, pothuajse të pakapërcyeshme, ky libër e përball me dinjitet.
Më në fund aktorë të rëndësishëm të themelimit të Partisë Socialiste kanë folur më shumë se më parë. Për meritë të autores, së pari, e cila ka shpallur kompetencat e saj shumë të mira si gazetare, por edhe si studiuese e re. Por, edhe se një pjesë e tyre, siç duket, janë mërzitur ndopak duke parë individë që pa pasur asnjë rol në procesin që përshkruhet e ndriçohet këtu rrëfejnë paksa rrejshëm ndodhira të paqena. Ndofta edhe se mosha bën të vetën dhe në një moment të caktuar të jetës përballja e gjithkujt me detyrën e dëftimit të së vërtetës në publik bëhet një tentacion i paevitueshëm. Ndofta sepse tani liria i ka dhënë gjithkujt mundësira për të mos pasur asnjë pengesë psikologjike për të treguar.
Luljeta Progni ka rindërtuar nëpërmjet një vështrimi të mprehtë ndryshimet, transformimet, por edhe trashëgiminë e Partisë Socialiste, në përpjekjen e madhe të gjetjes së rolit të vet dhe të kontributit të vet të pamohueshëm në historinë politike të vendit. Lexuesi do të gjejë të vërteta të zhveshura nga inate dhe pasione, do të ketë rast të shijojë një stil të shpejtë, telegrafik, të pabezdisshëm, por plot informacion.
Në libër ndjehen problemet më të mprehta që ka pasur në rrugën e vet Partia Socialiste.
Fillimisht ai i lidhjes së partisë me elektoratin e majtë.
Në vitet e para ’90, mënyra e lidhjes së partisë me elektoratin e majtë ishte sa e thjeshtë, e natyrshme, aq edhe arkaike. Ishin radhët e disiplinuara të militantëve të partisë së punës që ishin mësuar të ndiqnin pas besnikërisht trashëgimtarin e radhës në udhëheqje.
Mao-Ce-Dun, Lin Biao, Hua Kuo Fen, Ten Hsiao-Pin, çfarë rëndësie ka se kush drejton, rëndësi ka që është në drejtim!
Por, vitet 1998-2005, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet e shprishin këtë lidhje. Mëkati i pushtetit ndjek nga pas këdo. Pa mohuar gjithçka që erdhi në ato vite si përmirësim i shoqërisë shqiptare, nuk mund të dyshohet, besoj, se pushtetari socialist, pasaniku socialist dhe militanti i varfër socialist nuk ishin më në atë lidhje besimi si më parë mes tyre.
Ka nevojë tashmë për një ideologji, formulë programi, një lidhje të re, e cila ose nuk gjendet dot, ose është ende larg së ngjizuri në mendjet e atyre që ka ndjeshmëri të majta. Zaten që në themelim, partia nuk ishte produkt i inspirimit të majtë ideologjik, ishte më shumë një instrument përballje nga njëra anë me një trashëgimi njerëzore dhe politike që po i zinte frymën, çatia po binte mbi kokë, por edhe me nevojat e luftës politike të fillimit të tranzicionit.
Vështirësia e dytë, sikurse lexohet, ishte edhe ajo epokale. Partia Socialiste po shkonte me njëfarë besimi naiv drejt social-demokracisë evropiane, si pasojë e rënies së murit të Berlinit. Por, pikërisht ky fakt i fundit, mbarimi i Luftës së Ftohtë mbi gërmadhat e murit ndarës të Lindjes dhe Perëndimit, ndikoi që socialdemokracia evropiane të hynte në krizë, dhe të mos e gjejë dot më veten as sikurse ishte më parë, as se si duhej të ishte në të ardhmen.
Ne kështu na ndodh shpesh në histori, mbërrijmë në disa stacione pasi treni i të tjerëve, i historisë, ka ikur që andej.
Partia Socialiste po shkonte me naivitetin e dikujt që dëshiron të përmirësohet pas një historie të dhimbshme luftërash, fajesh, gabimesh, dramash, drejt së majtës evropiane, pikërisht kur e majta evropiane po hynte në një fazë krize ideologjike, programore, politike. Po hynte në një periudhë luftërash të brendshme mes individësh e fraksionesh që dëshironin të mbanin pushtetin bosh brendapartiak.
Nuk kishte asnjë faj për impasin e ri që historia i kishte ngritur. Brenda kësaj sfide, drejtuesit socialistë, Fatos Nano i pari, nuk kishin çfarë të bënin tjetër, me zgjuarsi, veçse të zbehnin lidhjet me socialistët evropianë, t’i mbanin ato thjesht në një nivel simbolik, pra të ruheshin për t’u quajtur të majtë të pastër. Kishte krizë identiteti të prejardhur nga karakteristikat e epokës.
Një sfidë tjetër ndofta ka vend të mendohet edhe një herë.
Ishte në të vërtetë Partia e Punës e Shqipërisë një parti e majtë?
Nuk e besoj. Sipas meje, sigurisht kishte në fondin e saj edhe praktika dhe mentalitete të një të majte ekstreme diktatoriale, por edhe politika të djathta konservatore dhe tepër ekstreme gjithashtu. Ishte një pleksje parametrash politikë, ekonomikë, socialë, psikologjikë të majtë dhe të djathtë autoritarë, sikurse ishin këto kultura politike në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Janë këto dy krahë të majtë dhe të djathtë që shpërthejnë duke dhënë impulse, edhe drejt së majtës, edhe drejt së djathtës politike që ristrukturohen secila në drejtimin e vet në periudhën e tranzicionit demokratik.
Qëndrimi autoritar ndaj popullit, ashpërsia e dhunës ndaj kundërshtarëve, censura e fortë dhe shumë e rreptë, izolimi, bazimi te vlera konservatore të popullsisë tradicionale rurale dhe të kulturës së saj konservatore, etj., dukuri si këto, ishin jo vetëm “pronë” e së majtës së pas-Luftës së Dytë Botërore, por edhe të regjimeve të djathta ultrakonservatore si ai i Portugalisë, Spanjës etj.
Edhe sot Partia Socialiste përsëri luhatet midis identitetit të majtë dhe atij të djathtë. Ende nuk e ka zgjidhur këtë problem.
Po ashtu, në planin psikologjik, brenda partisë socialiste vazhdojnë të ndihen problematikat, dramat, tensionet, luftërat “fratricide” në një situatë “postpatricide”.
Është një model psikologjik që psikanalitikisht mbetet i njohur edhe i qartë. Pasi drejtuesit e dikurshëm të Partisë së Punës ranë nga piedestalet, është vendi bosh që shkakton tufane, tajfune, tornado, pikërisht me boshësinë e vet. Gjithkush që merr drejtimin në parti është i dënuar të shihet me një vështrim kontradiktor. Nga njëra anë përfiton nga hija e dikurshme e “atit” të vrarë, sikurse do të thoshte Frojdi: të ngrënë mish e kocka në një vakt festiv brenda një arome dehëse alkooli dhe vajrash prej aroma lulesh, trullosës, ere gjaku dhe turbullire gëzimi, shprese dhe hakmarrjeje. Por, nga ana tjetër, bart mbi supe shikimin e zhvlerësimit: “Kush je ti para “atit” të “vrarë”?”
Ende përjetimi i “fajit kolektiv” të vrasjes së totemit fillestar rëndon mbi ndërgjegjen e militantëve dhe drejtuesve.
“Ti që “rrëzove” atin e radhës nga piedestali, edhe ti do të rrëzohesh!”
Nuk shpjegohet dot ndryshe fiksimi kolektiv pothuajse patologjik rreth institucionit të dorëheqjes së drejtuesit të radhës. Zjarri dhe patosi i debatit rreth kësaj teme nuk shuhet. Është një lloji mërzie, melankolie, dëshpërimi që vazhdon nga boshësia e monumentit të rrëzuar dhe që si pa kuptuar vazhdon të bjerë si makth mbi kokat e liderëve të radhës në parti. Kapje e vendit bosh, por edhe dëshirë për vendin bosh.
Kjo është sindroma i trashëgimtarit.
Kjo është arsyeja që e gjej me shumë vend titullin që Luljeta Progni i ka vendosur librit të saj.
Edhe dy fjalë për kulturën e majtë demokratike që mungon në ndërgjegjen tonë kolektive si popull.
E majta demokratike evropiane nuk është produkt i të varfrit, por i një kulture që e gjen idealin e vet te jeta e njeriut të thjeshtë, i cili e përbuz pasurinë dhe jetën sipas vlerave të saj. I duket se jeta larg etheve të pasurisë, konkurrencës, diferencimit klasor, është më e mirë në qetësinë edhe solidaritetin e paqes, dashurisë, mirëkuptimit, kohës që i kushtohet kulturës, mjedisit, njerëzve në hall.
Mirëpo te ne kultura e të majtit nuk është kjo. Është dëshira për të ardhur në pushtet, për t’i ikur varfërisë dhe mjeteve modeste të jetesës, për t’u pasuruar.
I majti evropian, flas për kulturën e majtë popullore, refuzon të jetojë si i pasur. Është një kulturë që vjen në fakt nga një frymëzim i krishterë katolik. Kurse te ne kultura popullore e majtë aspiron pasurimin dhe pushtetin. Këtu ajo hyn në konflikt me veten e vet. Te ne katolicizmi popullor, sekular, jo vetëm ka qenë prej shekujsh në minorancë demografike, por nuk ka qenë pothuajse asnjëherë i majtë. E majta nuk ka ardhur nga kultura katolike, katolicizmi popullor nuk ka qenë asnjëherë i majtë. Kjo kontradiktë ndodhet përballë sfidave socialiste në vend.
Sidoqoftë historia e bën rrugën e vet.
Gjykoj se libri që lexuesi merr në dorë, shkruar me elegancë nga Luljeta Progni, ka vlera pikërisht se ai hedh dritë mbi ngjarje të historisë sonë të kohëve të sotme, me objektivitet, sinqeritet, stil, dhe e bën historinë të flasë jo vetëm me analizat e veta, por edhe me gojën e pjesëmarrësve.