Një promovim i keq për Kadarenë!Nga Kristi PinderiNjë universitet privat mundëson më në fund praninë e shkrimtarit të madh në një promovim të veprës së tij, teksa studentët shtyhen në radhë pas derës për të marrë pjesë në këtë event, por lihen jashtë
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një promovim i keq për Kadarenë!Nga Kristi PinderiNjë universitet privat mundëson më në fund praninë e shkrimtarit të madh në një promovim të veprës së tij, teksa studentët shtyhen në radhë pas derës për të marrë pjesë në këtë event, por lihen jashtë! Kadare befasohet dhe konfuzohet nga pyetjet e çuditshme të gazetarëve… “Onufri” publikon kolanën e plotë të veprave të Kadaresë, që përmban edhe vepra të pabotuara më parë. Kadare replikon me kritikët: “Unë nuk jam në kulmin e krijimtarisë sime”…
Në hyrje të Universitetit Evropian të Tiranës, Jona, një 20-vjeçare nga Tirana, që studion në këtë institucion, i lutej rojës që ta lejonte të hynte në sallën ku po promovohej vepra e plotë e shkrimtarit Ismail Kadare, botuar nga shtëpia botuese “Onufri”.
Jona, lexuese e rregullt e Kadaresë, kishte dëshirë t’i bënte nja dy pyetje shkrimtarit të saj të preferuar.
“Je studente?” - e pyeti roja. “Po”, - iu përgjigj Jona. “Atëherë, - vazhdoi roja pa një çadër në atë pasdite me shi, - sot hyr në shkollë nga dera mbrapa, se po zhvillohet një aktivitet me Kadarenë këtu dhe nuk lejohen studentët!”
“Po unë kam ardhur pikërisht për atë aktivitet”, - iu ankua vajza energjike!
“Kam urdhër të lejoj të futen vetëm studentët që janë pjesë e qeverisë studentore, të tjerët jo, se bëhet kaos i madh pastaj, ngaqë ka shumë të ftuar dhe s’ka vend për të gjithë”, - iu përgjigj roja autoritar, rreth të dyzetave, i veshur hollë, në një mënyrë shumë modeste!
Salla ku do të promovohej kolana e plotë e veprave të Kadaresë, e cila përmban edhe një roman të tërë të pabotuar më parë, si edhe një vepër që vetë Kadare e quajti “eksperimentale”, shumë afër një skenari filmi e që e titulloi “Për një art tjetër”, u mbush befas me shumë operatorë! Ngjitur me trekëmbëshat e kamerave qëndronin edhe shumë gazetarë të kulturës.
Më tej, dukeshin disa të rinj, që duhet të ishin përfaqësues të qeverisë studentore. Ndërsa nuk mund të mos dalloje edhe disa nga emrat më të njohur të kulturës e të jetës publike shqiptare, të cilët qëndruan gjatë gjithë kohës në fundin e sallës.
Një prej drejtuesve të universitetit dukej gjithë kohën i shqetësuar dhe i vëmendshëm për të parë orën. Dilte jashtë dhe u tregonte studentëve derën tjetër. “Kush ka ardhur për leksionin me profesor Artan Fugën të kalojë nga dera tjetër e të shkojë në sallën 409. Librat e Kadaresë do t’i keni që nesër në librarinë e shkollës. Tani hapeni rrugën që të futen të ftuarit…!”
Jona u dorëzua, dhe preferoi që të nesërmen ta blejë librin e fundit të Kadaresë, “E Penguara” e ndërkohë të ndiqte leksionin e profesor Artan Fugës në sallën me numër 409…
Mark Marku: Kadare, në kulmin e krijimtarisë. Vetë Kadare: Nuk është e vërtetë!
Ismail Kadareja u konfuzua, teksa hyri në sallën kryesore të këtij universiteti, e nuk gjeti profesorët dhe studentët, siç me siguri ishte njoftuar, por gjeti një pothuajse-turmë njerëzish të njohur nga ekrani dhe të lagur nga shiu, të cilët pengoheshin nga një armatë operatorësh e gazetarësh të rinj në rreshtin e parë!
Asgjë përreth asaj salle dhe as edhe një detaj tjetër nuk mund të përmbushte dëshirën dhe ambicien e një shkrimtari botërisht të njohur, të vlerësuar e të përkthyer në mbi 40 gjuhë të botës, për të pasur një promovim unikal në jetën e tij profesionale: atë të kolanës së plotë, luksoze, të veprës së vet!
Ajo që po ndodhte në atë sallë, të ngjante me një rrëmujë të kontrolluar, po as edhe pak me atë që duhet të ishte promovimi i veprave të shkrimtarit më të njohur shqiptar!
Ky tension i menaxhuar më së miri me studentët në hyrje të universitetit dhe madje gjithë pengu i atyre që nuk u lejuan të hynin në atë event, nuk ishte asgjë para mediokritetit që u krijua në sallë, menjëherë sapo u ndez mikrofoni dhe sapo shkrimtari që pak kohë më parë u nderua si “Princ i Asturias” para familjes mbretërore spanjolle, u detyrua të shkonte shpejt e shpejt para mikrofonit! Rrugës, Kadare hoqi pardesynë dhe shallin dhe nuk po gjente dot një vend ku t’i vendoste, kur befas katër apo pesë njerëz të panjohur nga salla u sulën dhe me përulje i morën dhe i vendosën në një karrige aty ngjitur me podiumin!
Fillimisht foli administratori i UET, Henri Çili, i cili tha se “shumë breza janë rritur dhe do të rriten me emrin dhe librat e Ismail Kadaresë, sepse është në fakt një emër i madh që i bën nder shqiptarëve”. Fill pas tij foli botuesi Bujar Hudhri, i cili diçka tha (të zakonshme falënderime në të tilla raste) në lidhje me sa i nderuar ndihet për këtë bashkëpunim tashmë 15-vjeçar të shtëpisë së tij botuese me shkrimtarin Ismail Kadare...! Por nuk e zgjati dhe fjalën e mori pas tij, po shpejt e shpejt, kritiku Mark Marku, që ka bërë edhe parathënien e kolanës së veprës së plotë të Kadaresë.
Marku, pasi theksoi se kurrë gjuha shqipe nuk ka qenë kaq e çmuar sa te vepra e Ismail Kadaresë” dhe se “ai (Kadare) është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj të letërsisë botërore. Është klasik i gjallë i letërsisë evropiane dhe asaj botërore”, nuk vonoi të ndërhynte më tej: “Ismail Kadare është, jo vetëm shkrimtari ynë më i madh, por është njëkohësisht fat i madh për ne që ai është në kulmin e prodhimtarisë së tij”!
Këtu e mori fjalën vetë Ismail Kadare, i cili, me siguri kurrë nuk do ta kishte menduar dot se promovimi i librit të tij më të fundit e bashkë me të edhe i kolanës së plotë të veprave të tij do të zhvillohej në atë formë, në atë trysni të tipit “shpejt e shpejt, se rëndësi ka të jetë Kadareja në sallë, asgjë tjetër nuk vlen para tij”.
“Unë nuk jam në kulmin e krijimtarisë sime”, -saktësoi shkrimtari, duke iu referuar asaj që para tij tha kritiku Mark Marku, i sapozgjedhur deputet, “unë e kam thënë dhe herë të tjera një gjë të tillë, e fakti se po botoj libra të rinj nuk tregon se unë jam në kulmin e krijimtarisë sime”!
“Kjo është thjesht rastësi”, - shtoi ai me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë.
“Unë nuk para kam qenë i pranishëm në promovimet e librave të mi në Shqipëri, këto vitet e fundit, dhe nuk e kam idenë se si zhvillohen këto promovime, po, nëse keni ndonjë pyetje, ju lutem ma bëni dhe unë do isha i lumtur t’u përgjigjesha deri në fund”, - e mbylli pa e filluar mirë fjalën e tij Kadare!
Në këtë moment, ndërhyri administratori i UET dhe ftoi gazetarët të bënin pyetjet e tyre. Pyetje, që në fakt, treguan edhe njëherë se në çfarë niveli mediokër vazhdon të notojnë faqet kulturore të gazetave shqiptare, si dhe hapësirat kulturore të medies vizive...
Libri i fundit i Kadaresë, për Drita Çomon apo për të gjitha femrat e internuara?
“Ju keni shumë botues... si ndiheni për këtë gjë?”- e pyeti e para një gazetare televizioni Kadarenë, i cili i kërkoi të sqarohej më shumë duke i thënë: “Po, kam shumë botues, në çdo vend ku botohen veprat e mia, e kam një botues. Çfarë doni të dini konkretisht?”
“Jo, - e ndërpreu gazetarja dhe filloi të belbëzonte... - doja të dija si e keni marrëdhënien me lexuesit e rinj...?”
Pas kësaj nuk pati asnjë pyetje dhe, ngaqë shkrimtari i madh ishte aty, i pranishëm, më në fund, administratori i UET nisi dhe i ftoi gazetarët e pranishëm emër pas emri që t’i bënin pyetje! E nisi duke shqiptuar emrin e një gazetareje të njohur në një televizion të rëndësishëm. Por gazetarja u përgjigj: “Jo, jo, s’kam pyetje, unë e kam intervistuar dje Kadarenë, po meqë nuk është kuptuar mirë, ndoshta do të ishte me vend të na sqaronte se libri i tij i fundit nuk ka lidhje konkrete me Drita Çomon, vajzën e Liri Belishovës. Është e vërtetë zoti Kadare?”
“Libri im i fundit flet, ashtu siç mund të kuptohet edhe nga titulli, për një vajzë të penguar. Në traditën e letërsisë botërore, E Penguara është e lidhur me fatin, ndërsa në librin tim unë flas për një tjetër pengesë, për një pengesë që vjen nga shteti!”
“Pse zgjodhët pikërisht vajzat e internuara për të bërë librin tuaj të fundit?”- ndërhyn, një tjetër gazetar. “Kjo është një pyetje që nuk mund t’i bëhet një shkrimtari, - thotë Kadare, - unë kam pasur gjithmonë të njëjtën ndjeshmëri ndaj popullit, por kam zgjedhur këtë temë, pasi më kanë prekur brengat e vajzave shqiptare nën diktaturë. Këtu e 30 vjet më parë unë kam bërë dhe një poezi që u diskutua shumë atëherë, me titull “Mësueset e fshatit”, pasi shprehja me të ndjeshmërinë ndaj femrave shqiptare që jetonin shtypjen e diktaturës. Patjetër të gjithë kanë vuajtur, por mendoj se femrat shqiptare e kanë thithur më shumë brengën shqiptare të atyre viteve. Dhe ato që ishin të internuara, edhe më shumë, pasi kanë jetuar tragjedi të vërteta”. Libri im i fundit, i cili është një fiction, - saktësoi shkrimtari, - nuk lidhet me emrin e përveçëm të një njeriu, por me fatin e të gjitha femrave shqiptare të internuara”.
Me kaq mbaroi ky promovim! Teksa Kadare iu përgjigjej atyre pyetjeve mediokre, njerëzit në atë sallë shtyheshin, ndërkohë që një kamerier tentonte të ruante gotat me verë në tabaka. Ai ishte i pari që iu afrua shkrimtarit, pasi administratori i universitetit e njoftoi të mbyllur seancën “pyetje-përgjigje” me Kadarenë, dhe i ftoi të pranishmit në një koktej...
Ndërsa Jona, dhe gjithë studentët e tjerë jo më të mëdhenj në moshë se 20 vjeç, nuk mundën ta takonin shkrimtarin e tyre të preferuar...