Familjarët e viktimave të Gërdecit, peticion Kuvendit: Duam imunitetin e MediutNga TemaAksioni i familjarëve të viktimave të Gërdecit për t’i shkuar deri në fund gjykimit të të gjithë personave përgjegjës të tragjedisë së 15 marsit, i ka drejtuar dje
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Familjarët e viktimave të Gërdecit, peticion Kuvendit: Duam imunitetin e MediutNga TemaAksioni i familjarëve të viktimave të Gërdecit për t’i shkuar deri në fund gjykimit të të gjithë personave përgjegjës të tragjedisë së 15 marsit, i ka drejtuar dje një peticion Kuvendit të Republikës. Me anë të këtij peticioni, Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit ka kërkuar heqjen e imunitetit të deputetit Fatmir Mediu. Familjarët e viktimave e kanë dorëzuar këtë peticion në kohën që në Kuvend hynin deputetët e mazhorancës, mes të cilëve edhe i akuzuari nga ata si përgjegjës për tragjedinë, Fatmir Mediu. Në peticionin e tyre, të afërmit e viktimave të 15 marsit i kanë kujtuar kryeministrit Berisha që të mbajë premtimin për heqjen e imunitetit të kujtdo deputetit që akuzohet. “Nëse premtimi publik i z. Berisha dhe mazhorancës parlamentare që ai përfaqëson, është për t’u marrë i mirëqenë, atëherë do të çelej rruga e procedimit, jo vetëm për veprat penale të plagosjeve të rënda e të lehta, por edhe ato që ndiqen nga Prokuroria e Përgjithshme për shpërdorim detyre, vrasje, shkatërrim prone, mosrespektim i rregullave të operimit me lëndët plasëse etj.
Nëse ky premtim është i sinqertë, atëherë askush nga të pandehurit nuk do mund t’i fshihet drejtësisë dhe kjo e fundit do triumfojë”, - thuhet në peticionin e Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Gërdecit. Familjarët e viktimave i kanë kujtuar gjithashtu kryeministrit Berisha faktin se, pavarësisht se shteti u ka shkaktuar tragjedinë më të madhe që mund t’u ndodhte, i ka lënë ata në mëshirë të fatit. Për këtë arsye, duke përmendur rastin e Kujtim Osmanit, i cili humbi jetën pak javë më parë, ata kërkuan më shumë vëmendje nga ana e shtetit. “Kjo tragjedi që ka marrë me vete përgjithnjë shpirtrat e të dashurve tanë, ka lënë pas një mori hallesh e problemesh që po persekutojnë familjarët, sikur të mos mjaftonte rëndimi shpirtëror, moral e psikologjik i tyre”, - thonë familjarët e viktimave të 15 marsit.
Peticioni
Nga: Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit
Drejtuar: Kuvendit të Republikës së Shqipërisë
Për dijeni: Medieve, gazetarëve dhe të gjithë qytetarëve që ndajnë me ne besimin në triumfin e drejtësisë ndaj krimit tragjik të 15 marsit në Gërdec
Të nderuar deputetë,
Të nderuar bashkëqytetarë,
Në emër të Shoqatës së Familjarëve të Viktimave të Shpërthimit të Gërdecit, po ju drejtohemi Juve me këtë kërkesë të paprecedent, ashtu siç edhe ishte e paprecedent ajo që ndodhi në Gërdec më 15 mars 2008 dhe po aq e paprecedent ishte edhe ajo që ndodhi në Gjykatën e Lartë, kur kjo e fundit konstatoi se vullneti Juaj i pashprehur rishtas ishte një mburojë për të akuzuarin kryesor të kësaj tragjedie.
Shoqata jonë, në emër të të gjithë familjarëve të viktimave, të plagosurve, të dëmtuarve materialisht dhe në emër të çdo shqiptari të përgjegjshëm, që ndjen që Shqipëria është damkosur rëndë nga produkti i makutërisë kriminale të disa individëve, kërkon vënien e tyre përpara drejtësisë.
Kjo tragjedi që ka marrë me vete përgjithnjë shpirtrat e të dashurve tanë, ka lënë pas një mori hallesh e problemesh që po persekutojnë familjarët, sikur të mos mjaftonte rëndimi shpirtëror, moral e psikologjik i tyre. Vetëvrasja e Kujtim Osmanit është një tjetër pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vëmendjes së shtetit ndaj viktimave të tragjedisë. I flakur në tragjedi familjare, pas humbjes së vajzës së tij, ky baba fatkeq 43-vjeçar është përballur edhe me vështirësi të mëdha ekonomike, e me papunësi e probleme të tjera individuale e sociale, të cilat natyrisht që kanë marrë shkak në depresionin e shkaktuar pas shpërthimit.
Përveç 26 viktimave që humbën jetën në shpërthimin e mallkuar të 15 marsit 2008, kjo tragjedi po vijon të marrë jetë njerëzish. Pak muaj më parë ka humbur jetën si pasojë e depresionit dhe përkeqësimit shëndetësor e psikologjik edhe e ndjera Naile Ahmeti, duke e rritur numrin e viktimave në 28.
Kjo situatë e rënduar që nga data e shpërthimit e në vazhdim, ka detyrimin, jo vetëm moral, por edhe ligjor, që të marrë zgjidhje. Shenjat e para dhe qarta të distancimit që e lënë pa zgjidhje këtë çështje, kanë filluar të vijnë nga disa institucione.
Nën këtë trysni të pashmangshme, mazhoranca dhe kreu i saj, z. Berisha, ka deklaruar publikisht që do të mbajë qëndrim të njëanshëm lidhur me kuadrin e ri ligjor për imunitetet e deputetëve, si dhe ai është shprehur që do të pranojë pa kushte të gjitha kërkesat që do të vijnë për shqyrtim.
Në këto kushte, ju vëmë në dijeni se Shoqata jonë ka vënë në lëvizje organet e drejtësisë me anën e të gjithë instrumenteve që njeh ligji, dhe së shpejti pranë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë do të mbërrijë kërkesa nga Gjykata e Lartë për të autorizuar procedimin penal të deputetit Fatmir Mediu. Gjykata e Lartë do e kryejë këtë veprim në kuadër të procedimit të kërkesës së të dëmtuarve akuzues për plagosje, dhe në një rast të tillë kërkesat për procedim paraqiten nga gjykata dhe jo nga prokuroria, siç dikton edhe Vendimi nr. 39, dt. 23.06.2000 i Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë situatë, presim nga ana Juaj që, jo vetëm të dorëzoni pa kushte deputetin e akuzuar përpara drejtësisë, por edhe t’i çelni rrugën çdo lloj procedimi ndaj këtij personi. Mos harroni se nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është vënë në dispozicion të Kuvendit një dosje voluminoze, që fakton veprimet dhe mosveprimet e kundërligjshme të z. Fatmir Mediu dhe se Kuvendi gjithashtu disponon edhe raportin përkatës që ka rekomanduar heqjen e imunitetit të tij. Këtu vlen për të shtuar se edhe Vendimi nr. 185 dt. 16.06.2008 është një shprehje e vullnetit Tuaj, të cilin e presim të ri-shprehet në të njëjtën formë dhe pa asnjë rezervë.
Nëse premtimi publik i z. Berisha dhe mazhorancës parlamentare që ai përfaqëson, është për t’u marrë i mirëqenë, atëherë do të çelej rruga e procedimit, jo vetëm për veprat penale të plagosjeve të rënda e të lehta, por edhe ato që ndiqen nga Prokuroria e Përgjithshme për shpërdorim detyre, vrasje, shkatërrim prone, mosrespektim i rregullave të operimit me lëndët plasëse etj.
Nëse ky premtim është i sinqertë, atëherë askush nga të pandehurit nuk do mund t’i fshihet drejtësisë dhe kjo e fundit do triumfojë.
Me respekt, Shoqata e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit
Kryetar, Feruzan Durdaj