E Diel, 1 Nëntor 2026

Energjia, kriza dhe nafta ndryshojnë tregunNga Ervin QafmollaZyrtarë të qeverisë shqiptare deklaruan këto ditë se TEC-i i Vlorës mund të mos performojë “ekzaktësisht” sikundër ishte parashikuar. Rezervat mbi fillimin e prodhimit të këtij termocentral

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Energjia, kriza dhe nafta ndryshojnë tregunNga Ervin Qafmolla

Zyrtarë të qeverisë shqiptare deklaruan këto ditë se TEC-i i Vlorës mund të mos performojë “ekzaktësisht” sikundër ishte parashikuar. Rezervat mbi fillimin e prodhimit të këtij termocentrali lidhen me kostot tepër të larta të prodhimit të energjisë elektrike, krahasuar me çmimet e importit. Burime nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës bënë të ditur këto ditë se kostoja për çdo kilovat/orë të prodhuar në Vlorë është 10 lekë, shifër kjo më e lartë sesa kostoja e importit të energjisë, që është rreth 7 lekë. Kjo do të thotë se të paktën në një nivel sipërfaqësor vlerësimi, TEC-i i Vlorës është një aset i pavlefshëm për momentin. Por nuk ka qenë gjithmonë kështu...

Vetëm diçka më shumë një vit më parë ky termocentral paraqitej i leverdishëm, edhe nëse çmimi i energjisë së prodhuar prej tij krahasohej me çmimet e importit. Deri para shtatorit të vitit 2008, çmimi i energjisë elektrike në tregun rajonal paraqitej në nivelin 95 euro për megavat/orë, ndërsa sot ky çmim në të njëjtin treg është 40 euro për megavat/orë. Në harkun e një viti, çmimi i energjisë elektrike në rajon ka pësuar një rënie drastike prej 55 eurosh për megavat/orë.

Arsyet lidhen ndjeshëm me krizën ekonomike botërore, pasi që pas pikiatës së tregjeve ndërkombëtare, çmimi i energjisë filloi të ulej ndjeshëm. Një faktor tjetër me rëndësi parësore në uljen e çmimeve të energjisë elektrike lidhet me lëndët e parë. Gjatë kësaj periudhe edhe çmimet e lëndëve djegëse, kryesisht nafta dhe nënproduktet e saj, pësuan një rënie drastike. Para shtatorit 2008, një fuçi naftë shitej për 148 dollarë, ndërsa sot, çmimi luhatet në nivelin e 70 dollarëve për fuçi. Duke qenë se një pjesë e konsiderueshme e energjisë elektrike prodhohet përmes djegësve fosilë, rënia e çmimit të këtyre produkteve në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar edhe në çmimin e energjisë elektrike, si produkt final.

Nga ana tjetër, një faktor me rëndësi në pikiatën e çmimeve të energjisë është edhe rënia e kërkesës. Rënia e kërkesës, si produkt i krizës botërore, filloi të manifestohej fort në muajt e fundit të vitit 2008, si dhe gjatë vitit 2009. Megjithatë, parashikohet se gjatë vitit 2010, si rrjedhojë e ripërtëritjes ekonomike në botë, çmimi i energjisë elektrike do t’i nënshtrohet një rritjeje në nivelin e 60 eurove për megavat/orë në tregun rajonal. Në këtë kuptim edhe leverdia e impianteve me kapacitet të vogël prodhimi prej rreth 100 megavat dhe me çmim më të lartë të energjisë së hedhur në rrjet se mesatarja e rajonit, mund të rishikohet.

TEC-i fik turbinat?

Nuk ndodh tamam kështu. Në takimin e fundit të organizuar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) mbi vlerësimin e kërkesave të OSSH, KESH dhe OST për rritjen e çmimeve të energjisë elektrike për vitin 2010, përfaqësues të KESH dhe drejtues të TEC-it të Vlorës deklaruan se gjatë 2010-ës, parashikohet që termocentrali të prodhojë energji elektrike në një vëllim ekuivalent me 3 muaj punë të pandërprerë. Por, nëse çmimi i importit është rreth 3 lekë për kilovat më i lirë se çmimi i energjisë së prodhuar nga termocentrali, përse lejohet që ai të gjenerojë energji?

Arsyeja lidhet me kostot e transmetimit dhe humbjet në rrjet. Duke qenë se energjia elektrike prodhohet nga hidrocentralet në veri të vendit dhe në masën më të madhe importohet nga e njëjta zonë, transmetimi i saj deri në jug të vendit realizohet përmes humbjesh të konsiderueshme, të cilat kanë kosto të mëdha financiare. Në këtë kuptim, TEC-i i Vlorës më shumë se thjesht një impiant gjenerimi të energjisë, shërben edhe si një mega-stabilizator i fuqishëm për jugun e Shqipërisë, duke minimizuar humbjet në rrjet. Gjithashtu, mbajtja në punë e këtij termocentrali rrit edhe efektivitetin e burimeve të tjera të prodhimit të energjisë elektrike. Sipas përllogaritjeve të bëra nga Ministria e Energjitikës në vitin 2006, nëse termocentrali i Vlorës vihet në prodhim, rendimenti i kaskadës së Drinit mund të përmirësohet ndjeshëm dhe uji i Fierzës mund të përdoret për të prodhuar energji në kohë pik, kur çmimi në tregjet rajonale është më i lartë.

Një argument tjetër pro vënies në punë të TEC-it të Vlorës lidhet me alternimin e prodhimit të energjisë. Aktualisht, energjia e prodhuar në Shqipëri vjen në masën 100% nga burime hidrike, të cilat lidhen kryekëput me nivelin reshjeve. Një masë shpëtimi e hedhur në tregun e opinionit publik në vitin 2007, por që pakkush e bleu, lidhej me HEC-et e vogla. Sipas disa propozimeve gjysmë-elektorale, ndërtimi i HEC-ve të vogla do të kontribuonte në përmirësimin e situatës hidrike. Në mesin e viteve ’80, kur HEC-e të tilla kanë qenë në maksimumin e kapacitetit dhe numrit të tyre, ato nuk mbulonin më shumë se 3% të nevojave totale të vendit. Nga ana tjetër, ndërtimi i një hidrocentrali paraqet kosto më të larta se ai i një termocentrali, për arsyen e thjeshtë se kthimi i investimit ndodh shumë gradualisht, duke qenë shumë i kushtëzuar edhe nga faktorët sezonalë dhe ndryshimet klimatike. Ndërkohë që një termocentral mund të prodhojë energji 24 orë në ditë, gjatë gjithë vitit, duke mos qenë i varur nga faktorë, të cilët shkojnë përtej kontrollit njerëzor.

Në vijim të këtij reflektimi u hodh ideja e ndërtimit të termocentraleve të tjera, përveç atij të Vlorës, aktualisht në ndërtim e sipër. Ca më vonë ideja evoluoi në ndërtimin e shumë njësive prodhuese të energjisë alternative nga ajo e ujit, për të mbërritur në të tashmen, kur qeveria synon ta shndërrojë vendin në “superfuqinë energjitike të rajonit”. Një përllogaritje e projekteve të certifikuara deri më sot nga kryeministri, Sali Berisha, dhe nga Ministria e Energjitikës flasin për të paktën 2000 megavat fuqi të instaluar, në një kohë që sipas një vlerësimi të Bankës Botërore, nevojat e vendit për prodhim energjitik, alternativ nga ai nga hidrocentralet deri në vitin 2020, kufizohen në jo më shumë se 600 megavat, sigurisht nëse flitet për të ardhmen. Logjikisht, do të thotë se sot për sot nevojiten shumë më pak. Në skenarin prej 2000 megavatësh nuk bën pjesë ëndrra shqiptare për central bërthamor, çka në terma praktikë do ta shndërronte vendin në eksportues neto.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›