Opozita sot para TVSh, kërkesë Kushtetueses për të hetuar shëndetin mendor të BerishësNga Tema Partia Socialiste dhe aleatët e saj, të majtë dhe të djathtë, kanë vendosur dje strategjinë që do të ndjekin pas refuzimit të kryeministrit Beris
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Opozita sot para TVSh, kërkesë Kushtetueses për të hetuar shëndetin mendor të BerishësNga TemaPartia Socialiste dhe aleatët e saj, të majtë dhe të djathtë, kanë vendosur dje strategjinë që do të ndjekin pas refuzimit të kryeministrit Berisha për hapjen e kutive. Gjatë takimit të zhvilluar pasditen e djeshme, krerët e opozitës kanë vendosur që të nisin protestat që ditën e sotme. Kjo protestë do të nisë papara institucionit të TVSh, ku do të kërkohet shkarkimi i drejtorit të saj, Petrit Beci, dhe do të vijojë me protestat, tashmë jo për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit, por për zgjedhje të parakohshme. Krerët e opozitës u shprehën të vendosur në rrugën e tyre, duke thënë se protestat do të shtrihen në të gjithë vendin dhe do të jenë paqësore.
Përveç protestave, kreu i lëvizjes G99, Erion Veliaj, u shpreh se opozita është duke konsideruar dërgimin e një kërkese Gjykatës Kushtetuese për të verifikuar shëndetin mendor të kryeministrit Berisha. “Jemi gjithashtu duke konsideruar ngritjen e një komisioni dhe t’i kërkojmë Gjykatës Kushtetuese ngritjen e një komisioni për të verifikuar shëndetin mendor të kryeministrit, një kryeministër, i cili përqesh qytetarët e vet, një kryeministër pervers, i cili ka fiksim vuajarizmin e të futurit në vrimën e çelësit të çdo qytetari të Shqipërisë, qartazi nuk është normal dhe bota ka eksperienca të tilla, ku komisione ngrihen me neurologë dhe me psikiatër për të dëshmuar, siç e kërkon edhe Kushtetuta e Shqipërisë, që një njeri është i aftë mendërisht të qeverisë qytetarët e vet. Në qoftë se ky njeri nuk është i aftë mendërisht, siç po na e provon çdo ditë, ndoshta ne të gjithë, 3 milionë veta, nuk duhet të rrimë dhe të shikojmë se si na përçudnon një i çmendur i tillë. Institucione të tilla si prokuroria, Gjykata Kushtetuese, duhet të prononcohen për shëndetin mendor. Kemi psikiatër dhe mjekë që janë të gatshëm të dëshmojnë para një paneli të tillë. Me të ngritur këtë panel të aftë, çdo mjek, i cili ndihet i aftë se mund të komentojë mbi këtë lloj anomalie, të paraqitet. Ju garantojmë se s’do të ketë asnjëherë shprehje të dhunës, qoftë fizike apo verbale nga opozita”, - tha Veliaj.
Ndërkohë, kreu i PDK, Nard Ndoka, u shpreh i vendosur për protestat.
“Më vjen keq për kryeministrin e vendit tim, i cili tashmë është kthyer në shpifës ordiner, është e turpshme për kryeministrin, për një drejtues shteti, të merret me shpifje të ulëta. Kuptohet që tashmë është në një gjendje shumë të vështirë, për faktin se është ballafaquar me protestën më të madhe të këtyre 20 viteve dhe z. Berisha dy gjëra ka mjaft frikë në jetën e tij politike: protestën dhe bojkotin parlamentar. Ajo që ne i kërkojmë, është transparenca e procesit zgjedhor, pra nuk e kërkojmë këtë nëpërmjet revolucionit të armatosur, ashtu siç ka frikë ai, madje mund ta qetësoja, duke qenë një parti e djathtë opozitare, sot, por në një aksion politik së bashku me partitë e majta, të ruajmë qetësinë, për faktin që duhet të jemi një garant që këto protesta duhet të jenë paqësore, që nuk do të merren me kolltukun e z. Berisha, që ai e ka shumë merak, se kujton se institucioni funksionon te karrigia e tij dhe te muret e një godine, nuk do të merret kush me ta. Madje mund t’i kërkoja që të pyeste ministrin e tij të Mbrojtjes, se pse hipi sipër tankeve në 1997, pikërisht për abuzimin me votën, për mungesën e demokracisë, për dhunimin e zgjedhjeve të ‘96, këto ishin arsyet, të cilat e bënë të merrte akte ekstreme, duke qenë një nga protagonistët e një revolucioni të asaj kohe, të cilin sot e ka në kabinet”, - tha Ndoka.
Të njëjtën gjë pohoi edhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule, i cili tha se opozita tashmë do të kërkojë një qeveri të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse për të realizuar zgjedhje të parakohshme. “Opozita në mënyrë të civilizuar do të organizojë protesta mbarëpopullore me dimensioneve të paprecedent. Do të ketë një zgjim ndaj kërkesave të opozitës që pozita iu përgjigj me gjuhën e karshillëkut. Ne jemi më të bashkuar se kurrë, me kërkesa të qarta, me kërkesa të ditura për transparencën zgjedhore si një domosdoshmëri për fatet e demokracisë. Tani që qeveria dështoi, pasi skadoi afati, kërkesa për hapjen e kutive duhet të realizohet nga një qeveri e re gjithëpërfshirëse. Kjo qeveri do të na çojë drejt zgjedhjeve të parakohshme”, - tha gjatë fjalës së vet Vangjel Dule.
Aleati tjetër, Spartak Ngjela, u shpreh se opozita nuk trembet nga presioni i kryeministrit Berisha, të cilit do t’i përgjigjet me protesta masive.
“Logjika e takimit ishte që do t’i përgjigjemi çdo provokimi me masë njerëzish kompakte, që do të thotë me protesta masive, ndaj çdo lloj gjuhe provokimi apo gënjeshtre si ato që kemi dëgjuar deri tani. Pushteti aktual, në rast se do mendojë se do trembë me represion, masa kompakte do të jetë gjigante. Çdo veprimi alogjik, aligjor dhe të pakontrolluar të këtij kryeministri, do t’i përgjigjet vetëm populli, me forcën e tij, sepse sot konstatohet një neveri totale e shoqërisë shqiptare kundër kryeministrit aktual, Sali Berisha”, - tha Ngjela.