Berisha në Kopenhagë dhe TEC-i Porto-Romanos Nga Lavdosh FerruniShqipëria do të reduktojë 48% gazrat serë në vitin 2025, krahasuar me vitin 2010. Këtë do thotë Berisha në Samitin e Kopenhagës duke tentuar të rrëmbejë duartrokitjet e auditorit. Në kët
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Berisha në Kopenhagë dhe TEC-i Porto-Romanos Nga Lavdosh FerruniShqipëria do të reduktojë 48% gazrat serë në vitin 2025, krahasuar me vitin 2010. Këtë do thotë Berisha në Samitin e Kopenhagës duke tentuar të rrëmbejë duartrokitjet e auditorit. Në këtë Samit që mbahet më 7-18 dhjetor, do të marrin pjesë 100 kryetarë shtetesh prej 192 vendeve anëtare të OKB, përfshi dhe presidentin Obama dhe kryeministrin e Kinës, Jibao. Samiti i Kopenhagës konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme ndërkombëtare në historinë njerëzore, madje edhe më e rëndësishme se vetë krijimi i OKB. Përgatitjet janë bërë. Ky Samit pritet të miratojë angazhimin e përbashkët të gjithë shteteve të botës për reduktimin e gazrave serë, përgjegjës për ngrohjen globale dhe ndryshimet e klimës në planet.
Muajin e kaluar ministri i Mjedisit, z. Mediu, teksa promovohej publikimi i një detyrimi ndërkombëtar, i quajtur Komunikimi i Dytë Kombëtar i Shqipërisë për Konferencën e Palëve në Konventën për Ndryshimet e Klimës në kuadër të Kombeve të Bashkuara, njoftoi edhe në prani të ambasadorëve të huaj në Tiranë se Berisha në krye të delegacionit shqiptar do të shpallë në Kopenhagë qëndrimin e Shqipërisë për reduktim të gazrave serë në masën 48% në vitin 2025 krahasuar me 2010. Kjo do të gëzonte cilindo, veçanërisht qytetarët më të angazhuar për mjedisin. A është e mundur?
Mbështetur në studimet e bëra dhe me pjesëmarrjen e Ministrisë së Mjedisit, madje edhe të PNUD, rezulton që në Shqipëri emetimet e gazrave serë të jenë rreth 10 milionë ton CO2 eq (ekuivalent), kundrejt 8.5 milionë tonë në vitin 2005 dhe 7 milionë tonë në vitin 1994. Kurse, po sipas studimeve si më sipër vlerësimi i emetimeve në vitin 2020 parashikohet të arrijë në 37 milionë tonë CO2 eq, pra afërsisht 4-fishi i emetimit të sotëm. Dhe ky parashikim duket më se realist, duke konsideruar projeksionet e qeverisë për instalimin e TEC-eve me bazë fosile. Kështu, vetëm projekti i paraqitur prej Enelit për TEC-in me qymyr në Porto-Romano emeton 9 milionë tonë Co2 eq, që do të thotë se vetëm nga kjo vepër gati dyfishohet emetimi i CO2 në vend pas 3-4 vitesh. Nëse shtohen këtu dhe fabrikat e projektuara të çimentos me nga rreth 1 milion tonë CO2 secila, ka të ngjarë që emetimet të kalojnë dhe 4- fishin e emetimeve në vitin 2020. Qeveria praktikisht po ecën pikërisht në këtë rrugë. Kështu, në janar, pra menjëherë pas samitit të Kopenhagës, është caktuar të zhvillohet tenderi për TEC-in me qymyr të Porto-Romanos.
Në dokumentin mbi të cilin do flasë Berisha në Kopenhagë nuk është fshehur projekti i tij, i orientuar nga energjia e gjeneruar mbi bazën e lëndëve të para fosile, shkaktare kryesore të ngrohjes globale. Në të thuhet se pjesa e elektricitetit të gjeneruar nga TEC-et do rritet nga 6% në vitin 2000, në 59.9% në vitin 2025 (Komunikimi i dytë Kombëtar për Konferencën e Palëve të Konventës për Ndryshimet e Klimës, në Kuadër të Kombeve të Bashkuara, Nëntor 2009, f17).
Për pyetjen e adresuar z. Mediu dhe grupit të punës së hartimit të këtij dokumenti, se si është e mundur që edhe të kemi shumëfishim të emetimeve të CO2 nga TEC-et e fabrikat e çimentos etj., dhe njëherazi të kemi reduktim të gazrave serë në masën 48%, përgjigjja ishte sa naive dhe cinike: “Në sajë të eficiencës së përdorimit të energjisë”. Është e vërtetë që Shqipëria si vend kandidat për BE mund të mos ketë marrëveshje detyruese për reduktimin, por asaj i kërkohet të caktojë objektiva të qarta për kufizimin e emetimeve dhe reduktimin e gazrave serë. Shqipërisë, ashtu si dhe vendeve në zhvillim, do t’i kërkohet të vendosë në tavolinë një strategji zhvillimi me nivel të ulët karboni. As më shumë e as më pak kjo nënkupton braktisjen përfundimtare të idesë dhe praktikës së nisur për ndërtim të TEC-it me qymyr në Porto Romano apo TEC-eve të tjerë me bazë qymyri e nafte kudo nëpër Shqipëri.
Orientimi drejt gjenerimit të energjisë nga lëndë fosile (për më tepër të importuar), jo vetëm që përbën një gabim të madh në planin ekonomik, dukshëm shfaqur me dështimin me TEC-in e Vlorës, por është i papranueshëm edhe në planin politik, qëkurse jo vetëm Partia Socialiste është kundër TEC-eve si i Porto Romanos, por edhe LSI, që drejton aktualisht sektorin energjitik ka pasur program të qartë pro energjisë së rinovueshme. Ndoshta mund të ishte i besueshëm ndonjë TEC i vogël me gaz për nevojat e vendit, nëse do të ketë ndonjë gazsjellës që do transitojë Shqipërinë. Më pas Shqipëria i ka të bollshme burimet e energjisë së rinovueshme, nga uji, dielli, era, biomasa etj. Ajo që kërkohet është të guxohet t’i thuhet faleminderit kompanive fosildjegëse dhe politikanëve të vendit e të huaj, të lidhur ngushtë me to.
Të shkosh në Kopenhagë me kontrata në dosje për super TEC-e qymyri, gati për t’i firmosur në njërën anë, dhe të mbash fjalime për reduktim drastik të gazrave (48%), për të cilët këto TEC-e janë përgjegjësit kryesor të emetimeve të këtyre gazrave nga ana tjetër, do të thotë që t’i kesh hipur kalit së prapthi. Berisha duhet t’i zbresë këtij kali, se rrezikon shumë.
Berisha do të ishte përzemërsisht i përshëndetur nga bota, nëse do thoshte në Kopenhagë:
“Vendi im ka nevojë të zhvillohet. Lutem, pranoni që deri në vitin 2025 vendi im të ruajë nivelin e sotëm të emetimeve shkaktare të ngrohjes globale, por unë angazhohem para jush se, sapo të kthehem në vend, do të anuloj ndërtimin e TEC-it me qymyr në Porto-Romano dhe çdo tjetër të këtij lloji”.