Familjarët humbin shpresat, Mandela mbahet në jetë me aparate

Familjarët e Nelson Mandelës kanë humbur shpresat për jetën e ish-presidentit të Afrikës së Jugut, Nelson Mandela. Revolucionari kundër aparteidit ndodhet në gjendje vegjetative të përhershme dhe familja e tij po shqyrton mundësinë për ta shkëputur nga pajisjet që e mbajnë ende në jetë. Kështu raporton agjencia France Presse, duke cituar një dokument gjyqësor.
Fituesi i çmimit Nobel të Paqes ndodhet i shtruar në një spital të Pretorias, në Afrikën e Jugut që nga 8 qershori. “Mjekët i kanë këshilluar familjes të shkëpusë prizën e pajisjes që e mban në jetë në mënyrë artificiale dhe familjarët po e shqyrtojnë këtë mundësi”, shkruhet në dokumentin që është paraqitur në gjykatë më 26 qershor, transmeton BW.
Bashkëshortja e Mandelës ka deklaruar se ai po vuan tashmë prej ditësh dhe ajo nuk do që Mandela të vuajë më. Gjithsesi tani u takon gjykatësve të marrin vendimin. Ish- presidenti afrikano-jugor u shtrua rreth një muaj më parë në spitalin e Pretorias për shkak të një infeksioni të rëndë në mushkëri./Indeksonline/