E Diel, 1 Nëntor 2026

Gardiani vret gruan e veten, lë 11 fëmijë jetimë

Një krim në familje ka tronditur mbrëmë zonën e Kombinatit. Burri nxori jashtë fëmijët dhe më pas vrau gruan me të cilën bashkëjetonte. Autori i ngjarjes, gardian në burgje prej 15 vjetësh, më pas vrau edhe veten. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, në bllokun e pallateve “Çabej”, në zonën mes Yzberishtit dhe Kombinatit në Tiranë. Viktimat janë Mimoza Nikolli, kameriere, 48 vjeçe, e divorcuar dhe nënë e 8 fëmijëve nga martesa me ish-bashkëshortin. Viktima e dytë është Ali Verteniku, 64 vjeç, efektiv i Policisë së Spitalit të Burgut, baba i 3 fëmijëve me gruan që i kishte vdekur para dy vjetësh, raporton Panorama.

Çifti, që bashkëjetonte prej një viti në një apartament me qira në katin e tetë të pallatit ku ndodhi ngjarja, u gjet pa jetë nga forcat e Policisë, të cilëve iu deshën disa minuta për të hapur derën e shtëpisë ku ndodheshin kufomat. Banorët e pallatit kanë telefonuar në sallën operative të Policisë së Tiranës, duke dhënë sinjalin e parë për një ngjarje. Telefonuesit i thanë policisë se dëgjuan katër të shtëna brenda një apartamenti, por nuk e dinin çfarë kishte ndodhur konkretisht. “Ata denoncuan se në pallat janë dëgjuar katër të shtëna që ngjanin me ato të një arme zjarri, por pa mundur të saktësonin se nga ku ishte qëlluar”, njoftoi Policia.

Kanë kaluar thuajse 30 minuta derisa është arritur të verifikohet se brenda në apartament kishte ndodhur një vrasje e dyfishtë, krim në familje. Policia ka arritur të hapë derën me ndihmën e dy fëmijëve të gruas 48-vjeçare, të cilët ndodheshin jashtë në momentin e krimit. Vetëm pas hyrjes në apartament policia ka arritur të kuptojë çfarë kishte ndodhur./Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›