Familjet e 21 janarit, letër Ambasadës Amerikane
Familjarët e 4 viktimave: Nëse doni paqe dhe qetësi të vërtetë në Shqipëri, ndikoni të bëhet drejtësi për 21 janarin
Ambasadorit të SHBA në Tiranë, Shkëlqesisë së tij zotit Aleksandër Arvizu
Tiranë, më 11 janar 2012
I nderuar zoti Ambasador, Arvizu!
Ne që po ju shkruajmë jemi familjarët e Faik Myrtajt, Ziver Veizit, Hekuran Dedës dhe Aleks Nikës, katër qytetarët dhe kryefamiljarët e vrarë në 21 janar 2011 në bulevardin “Dëshmorët e kombit” në Tiranë nga godina e kryeministrisë së Shqipërisë. I vetmi “faj” i tyre ishte pjesëmarrja në një demonstratë të thirrur nga opozita legale shqiptare për të protestuar kundër korrupsionit dhe varfërisë. Fëmijët e tyre, të vegjël shumica, mbetën jetimë. Ata kërkojnë vazhdimisht të dinë se çfarë ka ndodhur me baballarët e tyre. Më i rrituri prej këtyre tetë jetimëve, djali i madh i Faikut, përfundoi në vetëvrasje nga dëshpërimi. Dhimbjen tonë të madhe do të mund ta zbuste sadopak zbardhja e krimit, nxjerrja para drejtësisë e atyre që urdhëruan dhe realizuan këto vrasje të tmerrshme. Por drejtësia nuk ka dhënë akoma asnjë përgjigje, edhe pse pak ditësh mbushet plot një vit nga dita e tragjedisë. Kjo e dyfishon dhimbjen tonë.
Në ketë njëvjetor ne e kemi më të vështirë të shkojmë te varret e tyre se sa ditën kur i varrosem. Sepse edhe ata nuk kanë gjetur e nuk do të gjejnë prehje pa u bërë drejtësia. Edhe ata, si fëmijët e tyre jetimë, do të na pyesin:
“Pse më vranë, kur po rrija me duart në xhepa në bulevard para kryeministrisë”? (Ziveri)
“Pse më vranë kur isha ngjitur e po shikoja nga tezga e televizionit ABC”? ( Hekurani)
“Pse na vratë në anën tjetër të bulevardit, në trotuarin përkarshi, ku po qëndronin paqësisht, në të drejtën tonë”? ( Faiku dhe Aleksi)
Ne nuk kemi çfarë tu themi. Drejtësia nuk ka përmbushur detyrimin ligjor ndaj tyre, ndaj nesh, ndaj së vërtetës, ndaj popullit shqiptar.
Shkëlqesi Ambasador,
Ne ju drejtohemi Ju sot duke njohur ndjeshmërinë e SHBA dhe tuajën si përfaqësues i saj për ngjarjet e 21 janarit në Tiranë. Me ketë rast, dëshirojmë t’u shprehim mirënjohjen tonë për ndihmën që SHBA i kanë dhënë e po i japin Prokurorisë shqiptare në lidhje me hetimin e vrasjeve. Ju personalisht jeni marrë shumë me 21 janarin para një viti kur ishte fjala për të ulur gjakrat në Tiranë. Ne do të donim që me të njëjtin përkushtim të mbështesni dhe të nxisni në vijimësi zbardhjen e ngjarjes dhe gjykimin e fajtorëve.
Filmimet e të gjitha mediave televizive të pranishme në bulevard me 21 janar kanë treguar se armët e zjarrit nga Garda e Republikës u përdorën kur demonstrata po shpërndahej. Nuk ka pasur nevojë për hetime të stërholluara për të provuar se Garda u urdhërua të hapte zjarr dhe hapi zjarr në drejtim të popullit, në kundërshtim flagrant me ligjin, kur s’kishte asnjë arsye apo nevojë për ta bërë këtë.
Nuk ka pasur e nuk ka nevojë për asnjë hetim të stërholluar për të provuar se me 21 janar 2011 forcat e komanduara nga kryeministri Sali Berisha nuk shpëtuan asnjë jetë, por morën jetë. Vrasjet e 21 janarit lindën të zbardhura, të qarta, të filmuara, në sytë e gjithë botës. Bota e qytetëruar pyeti me tmerr: Si mund të vriten njerëzit ashtu në një vend anëtar i NATO-s dhe askush të mos mbajë përgjegjësi, askush të mos dënohet ende? Vrasjet linden të qarta, por për fat të keq janë bërë e bëhen përpjekje për t’i turbulluar rrugës me qëllim që e vërteta të mos dalë kurrë.
Ne kemi bindjen se ju dhe vendi juaj nuk mund të pajtoheni në asnjë mënyrë me zvarritjen, mjegullimin dhe dështimin e këtyre hetimeve. Ne kemi bindjen se ju nuk mund të pajtoheni me veprimet e paligjshme dhe kriminale të manipulimit dhe zhdukjes së provave, duke filluar me mosdorëzimin në kohë të armëve më të cilat është hapur zjarr kundër demonstruesve dhe duke kulmuar me rastin skandaloz të fshirjes se filmimeve të asaj dite nga serveri i kryeministrisë. Sipas shtypit shqiptar, këtë konstatim të rëndë, të papërgenjështuar nga asnjë institucion, e kanë bërë ekspertët amerikanë, të cilëve Prokuroria shqiptare u është drejtuar për ekspertizë. Ne si familjarë të të vrarëve revoltohemi me këtë akt të ri kriminal dhe kuptojmë më mirë arsyet se përse pengohet e sabotohet hetimi. Pse duhet të zhdukë kryeministria filmimet e saj, kur qeveria, siç ka theksuar qindra herë zoti Berisha, paska qenë në mbrojtje të ligjit, të institucioneve dhe rendit demokratik? Përgjigja sipas nesh është e thjeshtë: në ato filmime nuk ka qenë heroizimi i forcave të kryeministrit, por turpi i tyre.
Ne kemi bindjen se ju nuk i keni miratuar e nuk mund ti miratoni deklaratat e përsëritura të zyrtarëve të qeverisë shqiptare, së fundi edhe të Ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, se me 21 janar qeveria ka zbatuar ligjin. Cilin ligj?! Ta thotë ministri. Cili ligj ndalon pjesëmarrjen e lirë të shtetasve të një vendi demokratik në protesta dhe demonstrata? Cili ligj lejon vrasjen e njerëzve që shkojnë për të protestuar para godinës së qeverisë së tyre? Ministri nuk e thotë dot, sepse ky ligj nuk ekziston e nuk mund të ekzistojë në demokraci. Liria e tubimit dhe e protestës në Shqipëri është e garantuar me Kushtetutë. Bulevardi është pasuri e publikut. Pabesia e madhe në vrasjet e 21 janarit është se njerëzit janë vrarë si në diktaturë duke menduar se janë në demokraci. Përsëritja pas një viti e të njëjtit qëndrimi cinik nga kryeministri dhe anëtarët e qeverisë së tij tregon mungesë të plotë reflektimi dhe pendese. Por mburrja me përdorimin e armëve të zjarrit kundër civilëve të thjeshtë është në vazhdën e presioneve të qeverisë për intimidimin, devijimin dhe mundësisht bllokimin e hetimi të vrasjeve.
Ne kemi bindjen se ju dhe vendi juaj nuk jeni indiferent ndaj deklaratave shqetësuese që ka bërë Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama në lidhje me presionet dhe pengesat që ka ndeshur Prokuroria në këtë hetim. Institucionet shqiptare duhet të tregojnë pavarësi dhe guxim në punën e tyre, por ato kanë nevojë jetike për mbështetjen dhe inkurajimin Tuaj të vazhdueshëm për zbatimin e ligjit pa marrë parasysh se kush preket nga zbatimi i tij.
Të vrarët tanë ishin njerëz të thjeshtë, punëtorë, pa ndonjë aktivitet të veçantë partiak. Ishin popull, siç e themi ne në të folurën tonë. Ata u vranë si pjesëmarrës në protestën e opozitës. Ata që urdhëruan vrasjen e tyre e bënë për të nxjerrë mllefin ndaj opozitës politike. Por nuk nxirret mllefi me vrasjen e njerëzve të pafajshëm. Se kjo nuk është më nxjerrje mllefi, por krim shtetëror. Ne kërkojmë e nuk do të pushojmë së kërkuar sa të kemi frymën shpagim në drejtësi. Është detyrimi ynë i përjetshëm ndaj atyre që nuk mund të trajtohen si mish për top, por vetëm si shqiptarë paqësorë, si njerëz të lirë, me dinjitetin e barabartë që u jep zoti gjithë njerëzve.
Nuk do të ketë paqe dhe qetësi të vërtetë në Shqipëri pa u bërë drejtësia për vrasjet e 21 janarit. Drejtësia për 21 janarin është më shumë se një çështje personale e jona. Është një çështje e funksionimit ose jo të shtetit ligjor në Shqipëri.
Me besimin se ndani me ne këtë bindje, na lejoni i nderuar Ambasador t’ju rinovojmë thirrjen tonë për ndihmë dhe t’ju përcjellim përshëndetjet tona të përzemërta.
Familja Deda
Familja Nika
Familja Myrtaj
Familja Veizi